Tiranë, 10 maj 2021 – Në Shqipëri sot u shënua Dita kombëtare e Drejtësisë, ndërsa reforma e thellë, e nisur 5 vjet më parë, vijon e përballet me sfida. Pikërisht ecuria e kësaj reforme ishte në qendër të të gjitha fjalimeve në një ceremoni të organizuar në Tirabë me praninë e drejtuesve dhe përfaqësuesve të të gjitha institucioneve të drejtësisë.
Në përshëndetjen e saj, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se “tani është kohë të tregohet se Reforma në Drejtësi po jep rezultate, se institucionet e saj janë të përkushtuara ndaj Drejtësisë së vërtetë dhe shtetit ligjor, dhe jo interesave partiake apo individuale, se nuk ka vend për korrupsion apo aktorë të korruptuar në sistemin e drejtësisë dhe se drejtësia shqiptare mund të japë drejtësi të drejtë dhe të paanshme për popullin shqiptar”.
Dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani “nëse udhërrëfyes do të jenë Kushtetuta dhe jo politika, nëse do t’i rezistohet përpjekjeve të politikës apo interesave të tjera, që do të kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse do të ruhen të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të shenjta këto për cdo jurist, atëherë, i është bërë një shërbim shumë i madh demokracisë, i ështe bërë një shërbim shumë i madh vendit”, nënvizoi ai duke shtuar se “nga ana tjetër, është e nevojshme, që rëndësia e kësaj pavaresie, të pranohet së pari nga vetë gjyqtarët. Nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe, që i jep pavarësia e dhënies së drejtësisë zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë. Nëse vetë magjistratët nuk janë të bindur për rëndësinë që ka pavarësia e tyre për konsolidimin e një shoqërie të drejtë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë”.
Pas 5 vitesh që nga miratimi i Reformës në Drejtësi, të gjitha institucionet e reja, apo ato që u ringritën, kanë nisur të funksionojnë, ndonëse Gjykata Kushtetuese mbetet ende e paplotë, sikundër dhe Gjykata e Lartë e cila ka vetëm 7 nga 19 anëtarë që duhet të përbëjnë atë. Procesi i rivlerësimit, i cili ka lënë jashtë një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh, ndërsa ka pastruar radhët e sistemit, ka krijuar jo pak vështirësi në plotësimin e vendeve të mbetura bosh.
Për kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi “efektet anësore të procesit të Vetting-ut janë të konsiderueshme. Në fakt, rënia drastike e numrit të magjistratëve, në një periudhe kalimtare, shkon në drejtim të kundërt me qëllimin përfundimtar të reformës për një drejtësi më të mirë, më të drejtë e më të shpejtë. Por nga ana tjetër, ç’kuptim do të kishte reforma e thellë në nivelin e qeverisjes, të procedurave dhe të organizimit gjyqësor, nqs qelizat kancerogjene do të vijonin të gjallonin në organizmin e sistemit tonë të drejtësisë? A nuk do të ishte e kotë sakrifica? A nuk do të ishte i përkohshëm suksesi?”.
Që në konceptimin e saj, por dhe më pas, Reforma në Drejtësi ka patur dy sponsor të fuqishëm që në një farë mënyre kanë qenë dhe garant të mbrojtjes së saj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin europian. Ambasadorja Kim rikonfirmoi dhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara “përgjatë cdo hapi, ndërsa Drejtësia mund të bëhet një realitet në Shqipëri”, theksoi ajo.
Të njejtën mbështetje të pakursyer shprehu dhe përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, ndërsa theksoi rolin e jashtëzakonshëm, siç deklaroi ai, që institucionet e Drejtësisë kanë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
(Zëri i Amerikës)