Kalimi mbi 5 mijë i rasteve aktivë me Koronavirus, rritja e shtrimeve në spitale dhe infektimeve ka shtuar shqetësimin në Shqipëri
Knid Ndrenika
Doktoreshë Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik ka paralajmëruar rrezikshmërinë e përhapjes së variantit indian “Delta” përkundër domosdoshmërisë për vaksinim.
Ajo ka thënë se është e rëndësishme që të rritet mbulesa vaksinale në të gjithë llojet e mekanizmave për të mbrojtur shëndetin.
Sipas doktoreshë Binos, rëndësi ka që të ecet përpara me shëndetësinë dhe me mësimdhënësit si dy kategori të lidhura drejtpërdrejtë me mundësinë e përhapjes së virusit.
Mirëpo ajo ka kritikuar qëndrimet kundër vaksinimit për personat që e kanë kaluar Koronavirusin dhe pretendojnë se u janë krijuar antitrupa:
“Ka shumë njerëz që thonë “e kam kaluar Kovidin, kam mbrojtje, nuk kam pse vaksinohem”. Është shumë e gabuar! Ata patjetër duhet të vaksinohen”!
5129 raste janë aktivë me Koronavirus në Shqipëri, kurse në 24 orët e fundit u raportuan dy viktima dhe 658 raste të reja me COVID-19.
Kalimi mbi 5 mijë i rasteve aktivë me Koronavirus, rritja e shtrimeve në spitale dhe infektimeve ka shtuar shqetësimin në Shqipëri.
Doktoreshë Bino thotë se nuk është “që të lehtësohen masat, pasi varianti “Delta” është tepër ngjitës”!
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri thirrje për vaksinim pasi po preken shumë të rinj me COVID-19.
Ministrja Manastirliu tha e shqetësuar se rritja numrit të infektimeve me Koronavirus, shtrimet në spitale, viktimat dhe më shumë se 5 mijë raste aktive kërkojnë përgjegësi madhore nga gjithsecili shtetas.
Që nga marsi 2020 kur u shfaq Koronavirusi, në Shqipëri kanë humbur jetën 2,477 persona.