Dr.Rifat Latifi u emërua ministër i ri i Shëndetësisë së Kosovës

Një muaj e gjysmë pasi Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka emëruar Rifat Latifin ministër të ri. Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media.
“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, ka thënë ai. Kurti ka thënë se Latifi të dielën ka ardhur në Prishtinë nga New York-u.

Sipas tij, ai ka kontribuar në vazhdimësi në promovimin e shëndetësisë në Kosovë.
“Ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë. Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale të SHBA-ve”, ka shtuar ai.

Ndërsa, me të marrë detyrën e ministrit, Latifi ka thënë se bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrenë standardet mjekësore.

 

Ai me këtë rast ka premtuar edhe shtim të shërbimeve shëndetësore.
“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate të ngremë standardet mjekësore, duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë specializimeve si dhe ngritjen e aftësive të kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore në shkencat mjekësore, sikur për mjekët ashtu edhe për infermierët dhe të gjithë punëtorët tjerë shëndetësorë. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve, ne riinvestojmë sërish në kualitet”, ka shtuar ai.

 

Mjeku shqiptaro-amerikan, Rifat Latifi nuk është emër i panjohur në Kosovë. Më herët, ai ka qenë edhe këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
Një gjë e tillë dëshmohet edhe në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Mbrëmjen 16 marsit të vitit 2009, Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar se Latifi është emëruar këshilltar i jashtëm i Thaçit për shëndetësinë.
Në këtë njoftim thuhej se “emërimi i Dr. Latifit në këtë pozitë është konkretizim i angazhimeve në sektorin e shëndetësisë, që është një ndër prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Dr. Latifi ka dhënë një kontribut të shquar akademik edhe përmes botimit të tetë librave dhe mbi 100 artikujve shkencor si autor ose bashkë-autor.
Dr. Rifat Latifi është një kosovar që ka kaluar jetën duke qenë i përkushtuar për mirëqenien e pacientëve në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe me angazhime konkrete në funksion të reformimit të kujdesit shëndetësor në Kosovë”, thuhej në njoftimin e atëhershëm të ZKM’së.

Mb 1000x465

Latifi ka mbaruar studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës.

Profesor Rifat Latifi është mjek dhe profesor i njohur në nivelin ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër në Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.

Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikanë për shtetin e Arizonës.
Latifi është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri, program ky i financuar nga USAID.

Është Laureat i Çmimit për Arritjen e Shekullit 21 për Shëndetësi nga Programi Computerworld Honors dhe Çmimin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit nga Komisioni i Akreditimit të Rishikimit të Përdorimit (URAC), më 2011.

Latifi ka iniciuar e siguruar fonde dhe ka mbikëqyrur tri ekipe kombëtare të programit të telemjekësisë në Evropë dhe Afrikë, për të cilat ai mori çmimin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS) dhe “Pfizer International Surgical Volunteerism 2015”

Latifi ka botuar 9 libra për mjekësinë dhe është autor i mbi 100 artikujve shkencorë. Ai ka kryer specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Kliniken e Klivelandit, e pastaj ne Universitetin Yale.

Specializimin e dytë në Traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion, e ka mbaruar në New York College of Medicine.
Pas specializimeve, Latifi ka shkuar në Richmond, Virxhinia, për një kohe të shkurtër, e më pas në Tucson, Arizona.