Durrësi mesjetar si bashkësi qytetare

Burimet dokumentare hedhim dritë mbi Këshillin Qytetar dhe zhvillimin e organizimit administrativ të Durrësit gjatë periudhës mesjetare.

 

Nga Eduard Shehi

Studimet mbi periudhën mesjetare në Shqipëri kanë cekur një sërë aspektesh, por kanë lënë paksa në hije problematikat e lidhura me strukturat administrative të kontrollit të territorit apo të njësive qeverisëse. Kjo mangësi vihet re edhe në historinë mesjetare të Durrësit, pavarësisht se bëhet fjalë për qendrën kryesore urbane të Shqipërisë mesjetare. Studiuesit janë shprehur se qytetet e Shqipërisë mesjetare nuk kanë arritur nivelin e zhvillimit të brendshëm për të krijuar modele komunash qytetare si qytetet e bregdetit Dalmat. Ndërkohë që analiza të kujdesshme të burimeve dokumentare të publikuara ndër vite na shfaqin një imazh të kundërt. Megjithëse të dhënat arkivore janë ende të pakta, kemi mjaftueshëm informacion për të ravijëzuar një imazh të parë mbi rastin e Bashkësisë Qytetare të Durrësit, siç kemi pasur rastin të botojmë më herët.[1] Këtu po paraqesim një përmbledhje sintetike, me qëllim njohjen më të gjerë për publikun, përtej profesionistëve të fushës.

Të dhënat që disponojmë mbi funksionimin e Bashkësisë Qytetare të Durrësit mbeten ende pak të qarta. Informacionet janë fragmentare dhe i përkasin periudhave të ndryshme kronologjike. Nuk kemi ende mundësinë për të ndjekur pa shkëputje evoluimin e administrimit lokal nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Nisur nga disa elementë të transmetuar tek dokumentet arkivorë, mendojmë se kemi krijuar një imazh fillestar të formës së organizimit administrativ lokal për shekujt e mesjetës. Vëmendja jonë është përqëndruar në periudhat kohore kur qyteti ka qenë autonom ose i pavarur nga fuqi të tjera sovrane.

Në territorin e Perandorisë Bizantine njihen raste të rralla të funksionimit të Këshillave Qytetare. Rasti më i famshëm, i pranuar gjerësisht ndër historianë, është ai i qytetit Kerson (Gadishulli Krimesë, Ukrainë). Durrësi, me shumë mundësi në formë të ngjashme me të, ka pasur një model këshilli të domiuar nga “protuontes”. Ky pozicion shërbente paralelisht me përfaqësuesin (apo përfaqësuesit) e pushtetit perandorak, që mbante titullin arkont, më pas strateg, shoqëruar nga funksionarë të tjerë të Themës së Durrësit, duke filluar nga shek. IX. Arsyeja kryesore e lindjes dhe funksionimit të këtyre modeleve duhen parë të lidhur me faktin se të dy territoret (Kerson dhe Durrës), gjendeshin në periferinë e perandorisë, për shumë kohë të izoluar dhe pa lidhje tokësore me kryeqytetin. Pikërisht për këto arsye, nëpërmjet iniciativave lokale, apo nëpërmjet orientimeve qendrore, duhet të kenë lindur format e qeverisjes bashkiake autonome.

Në literaturën e fushës hasim disa modele qeverisjes lokale nën Perandorinë Bizantine, me tipare të ndryshme mes tyre.  Që nga fundi i shek. VIII dokumentohet në disa qytete prania e trupave ushtarake “numeri”, si një mjet vetidentifikimi për elitat e qyteteve. Një nga këto raste është ai i Ravenës, popullsia e të cilës ishte e ndarë në 12 njësi të lidhura me grupimet e “numeri”. Të tillë elementë të një elite lokale, që rimer titujt e hershëm ushtarakë për t’u vetëidentifikuar, hasen edhe në Durrës. Në burimet dokumentare njihet përmendja e një titulli femëror “komitissa”, gruaja e një dinjitari lokal që mbante titullin “comès” (kont).

Këto të dhëna, megjithëse ende të pakta, na tregojnë mundësinë e funksionimit të një modeli qeverisjeje autonome lokale me origjinë të mundshme që nga fundi i antikitetit të vonë, kur thyerja e kufijve perandorakë çoi në shkëputje territoriale. Deri më sot njohim vetëm këto dy tituj të elitave lokale në Durrës, si tregues të një modeli qeverisës. Ende nuk njohim sistemin apo modelin organizativ që duhej të funksiononte paralelisht me njësinë qendrore perandorake, Thema e Durrësit.

Këto janë të dhënat e pakta të mbledhura deri në fundin e shek. XII, të lidhura me format qeverisëse lokale nëpërmjet elitave të qytetit. Me Kryqëzatën e Katërt (1202-1204) dhe rënien e Perandorisë Bizantine (1204), qyteti ka pësuar ndryshime shumë të mëdha. Me krijimin e Dukatit vendikas të Durrësit (1205) njihet krijimi i një sistemi qeverisjeje lokale nëpërmjet një Këshillli Qytetar. Ky këshill ishte i bazuar në ndarjen e territorit të qytetit në disa zona, të njohura si dekarki. Secila prej dekarkive përfshinte afërsisht 800-1000 banorë. Çdo dekarki kishte të drejtë të përzgjidhte dy përfaqësues, të cilët në burimet dokumentare përmendem si “boni homines”. Këto përfaqësues krijonin Këshillin Qytetar, si njësia bazë legjislative, përfaqësuese e popullatës.

Në disa nga dokumentet e njohura gjejmë përmendje të përfaqësuesve në një Këshill të të Dymbëdhjetëve, si element vetqeverisjeje të popullsisë, por në periudha të vona kohore të lidhura me administrimin venedikas (vitet 1401 dhe 1500). Mbetet e paqartë ende nëse ky numër të përzgjedhurish ishte një model i qartë përfaqësimi në qeverisjen lokale, apo ishte thjesht tregues i nivelit të popullsisë në periudhën para kalimit nën administrimin venedikas (reflektuar në numrin e përfaqësuesve). Rikujtojmë këtu rastin e Ravenës, ku popullsia ishte e ndarë në 12 seksione në periudha më të hershme kohore. Në rastin e Durrësit nuk mund të themi ende me qartësi nëse ekzistenca e Këshillit të të Dymbëdhjetëve duhet shtyrë po aq shumë pas në kohë, në momentin e kalimit nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme. Më shumë e mundshme do të ishte luhatja e numrit të përfaqësuese në Këshillin Qytetar sipas zgjerimit dhe tkurrjes së banorëve të qytetit. Me njohuritë e derimëtanishme mund ta konsiderojmë konceptin e Këshillit të të Dymbëdhjetëve të fosilizuar ndër vite, një gjurmë e përbërjes së Këshillit Qytetar në periudhën më të afërt me kalimin e Durrësit nën kontrollin venedikas. Një gjë e tillë do të  gjente shpjegim me rujatjen në kujtesën kolektive të Këshillit të të Dymbëdhjetëve dhe rimarjen e idesë së tyre si përfaqësues të banorëve edhe kur funksiononte modeli tërësisht i ndryshëm qeverisës venedikas në Durrës, me emërime vetëm të qytetarëve venedikas nga Senati. Duhet të ketë qenë presioni qytetar, i cili ruante traditat e vjetra vetqeverisëse në kujtesë, që ka shtyrë Venedikun të pranonte rrolin jo politik të këtij këshilli në mbarëvajtjen e çështjeve të qytetit nëpërmjet 12 boni homines. Kur qyteti si njësi e pavarur qeverisëse kishte më shumë banorë, këshilli në fjalë duhej të ishte më i shumtë në numër. Në këtë rast, Këshilli i të Dymbëdhjetëve do të nënkuptonte dy përfaqësues për 6 dekarkitë e Durrësit.

Deri më sot kemi arritur të identifikojmë dy dokumente noteriale të viteve 1246 dhe 1338, ku përmenden njësitë administrative dekarki të Durrësit. Në vitin 1246 Durrësi ishte nën kontrollin e Despotatit të Epirit. Ndërsa në vitin 1338 ishte nën administrimin anzhuin. Në të dyja rastet, megjithëse nën kontrollin e fuqive të ndryshme sovrane, kemi  akte shitjeje pronash të shkuara nga noterët e qytetit. Identifikimi i pronave jepej nëpërmjet referencës së dekarkive përkatëse dhe nëpërmjet tyre bëhej regjistrimi në aktet noteriale, si dëshmi e qartë e legjitimitetit dhe funksionimit ligjor të këtij modeli mes viteve 1246 – 1338. Në zyrën e administratës së qytetit ku ruheshin dokumentet e lidhura me pronat e paluajtshme, një model kadastre mesjetare, duhej të kishte një kategorizim të pronave në bazë të dekarkisë ku ato gjendeshin. Më pas, brenda secilës dekarki kalohej në ndarjet e tjera zonale, për të cilat nuk është ende e qartë se si funksiononin. Deri më sot njihen emrat e vetëm dy dekarkive, ajo e Portës së Kalorësit, dhe ajo e Portës së Detit, të dy hyrjeve kryesore të fortifikimeve mesjetare në qytet.

Ky model na shfaqet shumë i ngjashëm me disa qytete të Italisë Jugore. Për këto arsye, dhe duke parë rrjedhën historike të qytetit që nga fillimi i shek. XIII jemi shprehur se ai ka filluar të funksionojë para vitit 1246. Me shumë mundësi ky model është aplikuar në qytet, ose është përshtatur nga modele ekzistuese më të hershme me krijimin e Dukatit venedikas të Durrësit. Bazë për një vlerësim të tillë është përdorimi i modelit dekarkik të qeverisjas lokale edhe në territore të tjera të marra nga Venediku pas Kryqëzatës së Katërt, si p.sh. në Korfuz. Vendosja e sistemit dekarkik, ose ndryshimi i modelit më të hershëm të qeverisjes lokale, mund të ketë qenë një rrugë e ndjekur nga ana e Venedikut për të arritur synimet e veta, duke mos u përballur me rezistencën lokale. Në këtë formë do të arrihej nga njëra anë zyrtarizimi i pozicionit të elitës durrsake në zbatim të ndonjë marrëveshjeje të mundshme, dhe nga ana tjetër, krijimi i mundësisë për të futur në administrimin vendor besnikët venedikas. Ndërkohë vazhdimi i përdorimit të modelit dekarkik të ndarjes territoriale tregon se e ka tejkaluar jetëgjatësinë e Dukatit venedikas të Durrësit. Ky fakt duhet marrë si një dëshmi e vendosjes së modelit të administrimit urban me boni homines, ku bënin pjesë elitat vendore. Kanë qenë fisnikët vendës që e kanë pëlqyer modelin e administrimit në bazë të dekarkisë – Këshillit Qytetar (me shumë mundësi si vazhdim i një modeli më të hershëm paravenedikas) dhe e kanë mbajtur në jetë për një kohë të gjatë pikërisht sepse u interesonte.

Sipas këtij modeli, pushteti ekzekutiv përfaqësohej nga figura e Rektorit (Rectori dyrachij), me përmendjen më të herët në 1324. Me shumë mundësi në këtë vit Durrësi bënte një jetë autonome nën varësine juridike anzhuine. Në të kundërt do të ishte përmendur në dokumente drejtuesi ushtarak anzhuin siç ndodh rëndom.

Fatkeqësisht në dokumentet arkivore roli i kësaj figure përmendet rrallë. Për rrjedhojë nuk kemi shumë të dhëna mbi autoritetin që ushtronte. Për aq sa mund të kuptohet, ai ishte personi i zgjedhur nga Këshilli Qytetar, që drejtonte jetën e përditshme të qytetit dhe kishte nën varësinë e tij pozicione administrative civile si edhe drejtuesit ushtarakë. Një fakt me interes që lidhet me kujtesën kolektive të këtij pozicioni, duhet të jetë edhe emërtimi i dy drejtuesve të parë venedikas në Durrës me titullin Rektor në vitin 1392, menjëherë sapo Republika e Shën Markut mer kontrollin e qytetit pas vdekjes së Gjergj Topisë. Me shumë mundësi këtu duhet parë një veprim simbolik, që synonte të përçonte mesazhin e një drejtimi më popullor ndaj qytetarëve përkundrejt qeverisjes me dorë të hekurt nga ana e feudalit shqiptar. Vetëm më pas kalohet në modelin qeverisës me bajl-kapiten nga Venediku, që ka zgjatur deri në pushtimin osman.

Magjistratët civilë që njohim janë ende të pakët. Mund të përmendim një pozicion që kishte si detyrë arrestimin dhe ndëshkimin e kriminelëve, apo edhe dy “magistri iuratis” të votuar nga populli.

Drejtuesi kryesor ushtarak i qytetit mbante titullin Kapiten. Ai duhej të ishte drejtuesi i përgjithshëm i forcave të armatosura, të tokës dhe detit. Flota ushtarake detare ishte nën drejtimin e një admirali. Titulli i tij njihet si Prothontino, që duket se është përshtatur nga periudha kur qyteti ishte nën konrollin anzhuin. Titulli i komandantit të forcave tokësore nuk është hasur ende në burimet dokumentare. Të tjerë pozicione ushtarake duket se kanë qenë Castellano (si komandanti i kështjellës) dhe Comestabili (me shumë mundësi komandantët e portave kryesore të qytetit).

Forma e funksionimit të forcave ushtarake mbetet ende për t’u njohur. Nuk dimë numrin e saktë të forcave ushtarake dhe modelin e regjistrimit në të. Nuk dimë as rolin që kishte popullsia civile në strukturën ushtarake në raste sulmesh ndaj qytetit. Me siguri duhet parë një model i ngjashëm me qytetet e tjera adriatikase.

Në të paktën një rast, në një dokument me natyrë civile të vitit 1371, Kapiteni cilësohet në dokumente si “dominus” i qytetit. Ndoshta kemi këtu rastin e një qeverisjeje të dyfishtë civilo-ushtarake nën kontrollin e një personazhi ushtarak, meqenëse nuk përmendet Rektori në një çështje civile. Ky dokument mund të nënkuptojë kalimin e qytetit nën administrim ushtarak, por nuk dimë ende të themi nëse në formë vullnetare si pasojë e situatave të vështira që po kalonte, apo kishte ndodhur ndonjë puç ushtarak.

Nga momenti i aplikimit të qartë të modelit qeverisës lokal në fillimin e shek. XIII deri në kalimin nën kontrollin e Topiajve, Durrësi ka njohur momente autonomie ose varësie zyrtare ndaj zotërve të fuqishëm. Në vitet kur njihte vetëm zyrtarisht juridiksionin e një pushteti sovran, Durrësi qeverisej si Bashkësi Qytetare. Përgjatë viteve kur ishte nën varësinë juridike anzhuine, sovrani u drejtohet herë pas here kapitenëve anzhuinë dhe bashkësisë qytetare. Ky element duhet të merret si dëshmi e mbijetesës së një përfaqësie qytetare në rolin e një këshilli të qytetit. Ndërsa prania e kapitenëve anzhuinë tregon se ata kishin zëvendësuar Rektorin në pozicionin qendror të drejtimit të qytetit. Ky zëvendësim duhet të lidhet gjithmonë me formën e ndikimit të pushtetit të sovranit ndaj qytetit. Kur kontrolli ishte mjaftueshëm i fortë, përfaqësuesi i emëruar zëvendësonte Rektorin. Kur ky kontroll ishte vetëm de jure, qyteti duhej të ishte nën një drejtues ekzekutiv të zgjedhur ndër përfaqësuesit vendës, pikërisht Rektori.

Ndryshime të rëndësishme duhet të kenë ndodhur në strukturën qeverisëse të qytetit të Durrësit me ardhjen e Topiajve si pushtet sovran. Fakti më i qartë për një ndryshim të tillë lidhet me informacionin e përmendur në vitin 1398, ku thuhej se komuniteti durrsak kishte fshehur statutet e tij në manastirin françeskan nga frika e Karl Topisë. Një veprim i tillë, dhe nxjerrja e statuseve vetëm pas kalimit të qytetit nën Venedikun është tregues i qartë i raporteve të këqija mes Bashkësisë dhe Topiajve. Dokumentet që përmendin struktura qeverisëse të Durrësit nën Topiajt janë të pakta. Deri më sot njihen kryesisht në lidhje me modelin ushtarak të kontrollit të territorit, si Kapiten, Kështjellar, Komestabël. Vetëm në një rast kemi të dhëna për praninë e një strukture civile, protovestiarius, me origjinë bizantine.

Përgjatë qeverisjes së Topiajve duhet të ketë ndodhur një krasitje e sistemit qeverisës komunal të Durrësit. Ndërsa për mbarëvajtjen e punëve të përditshme civile e ligjore ishte e nevojshme të funksiononin pozicionet e zyrtarëve të ndryshëm, janë eliminuar postet drejtuese ekzekutive. Pushteti ekzekutiv duhej të ishte përqendruar te një grup njerëzish pranë feudalit, që kishin edhe pozicione ushtarake dhe kishin zëvendësuar boni homines. Kështu do të gjente shpjegim mungesa e përmendjes së komunitetit durrsak te dokumentet venedikase përgjatë raporteve diplomatike me Topiajt, ndryshe nga dokumentet më të hershme anzhuine, ku elita vendore përmendet për gati çdo ngjarje të rëndësishme dhe vendimmarrëse.

Me kalimin e Durrësit nën administrimin venedikas, duket se ka pasur pritshmëri nga ana e banorëve të Durrësit, përderisa ato nxjerrin Statutin e qytetit për të kërkuar të drejtat e tyre sipas zakoneve të vjetra (“usu et consuetudines (libertates)”). Por përdorimi i sistemit të administrimit me qeveritarë të zgjedhur mes banorëve venedikas nga Republika e Shën Markut në pozicione të ndryshme ka vulosur përfundimisht eliminimin e sistemit bashkiak të drejtimit politik të Durrësit. Duke filluar që nga bajl-kapiteni, si administratori më i lartë, dhe të gjithë të tjerët me radhë, të cilët duhej të ishin detyrimisht qytetarë venedikas, kishin një ndarje detyrash mes tyre, sa civile, aq edhe ushtarake, që kufizonte edhe kompetencat e ushtrimit të pushtetit të secilit. Një fakt i tillë dëshmohet nga aktet noteriale, ku nuk hasim më përmendjen e dekarkisë për të identifikuar zonat në të cilat gjendeshin pronat në shitje ose për dhurim. Një akt i tillë noterial, i vitit 1427, ku trajtohet shitja e një prone, shkruan “in paragio” – pranë Portës së Detit, pa referuar kurrkund dekarkinë e Portës së Detit. Vetë Porta e Detit vazhdonte të ruante në kujtesën kolektive pozicionin e rëndësishëm dhe të mirëdallueshëm që kishte pasur edhe në periudhën e qeverisjes sipas modelit bashkiak, vetëm se sistemi kishte ndryshuar tashmë. Kemi kështu dëshminë më të mirë të modelit të ri të administrimit të territorit, ku kujtesa kolektive ruante tashmë vetëm toponiminë.

Me shtimin e studimeve mbi të tilla aspekte, dhe botimin e burimeve të reja arkivore, jemi të bindur se do të kemi edhe më shumë të dhëna mbi format e organizimit administrativ të Durrësit e të qyteteve të tjera mesjetare shqiptare.

 

[1] E. Shehi, Topografia e Durrësit Mesjetar, ASA: Tiranë, 2022; E. Shehi, « Disa aspekte të strukturës administrative të Durrësit si bashkësi qytetare dhe nën Topiajt », Studime Historike 2, 2023, f. 5-28.

(Reporter.al)