Emanuel Heba – shembëllimi i nderit, fisnikërisë e zemërgjerësisë

Prof. Dr Emanuel HEBA

 

Ramadan Muçolli

Javën që shkoi u nda nga jeta Prof. Dr Emanuel Heba, autoritet shumë i respektuar në fushën e veterinarisë dhe ish-deputet i Partisë Demokratike në dy legjislaturat e para të Kuvendit të Shqipërisë. Autoritet shumë i vlerësuar nga qarqet shkencore dhe në qarqet politike. Shumë i dashur dhe i respektuar nga qytetarët. 

Dr Emanueli ishte pinjoll i një familjeje patriotike, të pasur e fisnike, shumë të arsimuar, e cila i ka dhënë shumë Shqipërisë, në periudha të ndryshme të historisë së saj komplekse e të trazuar. Familja Heba ka dhënë kontribut të madh për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit nga fashizmi.

Vetë Dr Emanueli ishte emër i përveçëm në fushën e shkencës dhe dijes. Ai ishte autoritet i pakontestueshëm në fushën e veterinarisë dhe mbrojtjes së shëndetit të bagëtisë në Shqipëri. Ishte njëri ndër më të merituarit për çrrënjohjen e tuberkulozit të gjedheve.

Ai e kishte ngritur dhe drejtuar Laboratorin e Mycobacteriozave, ku ishte bërë zbulimi revolucionar i kohës – vaksina kundër tuberkulozit që po e gjymtonte fondin blegtoral në Shqipëri. Për fat të keq, ajo vaksinë nuk u prodhua asnjëherë në Shqipëri, për shkak të mungesës së teknologjisë së nevojshme. Libri i tij “Tuberkulozi i gjedheve” vazhdon të jetë një referencë shumë e rëndësishme në studimet e veterinarisë dhe në praktikën e mbrojtjes së shëndetit të bagëtisë në Shqipëri. Rezultatet e punës së tij kërkimore ishin vlerësuar lart në qendrat më të rëndësishme shkencore të fushës në Europë.

Gjatë punës së tij studimore ai kishte zhvilluar kërkime cep më cep Shqipërisë. Kishte bërë udhëtime me karakter studimor edhe jashtë vendit.

Dr Emanueli ishte vlerësuar disa herë për rezultatet e punës së tij kërkimore e shkencore. Ai ishte vlerësuar edhe me Çmimin e Republikës dhe ishte shpallur Mjeshtër i Madh…

Dr Emanuel Heba ka lënë gjurmë edhe në jetën politike të Shqipërisë, në vitet e para të demokracisë. Ai iu bashkua Partisë Demokratike në fillet e pluralizmit politik, jo sepse e kishte pasion politikën, por sepse iu kërkua nga pionierët e demokracisë, për shkak të meritave dhe kontributeve, si edhe për shkak të autoritetit që e gëzonte në rrethin ku jetonte e ku punonte. Ai u zgjodh deputet në zgjedhjet e para dhe në zgjedhjet e dyta shumëpartiake në Shqipëri. Në vitin 1996 nuk pranoi të kandidohej përsëri për deputet dhe u pensionua nga politika.

Emanuel Heba nuk kishte profil të politikanit ballkanas. Ai ishte njeri i bindjeve dhe parimeve. Ato nuk i ndryshonte për asnjë çmim.

Ai ishte njeri që i vështronte me realizëm proceset politike nëpër të cilat po kalonte Shqipëria në vitet e para të pluralizmit politik dhe kishte qëndrim shumë kritik ndaj turbulencave politike pa mbarim në Shqipëri.

Unë kam pasur nderin dhe privilegjin të njihesha së afërmi me Dr Emanuelin dhe të kaloja shumë kohë me të.  Ishte njeri shumë fisnik e zemërgjerë. Ishte edhe shumë mendjehapur. Ai e kishte edhe një sens të hollë humori, gjë që e bënte shumë të këndshëm për bisedë.

Nga historitë dhe tregimet e tij unë u njoha me Shqipërinë e panjohur për mua – me Shqipërinë e komunizmit të egër dhe me Shqipërinë e tranzicionit pa mbarim. U njoha edhe me profilin e sunduesve komunistë në Shqipëri, por edhe me rezistencën e heshtur të njerëzve të ndershëm ndaj sistemit të sundimit të tyre…

Historitë e Dr Emanuelit kishin një kolorit të jashtëzakonshëm: lloj-lloj protagonistësh, lloj-lloj situatash dhe lloj-lloj përvojash jetësore, nga të cilat nxirren mësime me shumë vlerë.

Dr Emanuel Heba do të mbetet në kujtesë si shembëllim i nderit, fisnikërisë dhe zemërgjerësisë.

Për gjithë jetën.

Prof. Dr Emanuel Heba, me bashkëshorten Mariuçën dhe Ramadan Muçollin (nga e djathta), maj 2011, Prishtinë