Si sot ka ndërruarr jetë Dr. Jani I. Dilo, një ndër bashkëpuntorët e të madhit Mit’hat Frashëri, luftëtar i pavdekshëm i Shqipërisë Etnike.
Një material i shkruar për Dr. Jani I. Dilo, kur ndërrroi jetë, 40 vite me parë:
Më 14 të Kallndorit 1984 ka ndërrue jetë papritmas, nga një goditje zemre, udhëheqësi i shquem i Ballit Kombëtar, mbrojtësi i palëkundun i çashtjes Shqiptare dhe i Shqipnisë etnike, Dr. Jani Dilo.
Vdekja e tij àsht nji humbje e madhe për nacionalizmin. Shokët e tij lindin edhe rriten të rrallë.
I lindun në dhetvjetorin e parë të këtij shekulli, biri i arsimtarit të mirënjohun, Ilia Dilo Sheperit dhe i Save Rucit, Jan Dilo e pau dritën e parë në Sheper të Zagorisë, n’atë vend që lindi dhe rriti poetin e madh, Çajupin, n’atë vend i cili u pat bamë synim i grabitjeve të andartëve grek.
Jan Dilo e fitoi dashuninë për Atdhe e kulturë prej t’et, i cili me librin e tij të përmendun Gramatika dhe Sintaksa e Gjuhës Shqipe, u radhit me lavruesit dhe punëtorët e Shqipes.
Mësimet e para dhe të mesme i mori në vend dhe i kreu me faqe t’bardhë në vjetin 1928. Akademinë ushtarake e mbaroi në Romë të Italisë dhe duel Toger më 1931. I shërbeu Ushtrisë Shqiptare, tue u caktue më 1933 në detyrën e Sekretarit të Shtatmadhorisë. Më 1937 u gradue Kapiten.
Kur Shqipnija u pushtue prej trupave të hueja, më 7 prill 1939, Jani Dilo pa humbë kohë i u përgjegj thirrjes së Mid’hat Bej Frashërit, tue u bashkue me fuqitë vullnetare të Ballit Kombëtar. Aso kohe, Korça ishte kthyer në nji qendër qëndrese. Çetat e Ballit Kombëtar n’atë zonë, kryesoheshin prej heroit të pavdekshëm, Prof. Safet Butkës. Kurse, mbrenda në Korçë, u krijue boshti i qëndresës rreth burrave t’përmendun, Prof. Stavro Skendi, Qazim Prodani, Jani Dilo, Dhimitër Fallo, Selim Mborja etj.
Në Qershor të vjetit 1943, Jani Dilo duel në mal me çetat e Ballit Kombëtar. Qëndroi deri sa sllavokomunistët shqipfolës, me ndihmën e serbëve të Titos e morën fuqinë. Atëherë ai muer rrugën e mërgimit bashk me shumë shokë të tjerë të luftës.
Në Torino të Italisë i filloi pa humbë kohë studimet në Drejtësi të cilat i kreu me faqe të bardhë më 1947. Më 1950, Dr. Jani Dilo emigroi në Shtetet e Bekueme të Amerikës, ku e fitoi bukën me djersën e ballit. Edhe në Mërgim, Dr. Jani Dilo kurrë nuk i u-nda punës për çashtjen e madhe kombëtare.
Lavdi Jetës dhe Veprës
NEW YORK, 1984
SHQIPNIJA SHQIPTARËVE