Podgoricë, 3 mars 2022 – Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, mori të enjten mandatin për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, gati një muaj pas rrëzimit të qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, ku ai shërbente si zv/kryeministër.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se “përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA dhe partnerët e tij politikë më kanë bindur pa mëdyshje se e kanë shumicën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së 43-të në parlament dhe se për këtë arsye kam marrë vendim që mandatin për formimin e qeverisë t’ia besojë Abazoviqit”.
Presidenti Gjukanoviq po ashtu tha se partitë tjera parlamentare nuk kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këshillimet rreth mandatarit.
“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur të formohet qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politikës së krijuar nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që në parlamentin malazez. së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e qeverisë, me propozim të kryeministrit”, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviq.
Parlamenti i Malit të Zi, votoi më 4 shkurt për rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020. 43 deputetë votuan në favor të mocionit të mosbesimit dhe 11 kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan në parlamentin me 81 anëtarë.
Po në shkurt, parlamenti i Malit të Zi, me kërkesë të opozitës, e shkarkoi kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiq.
Ndryshimet pasuan krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë si edhe brenda vetë qeverisë.
Në janar të këtij viti, Lëvizja Qytetare “URA” propozoi modelin e një “qeverisjeje të pakicës”.
Sipas kreut të Lëvizjes Qytetare URA, i cili njëkohësisht ishte zëvendës-kryeministër, Dritan Abazoviq, në qeverinë e re nuk do të kishte vend për Frontin Demokratik që cilësohet si parti pro-serbe dhe pro-ruse, por as për Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Gjukanoviq, e cila ishte në pushtet në Malin e Zi më shumë se 3 dekada.
“Koncepti ynë është i qartë – ne duam një qeveri të pakicës, të gjithë mund ta mbështesin atë, por nuk jam i sigurt nëse do të hyjnë”, theksoi zoti Abazoviq.
Forcat politike të pakicave e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje do të jetë e nevojshme në të ardhmen për zbatimin e reformave dhe përparimin drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)