Drejtuesit e Listës Serbe shkojnë bashkërisht në vendvotime

Prishtinë, 17 tetor 2021 – Drejtues të Listës Serbe janë parë duke shkuar bashkërisht për të votuar për kryetar dhe për anëtarë të asambesë komunale të Mitrovicës së Veriut.

Në grupin e drejtuesve të këtij subjekti politik janë parë edhe punonjës të strukturave paralele që financohen nga Serbia, si në sektorin e arsimit, shëndetësisë, administrates e të tjerë.

Votimi i organizuar i drejtuesve të Listës Serbe në Mitrovicën Veriore është bërë praktikë e zakonshme në zgjedhjet e Kosovës. Kjo mënyrë e votimit shihet jo vetëm si simbolikë e unitetit të serbëve rreth këtij subjekti politik, por edhe si formë e presionit ndaj votuesve.

Lista Serbe është partia e vetme serbe e Kosovës që mbështetet dhe kontrollohet nga Beogradi. Të gjitha vendimet e këtij subjekti politik merren në Beograd. 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lista Serbe pati fituar në 10 komunat ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë.

Subjektet tjera serbe janë ankuar vazhdimisht se mbështetësit e tyre u janë nënshtruar formave të ndryshme të presionit e shantazhit. 

Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë ata të OSBE-ODIHR-it, kanë konstatuar se Lista Serbe ka ushtruar forma të ndryshme presionesh ndaj subjekteve tjera politike dhe ndaj votuesve të tyre.

(r.m.)