Dubravka Stojanoviq: Ne e kemi humbur Kosovën, jam kundër formimit të Asociacionit

Beograd, 5 maj 2023 – Historiania e njohur serbe, Dubravka Stojanoviq, ka thënë se Serbia e ka humbur Kosovën, prandaj arritja e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve është e pashmangshme.

“Ne e kemi humbur Kosovën në luftën me fuqinë më të madhe të botës, prandaj marrëveshja me Prishtinën është e pashmangshme”, ka thënë ajo, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Fonet.

“Unë e mbështes çdo marrëveshje që nuk është në dëm të askujt, ndonëse nuk e dimë as çfarë thuhet në të”, ka theksuar Stojanoviq.

“Gjendja e konfliktit të ngrirë është katastrofike, para së gjithash për vetë Serbinë, e cila është në këtë gjendje që nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ndërsa bota po ecën përpara, duke përfshirë edhe vetë Kosovën”, ka shtuar ajo.

Stojanoviq ka thënë se Serbia, me veprimet e saj, po izolohet nga bota, ndërsa vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të votojnë për anëtarësimin e saj në këtë organizatë pavarësisht se çfarë thotë Serbia.

Ajo ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë se e ka humbur Kosovën dhe se duhet të përcaktohet qartë për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Duke u përgjigjur në pyetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Stojanoviq ka thënë se ajo ka qenë gjithmonë kundërshtare e madhe e një organizimi të tillë, qysh prej shpalljes së të Republikës së Krajinës Serbe në Kroaci, dhe ka theksuar se ajo është avokate e shtetit qytetar dhe jo shtetit etnik.

“Këtë (Asociacionin) e përceptoj si ndarje territoriale”, ka thënë ajo dhe ka kujtuar se shumica e serbëve në Kosovë nuk jetojnë në pjesën veriore dhe, në rast të formimit të Asociacionit, nuk do t’i kishin të njëjtat të drejta.

Duke e komentuar idenë që në Serbi të shpallet referendum për marrëveshjen me Kosovën, Stojanoviq ka thënë se ajo nuk ka besuar kurrë në këtë ide, sepse, siç është shprehur, “të gjitha referendumet në Serbi kanë qenë të manipuluara, sidomos me këtë regjim”.

Historiania Stojanoviq ka thënë se pusheti akual në Serbi “dëshiron të mbajë konflikte të hapura”, prandaj gjithmonë ekziston rreziku i shpërthimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi.

“Kosova është një mësim i rëndësishëm”, ka thënë historiania e njohur serbe.

(r.m.)