Adnan Mehmeti
Stamford, 7 prill 2024
(Dr. Yllka Filipi u zgjodh kryetare, studiuesja e letërsisë Arjeta Ferlushkaj nënkryetare dhe Dr. Bexhet Asani, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)
Në një atmosferë plotë entuziazëm dhe të kulturuar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë mbajti zgjedhjet e reja më 7 prill 2024, në bibliotekën e qytetit të Stamford-it. Shumica e anëtarëve të shoqatës erdhën nga e gjithë Amerika për të marrë pjesë në zgjedhje.
Në këto zgjedhje të rëndësishme, Dr. Yllka Filipi u zgjodh kryetare me një shumicë votash nga anëtarët e Shoqatës. Ky moment shënon një kapitull të ri në historinë e Shoqatës, pasi Dr. Yllka Filipi ka qenë në detyrën e sekretares dhe ka shërbyer dy mandate si nënkryetare. Nënkryetare u zgjodh studiuesja e letërsisë Arjeta Ferlushkaj, ndërsa detyra e sekretarit iu besua Dr. Bexhet Asanit. Kryesia e re do të përfaqësojë dhe do të drejtojë Shoqatën me zell dhe përkushtim në 3 vitet në vijim.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u themelua në vitin 2001 nga dr. Gjekë Marinaj, i cili njëherit ishte dhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 president u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa për dy mandate radhazi u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu dhe Mëhill Velaj.
Zgjedhjet e reja reflektojnë respektin për rregulloren e statutit dhe vazhdimin e rotacionit, duke pasur parasysh dëshirat dhe vullnetin e çdo anëtari të saj. I urojmë kryesisë së re suksese në detyrat e tyre të reja dhe falënderojmë kryesine e mëparshme për kontributin e tyre të pamohueshëm në zhvillimin dhe përparimin e Shoqatës.
Me një akt të ndjeshëm dhe të përulur, ish-kryetari, Mëhill Velaj, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, falënderoi të gjithë anëtarët për kohën e shkëlqyer që kaloi si kryetar në dy mandate, duke premtuar se nuk do të ndalë vrullin e punës edhe në të ardhmen.
Gjatë këtyre zgjedhjeve u mor vendimi që çdo anëtar të paguajë një kuotë vjetore prej $100 për të kontribuar në hapjen dhe mirëmbajtjen e një faqeje elektronike, si dhe për të ndihmuar në botimet e reja letrare. Ky vendim tregon angazhimin për të përhapur letërsinë shqipe në Amerikë dhe të ndihmojë në rritjen e aktiviteteve në avancimin e qëllimeve të tyre kulturore në të ardhmen.
Një biografi e shkurtër për Yllka Filipi
Yllka FILIPI është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal dhe i guximshëm në letërsinë moderne shqiptare. U lind më 1976 në Fier, ku kaloi edhe fëmijërinë e hershme duke përjetuar e parë nga afër historitë e shumë të përndjekurve e të përsekutuara të regjimit diktatorial komunist degdisur rrethinave, disa prej të cilëve ishin edhe miq të familjes. Këto gjurmë të thella në kujtesën e shkrimtares së ardhshme, do të bëhen remineshencat më të forta në krijimtarinë e mëvonshme artistike të saj. Botimet e para datojnë në vitet e gjimnazit në gazetën kulturoro-artistike, Nesër, 1993. Ka shkruar e botuar që në moshë të re në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Më pas zhvendoset në Tiranë për të kryer Studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe1999. Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor 2008, pranë këtij Universiteti. Talenti, pasioni dhe puna e palodhur do të kurorëzohen me mbrojtjen e Doktoraturës në fushën e Letërsisë së Krahasuar, në Universitetin e Tiranës me vlerësim maksimal, 2012. Paralelisht ka punuar si lektore në Departamentin e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në Gjimnazet më të njohura të kryeqytetit Qemal Stafa dhe Ismail Qemali dhe prej 12-vjetësh rresht gëzoi respektin e kolegëve dhe mirënjohjen e të rinjve kryeqytetas. Më pas në nëntor të vitit 2011 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ende vazhdon suksesshëm pasionin për letërsinë me shkrime kritike, poezi, prozë dhe ese. Me në mendje dhe në zemër Shqipërinë, aktualisht jeton dhe punon në New Jersey me bashkëshortin e dy fëmijët dhe bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Dielli, Illyria si dhe revistën Kuvendi në Michigan. U.S.A. Është zgjedhur Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, 2024, Stamford, CT duke u bërë kështu një ambasadore e denjë në tempullin e artit të fjalës shqip në Amerikë.
Dr. Yllka FILIPI është autore e këtyre veprave:
*Trekëndëshi infernal universal, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, Albas, 2012
*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011
*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010
*Eternitas (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009
*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009
*Dante-Kadare, studim kritik, Albas, 2008
Ka fituar këto çmime letrare:
* Nëntor 2017, First International Poetic Price “Faic Konica”, Albanian-American Writers Association, New York
* Dhjetor 2016, First Price Writers Festival “Peter Prifti”, AAWA, New York
• Dhjetor 2012, Titullin e Lartë, Libri i mendimit kritik, për veprën Dante-Migjeni-Kadare, L.N.SH.P, Albania
• Qershor 2012 Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani
• Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtri, Kosovë
• Prill 2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.
Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si
* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,
* Korsi e hapur, 2012, në 14-gjuhë të botës.