Tiranë, 31 korrik 2023 – Dritan Goxhaj, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), me seli në Hagë.
Goxhaj është arrestuar në Tiranë, nga policia shqiptare.
Specialja ka njoftuar se Goxhaj është arrestuar në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet shqiptare arrestuan Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në KSK, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjyqtar i DHSK-së në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DHSK në Hagë”, ka thënë Anglea Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Dritan Gogjaj është djali i ish-zëvendës.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kolonelit Dilaver Goxhaj.
Ai ishte autorizuar nga Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
(r.m.)