Prishtinë, 12 tetor 2021 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha të martën se kishin informacion se serbët e mbledhur rreth pikave kufitare me Serbinë, në Jarinjë e në Bërnjak, kishin qëllim shkatërrimin e këtyre dy pikave kufitare me ekskavatorët që i kishin vendosur në rrugë si bllokadë.
Mehmeti, në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës, tha gjithashtu se policia kishte edhe informacion se kishte plane që të shkatërrohej edhe konstruksioni i kontejnerëve ku ishte vendosur Njësia Speciale të Policisë së Kosovës.
“Mëngjesin e datës 20 (shtator), kemi pranuar informacione të detajuara nga agjencione të sigurisë që operojnë në Republikën e Kosovës lidhur me kohën, vendin, mjetet dhe urdhrin për t’i bllokuar rrugët. Gjithashtu, kishim informacione të konfirmuara se më datë 19 shtator, në mbrëmje, individë të njohur për policinë, me background criminal e me influencë politike, kanë mbajtur takim me të gjitha strukturat ilegale dhe kanë dhënë urdhër për mobilizimin e qytetarëve dhe kishin kërkuar që të shkonin masivisht drejt pikave kufitare dhe t’i bllokonin rrugët, me qëllim që të pamundësohej zbatimi i vendimit të Qeverisë (për reciprocitetin për target e automjeteve) dhe lëvizja e policisë”, tha Mehmeti.
Ai tha se serbët e mbledhur në afërsi të vendkalimeve kufitare, të koordinuar nga strukturat paralele dhe nga njerëz me të kaluar kriminale, të njohur për policinë, planifikonin t’i përdornin ekskavatorët e vendosur në rrugë, për t’i rrënuar objektet në vendkalimet kufitare si edhe kontejnerët e vendosur për njësinë speciale të Policisë së Kosovës.
“Këto informacione konfirmohen si të sakta diku rreth orës 7 të datës 20 shtator, kur qytetarë të ndryshëm, me kamionë dhe me mjete të ndryshme transportuese, fillojnë t’i bllokojnë rrugët. Aty bie në sy sidomos prezenca e ekskavatorëve, të cilët, sipas informacioneve të mbledhura nga terreni, kanë qenë aty me qëllim që të shkatërrohen pikat kufitare, me theks të posaçëm, konstruksioni me kontejnerë i vendosur për Policinë Speciale”, deklaroi Mehmeti.
Drejtori i Policisë tha se serbët ishin të detyruar të qëndronin në barrikada kundër dëshirës së tyre dhe se shumica e kamionëve dhe mjeteve të rënda të vendosura në rrugë janë pronë e ndërmarrjeve publike.
“Zakonisht, ndërrimet i kanë bërë çdo 6 orë. Është vërejtur mungesa e dëshirës së qytetarëve për t’iu bashkangjitur protestës. Shpeshherë janë përdorur punëtorët e organizatave publike. Sa për informacion, edhe automjetet që janë përdorur, shumica prej tyre janë të ndërmarrjeve publike”, tha Mehmeti.
(r.m.)