Londër, 12 maj 2021 – Artistja shqiptare Dua Lipa është shpallur fituese e dy çmimeve “Brit Awards”.
Ajo e ka fituar çmimin e artistes më të mirë dhe çmimin për albumin më të mirë në Britani, për projektin “Future Nostalgia”.
Dua Lipa ka fituar dy nga tri kategoritë në të cilat ishte nominuar.
Në ceremominë e ndarjes së çmimeve, këngëtarja e lindur në Prishtinë, ka bërë thirrje për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar
“Është shumë mirë që të duartrokasim për stafin shëndetësor, mirëpo neve na duhet t’i paguajmë ata”, ka thënë ajo, duke bërë të ditur se njërin prej çmimeve ia dedikon infermieres pioniere në Britani, Dame Elizabeth Anionwu.
Çmimin për grupin më të mirë britanik e kafituar “Little Mix”. Ky është grupi i parë muzikor me të gjitha anëtaret gra që e fiton këtë çmim.
Në mesin e fituesve të mëdhenj kanë qenë edhe J Hus, Harry Styles dhe Taylor Swift.
Ceremoni e ndarjes së çmimeve “Brit Awards” është mbajtur në sallën O2 Arena të Londrës, me pjesëmarrjen e 4.000 personave, pa distancë fizike dhe pa maska.
Kjo është ceremonia e parë që mbahet në Britani me prezencë fizike, qysh prej shpërthimit të pandemisë së koronaviirusit.
(r.m.)