Dragan Popoviq: Retorika e Vuçiqit për serbët në Kosovë shpie drejt konfliktit të brendshëm edhe në Serbi

Beograd, 21 prill 2023 – Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, intimidoi publikisht serbët që kanë vullnet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 23 prill, në katër komunat veriore të Kosovës.

Në përpjekjet e saj që të pengojë pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, udhëheqja e saj u bëri thirrje serbëve që t’i shohin “me përbuzje” bashkëkomësit e tyre që do të marrin pjesë në zgjedhje.

Mendje të kthjellëta në Serbi e konsiderojnë këtë thirrje si një skenar ogurzi për Serbinë. Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, ka deklaruar se kjo thirrje thellon kundështitë dhe përplasjet brenda serbëve duke i ndarë ata në “tradhtarë” dhe “patriotë”.

Ai ka theksuar se në të ardhmen pritet radikalizim dhe thellim i mëtejmë i konfliktit të brendshëm serb, për çka e ka quajtur përgjegjës Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në Kosovë, regjimi i Vuçiqit shkon edhe një hap më tutje se në Serbi, duke ua vënë zjarrin automjeteve të ‘tradhtarëve’ dhe duke arrestuar njerëzit në mënyrë jolegale. Kjo duhet të na shërbejë si paralajmërim se i njëjti skenar është i mundur edhe në Serbi në të ardhmen. Kur të bëhet normale një retorikë si kjo në Kosovë, do të pasojë një radikalizim dhe thellim i mëtejmë i konfliktit”, ka thënë ai për gazetën beogradase “Danas”.

Një kandidate e Partisë së Serbëve të Kosovës për zgjedhjet lokale ka hequr dorë nga kandidatura për shkak se bashkëshorti i saj ishte arrestuar nga policia serbe në kufi me Kosovën dhe ishte dërguar në Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës në Beograd, ku ishte marrë në pyetje disa orë.

Nga pjesëmarrja në zgjedhje ka hequr dorë edhe kandidati i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të komunës së Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq.

Javët e fundit, në komunat veriore të Kosovës janë djegur disa utomjete të serbëve që ishin riregjistruar me targa legale të Kosovës.

Këto akte demonstrojnë qartësisht përpjeket e Beogradit zyrtar që përmes kërcënimeve dhe shantazheve të pengojnë inkuadrimin e serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës.

(r.m.)