Dy britanikët e zënë rob nga forcat ruse kërkojnë të shkëmbehen me aleatin e Putinit, Viktor Medvedchuk

Moskë, 18 prill 2022 – Luftëtarët britanikë të kapur nga forcat ruse kërkojnë që të shkëmbehen me të burgosurit rusë të zënë rob në Ukrainë. Ata bëjnë thirrje që të shkëmbehen me aleatin dhe oligarkun e afërt me Vladimir Putinin, Viktor Medvedchuk.

Televizioni shtetëror rus transmetoi pamjet e dy britanikëve që u kapën gjatë luftimeve me ushtrinë ruse në Mariupol. Aiden Aslin dhe Shaun Pinner bënë thirrje për një shkëmbim të të burgosurve me Viktor Medvedchuk, aleatin e presidentit rus Vladimir Putin.

Duke pasur parasysh statusin e tyre si robër lufte, asnjëri prej tyre nuk do të mund të fliste lirshëm dhe me gjasë ata po flasin nën presion, shkruan Insider.

Pinner dhe Aslin i kërkuan kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson që të organizojë shkëmbimin përmes presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

“Do të doja të shihja përsëri gruan time. Kërkoj që unë dhe Aiden Aslin të shkëmbehemi për z. Medvedchuk. Natyrisht, do ta vlerësoja shumë ndihmën tuaj në këtë çështje”, deklaron Pinner.

Luftëtari tjetër britanik, Aslin duke iu referuar kërkesës së gruas së Medvedchuk, Oksana Marchenko, që burri i saj të jetë pjesë e një shkëmbimi mes të burgosurve, i ka bërë thirrje kryeministrit Johnson që ta marrë në konsideratë kërkesën e tyre.

“Më kujtohet që pashë në lajme kur Viktor Medvedchuk u arrestua për përkatësitë e tij politike. Nëse Boris Johnson me të vërtetë kujdeset për qytetarët britanikë siç thotë ai, atëherë ai duhet të na ndihmojë që Zelenskyy të bëjë gjënë e duhur dhe ta kthejë Viktorin në familjen e tij dhe të na kthejë në familjet tona”, janë shprehur ushtarët britanikë. 

Aslin më parë u shfaq në televizionin shtetëror rus duke u rrahur dhe i gjakosur, ndërsa familja e tij e dënoi trajtimin, duke e cilësuar si tronditëse.

Rusia nuk ka dhënë një përgjigje të prerë mbi idenë e një shkëmbimi të të burgosurve.

Zëdhënësi zyrtar i Putinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Kremlini nuk po nxiton të bëjë asgjë në këtë drejtim.

Ukraina dhe Rusia kanë rregulluar disa shkëmbime të burgosurish, por duke mos përfshirë askënd aq të famshëm sa Medvedchuk.

aleati puti

Medvedchuk është një oligark ukrainas pro-rus, i cili thotë se Putin është kumbari i vajzës së tij. Ai u kap më 12 prill pasi shpëtoi nga arresti shtëpiak dhe akuzua për tradhti.

Medvedchuk mendohet të ketë qenë kandidati i favorizuar i Kremlinit për të drejtuar një qeveri kukull në Ukrainë. Ai ka qenë mik me Putinin për dekada dhe është fotografuar shpesh me presidentin rus. 

cuk

Medvedchuk është një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës, me një pasuri që vlerësohet prej 620 milionë dollarësh dhe është sanksionuar nga Britania e Madhe dhe SHBA.

Në një video të postuar në Telegram më 12 prill, Zelenskyy tha se ishte i hapur për të shkëmbyer Medvedchukun për ukrainasit e zënë rob, por Kremlini e refuzoi ofertën e tij.

(Panorama.al)