Dy bombardues B-52 fluturuan ulët mbi sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Tiranë, 22 gusht 2022 – Dy aeroplanë bombardues gjigantë B-52 të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhuruan një shfaqje spektakulare për qytetarët shqiptarë.

Rreth orës 15:00, dy “bishat” amerikane fluturuan ulët mbi sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Kështu ushtria amerikane demonstroi bashkëpunimin e shkëlqyer të SHBA-së me Shqipërinë në të gjitha fushat, sidomos në fushën e mbrojtjes.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ishte në mesin e qytetarëve shqiptarë, kryesisht fëmijë e të rinjë, që e ndoqën spektaklin e gjigantëve amerikan të qiellit në qiellin mbi sheshin kryesor të Tiranës. Ajo tha se kjo është shprehje e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për vendet mike e aleate.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, në mes të Tiranës, në mes të Shqipërisë për fluturimin historik të dy avionëve bombardues B52. Ashtu siç të gjithë e dinë, ata janë avionët më të mëdhenj të ushtrisë amerikane dhe po kryejnë një stërvitje duke fluturuar mbi rajon, përfshirë edhe Shqipërinë, por jo vetëm Shqipërinë. Po fluturojnë edhe në vende të tjera. Kjo duhet ta bëjë shumë të qartë që për Shtetet e Bashkuara, marrëdhënia jonë në fushën e mbrojtjes, aleanca jonë me Shqipërinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne qëndrojmë gjithmonë krah aleates sonë të NATO-s. Tani, më pas, gjithmonë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ambasadorja Kim.

Dy bombarrduesit gjigantë realizuan fluturime të ulëta edhe mbi sheshin qendror të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit, përgjatë bregdetit të Malit e Zi dhe mbi qytetin e Dubrovnikut, në Kroaci.

“Qëllimi i këtyre fluturimeve është të demonstrohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për paqen dhe të sigurohen aleatët e NATO-s dhe partnerët tanë që gjenden në Evropën Juglindore”, thuhej në deklaratën e forcave ajrore amerikane në Evropë.

Avionët luftarakë B-52H Stratofortress janë avionë me rreze të gjatë veprimi dhe mud të bartin bomba dhe të kryejnë sulme me një serë armësh që i posedon ushtria amerikane.

Aleatët e NATO-s po dërgojnë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore për të forcuar krahun lindor të Aleancës në kundërpërgjigje të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

(r.m.)