“Baroni i drogës”, Dritan Rexhepi ekstradohet nga Turqia në Shqipëri

Tiranë, 8 janar 2025 – Ekstradohet nga Turqia në Shqipëri 45-vjeçari Dritan Rexhepi, i njohur si drejtuesi i kartelit të parë shqiptar të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Rexhepi akuzohet gjithashtu se urdhëroi rrëmbimin e Jan Prengës për shkak të një mosmarrëveshje me vëllanë e viktimës në trafikun e narkotikëve e një vrasje tjetër në 99-ën.

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën më 8 janar ekstradimin nga Turqia drejt Shqipërisë të Dritan Rexhepit, 45 vjeç, i akuzuar dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për urdhërimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës në janar të vitit 2020 për shkak të një mosmarrëveshjeje në trafikun e narkotikëve; për një vrasje në Krujë të ndodhur në 1999-ën; për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për falsifikim.

Në nëntor 2020, SPAK sqaroi se nga hetimi kishte rezultuar se të pandehurit Dritan alias Gromos Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jani Prenga me banim në Kamëz. Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga vëllai i viktimës, kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Si bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës akuzohen dhe Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe Altin Hajri, ky i fundit pronari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak.

Dritan Rexhepi akuzohet po ashtu si drejtues i kartelit të parë shqiptar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, e njohur si “Kompania Bello”. Rexhepi i shpëtoi në shtator të vitit 2020 arrestimit gjatë operacionit të koduar “Los Blancos”, por u ndalua në Turqi në nëntor të 2023-it.

Në njoftimin e policisë sqarohet se Rexhepi është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda me 25 vjet burgim për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri në tetor të vitit 1999, ku dhe I lënduari ka ndërruar jetë më vonë. Në vitin 2010 ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e për trafikim të lëndëve narkotike. Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi në Firence të Italisë. Po ashtu, Rexhepi është dënuar në 2015-ën nga Gjykata e Fierit për falsifikim.

(Reporter.al)

Comment

*