Ramadan Muçolli
Drita Pereziqi është një vajzë që e ka nderuar veten e vet, familjen e saj, shqiptarët kudo që jetojnë dhe Shetin e saj, Amerikën.
Kjo vajzë shqiptaro-amerikane, e butë por e vendosur, e brishtë por e pathyeshme, ka hyrë pothuaj rastësisht në jetën ushtarake amerikane. Ajo u është bashkuar ushtarakëve amerikanë nga dëshira që t’u ndihmojë njerëzve dhe vendit të origjinës dhe nga devotshmëria për Shtetin e saj, Amerikën. Kjo ka ndodhur në vitin 1999, në kohën e përgatitjeve të ushtarëve amerikanë për misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR. Që atëherë ka mbajtur pozita të rëndësishme në Zyrën e Komandantit dhe në Shtabin Komandues të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes dhe në Komandën e Përbashkët të Forcave Amerikane në Ballkan.
Dhjetë vjet më vonë, pas pjekurisë profesionale në fushën e sigurisë, ka marrë përsipër udhëheqjen e Programit Trajnues të Departamentit të Drejtësisë për Hetimin e Krimeve Ndërkombëtare (ICITAP), i cili mbështet ngritjen profesionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës.
Drita, vajza që fliste me krenari për origjinën, gjuhën e kulturën shqiptare
Drita Pereziqi ka pasur një jetë pakashumë të ngjashme me vajzat e djemtë shqiptaro-amerikanë që janë lindur ose janë rritur, shkolluar e ngritur profesionalisht në “vendin e mundësivë të mëdha”, në Amerikë.
Familja e saj kishte ardhur në Amerikë nga krahina e Krajës, në Mal të Zi, në vitin 1971, kur sapo kishte filluar migrimi i shqiptarëve të Malit të Zi përtej Atlantikut.
Babai i saj, Haxhia, ishte nga Matgushi,një fshat tashmë plotësisht i braktisur, ku kanë mbetur vetëm gurët apo muret e përgjysmuara të kullave dhe të shtëpive të gurta.
Muret e shtëpisë së familjes Pereziqi, në fshatin Matgush, në krahinen e Krajës
Nëna, Fatima, ishte nga fshati Gështenjë i po kësaj krahine, i cili po rrallohet e tkurret përditë e më shumë.
Prindërit e saj, bashkë me vajzën e madhe, Hasijen, pesë vjeçare, dhe djalin Enverin, tre vjeçar, e kishin marrë në sy rrugën e Amerikës së largët, vendit të shpresave të mëdha, në kërkim të një jete më të mirë për familjen. Nëna Fatima, e cila ishte shtatzanë, e kishte shoqëruar bashkëshortin e saj të guximshëm e ambicioz, i cili nuk po e duronte më jetën e vështirë dhe varfërinë në krahinën e varfër malore të Krajës.
Rrugës për në Amerikë familja katër anëtarëshe ishte strehuar në Itali. Aty ka lindur Drita…
Me të arritur në Amerikë, në vitin 1971, familja e Haxhi e Fatima Pereziqit ishte vendosur në Manhattan, Nju Jork.
Në Atdheun e tyre të ri, dy malësorët e vyeshëm kanë punuar shumë, ditë e natë. Të dy kanë bërë edhe punë të rënda, për të siguruar mirëqenie për familjen dhe për t’i arsimuar katër fëmijët e tyre: Hasijen, Enverin, Dritën dhe Imerin, i cili u ka lindur në Amerikë.
Familja Pereziqi: babai Haxhiu, nëna Fatima, vajzat Hasija e Drita dhe djemtë Enveri e Imeri
Për fat të mirë, atyre u është shpërblyer puna e mundi. Që të katër fëmijët e tyre kanë mbaruar studime të larta dhe kanë bërë karrierë në profesionet e tyre, duke i bërë prindërit e tyre të ndjehen krenarë.. .
Drita, vajza e emigrantëve shqiptarë që ngadalë po zinin vend në vendin e lirive dhe të shanseve, e kishte ndjerë veten krenare për origjinën e saj qysh kur ishte e vogël. Ajo kishte rrëfyer me shumëkaqësi për origjinën e saj, sa herë që shokët e shoqet e shkollës e kishin pyetur çfarë kuptimi ka emri i saj, Drita.
“Të gjithë bëheshin kureshtarë, sapo ua thosha emrin. Më pyesnin: ’Çfarë emrin është ky?’, ‘Ç’do të thotë Drita?’. Kështu më jepej rasti të flisja për veten time, për prejardhjen time dhe për gjuhën e prindërve të mi..”, tregon sot Drita.
“Kjo më bënte të ndjehesha mirë. E kuptoja se në rrethin tim shkollor unë isha disi e ndryshme, disi më e veçantë prej të tjerëve. Kisha diçka që më bënte pak të ndryshme… Më vonë, mësova diçka edhe për historinë e shqiptarëve, sepse duhet të shpjegoja, në qoftë se më kërkohej”, kujton ajo.
Kthesa e papritur jetësore e Dritës
Drita, kjo vajzë e butë por e vendosur, e cila i ka bërë krenarë jo vetëm prindërit, motrën, vëllezërit e farefisin, por gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë, ishte nisur në rrugën e arteve të bukura. Në vitin 1996 i kishte mbaruar artet figurative, degën e pikturës dhe grafikës, në City University of New York City College.
Ajo i donte shumë artet, sidomos pikturën, por ishte e vetëdijshme se rruga e artistit është e gjatë dhe me shumë të panjohura. Prandaj e kishte parë të nevojshme të bëhej më praktike, kështu që i kishte filluar edhe studimet për ekonomi, në drejtimin e tregtisë së jashtme, në State University of New York. Me t’i mbaruar ato, më 1998, e filloi punën në SolomonsmitMbarney-city Group, në Departamentin e Thesarit, ku qarkullojnë miliarda dollarë brenda ditës.
Por, jeta e Dritës mori kahje krejtësisht tjetër, pothuaj krejt papritur, në pranverë të vitit 1999.
Drita Pereziqi, pjesëtare e Forcave të Armatosura të SHBA
Në muajin maj, në kohën e fushatës ajrore të NATO-s ndaj objektivave të ushtrisë dhe policisë serbe, Departamenti Amerikan i Mbrotjes kishte shpallur konkurs për përkthyes të gjuhës shqipe. Në konkurs kërkohej që kandidatët të kishin njohuri edhe për historinë, kulturën, traditën, doket dhe zakonet e shqiptarëve, gjë që do t’u hynte në punë ushtarëve amerikanë që po përgatiteshin për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Drita ishte në mesin e pak kandidatëve që i plotësonin kriteret e kërkuara me konkurs, përfshirë edhe kredencialet për të punuar për ushtrinë amerikane.
Drita Pereziqi, në kampin stërvitor të Forcave të Armatosura të SHBA
Tashti, 20 vjet më vonë, Drita kujton se asokohe as nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do të bënte karrierë në ushtrinë amerikane. Ajo tregon se këtë, përveç si punë, e kishte konsideruar edhe si një obligim qytetar e patriotik ndaj vendit të origjinësa së saj dhe ndaj shtetit amerikan.
“E kisha njëfarë ndjesie se unë mund të bëja diçka për bashkëkombësit e mi, shqiptarët, dhe për shtetin tim, Amerikë. Kisha edhe besim se edhe unë mund të bëja diçka”, thotë ajo.
Familjarët, sidomos prindërit, e kishin pranuar me shqetësim lajmin se Drita do t’i bashkohej kontigjentit të ushtarëve amerikanë që do të shkonin në Kosovë, për të siguruar paqen që po pritej të vendosej nga Aleanca Veriatlantike. Në të vërtetë, të gjithë ishin krenarë për vendimin e Dritës, por kishin frikë për sigurinë e saj. Ata, veçanërisht prindërit, e shtypnin me zor frikën se e bija e tyre po shkonte në një vatër lufte, sepse në lufta ka rreziqe të mëdha.
E vetmja që e kishte pritur krahëhapur vendimin e Dritës ishte gjyshja e saj, Fatimja. Ajo e kishte shprehur hapur krenarinë se e mbesa e saj do të shkonte për t’u ofruar ndihmë bashkëkombësve të vet në Kosovë, kundër të cilëve ishte vërsulur egërisht makineria militare e Serbisë së “Kasapit të Ballkanit”, Slobodan Milosheviq.
Gjyshja Fatime kishte shumë besim se Drita do të dilte faqebardhë në një mision kaq fisnik.
“Shko, bijë! Shko na e zbardh faqen! Ti je trimëreshë. Ti duhet të kishe lindur djalë”, i kishte thënë Dritës.
Gjyshja Fatime kishte bartur me vete në Amerikë shumë histori e kujtime të trishta nga Luftërat Ballkanike dhe nga vështirësitë e vuajtjet e shqiptarëve të diskriminuar, të shtypur e të përndjekur nga regjimi komunist i Beogradit. Ndonjëherë ajo edhe nuk përmbahej dhe e shprehte hapur mllefin që ishte mbjellur qysh heret, që në fëmijërinë dhe në rininë esaj.
“Shko dhe tregoju atyre kush janë shqiptarët!”, kishte shfryrë ajo.
Drita nuk kishte pasur shumë kohë ta gjykonte vendimin e saj që të bëhej pjesë e ushtrisë. Menjëherë ishte ftuar ta ndiqte një program stërvitor teknik e taktik për operacione ushtarake, të cilat në gjuhën profesionale ushtarake quhen “operacione të forta”. Por, pas vetëm pak ditësh e kishin marrë urdhrin t’i ndërprisnin stërvitjet dhe të niseshin në mision.
Drita Pereziqi, në ditë e para të shërbimit në ushtrine amerikane
Në atë dinamikë të jetës ushtarake së cilës i ishte bashkuar me zemër dhe jo me kokë, Drita nuk kishte pasur kohë as të mendonte se si do ta përballonte atë mision aq fisnik, por aq të vështirë e të rrezikshëm.
Nga ato orë e çaste që sot i përftojnë në kujtesë si nëpër mjegull, i është ngulitur në kujtesë çasti i i përcjelljes nga familja, sidomos çasti i daljes nga shtëpia. Gjyshja i kishte uruar rrugë dhe fat të mbarë në një mënyrë të paharrueshme, me një rit të vjetër shqiptar të përcjelljes së luftëtarëve që niseshin në luftëra.
“Gjyshja ime kishte vendosur ënë në derës së hyrjes së shtëpisë një thikë (në vend të një shpate), kurse në xhepin e xhaketës më kishte futur një grusht thërmia buke. Para se të dilja më udhëzoi që në çastin që do ta kaloja pragun e shtëpisë, duhet ta vija këmbën e djathtë mbi shpatë (thikë) dhe të largohesha me nxitin, pa e kthyer kokën prapa, në mënyrë që të mos ligështohesha duke i parë të afërmit të mërzitur. Sipas shpjegimit të gjyshes sime, ligështimi ishte ogur i keq për luftëtarin, sepse mund të mbetej në betejë”, kujton sot Drita.