Moskë, 30 dhjetor 2021 – Dy gazetarë të lidhur me Radion Evropa e Lirë, Yelena Vladykina dhe Ivan Belyaev, si edhe dy anëtaret e bendit “Pussy Riot”, Nadezhda Tolokonnikova dhe Veronika Nikulshina, janë futur në listën e “agjentëve të huaj” të Federatës Ruse.
Ministria ruse e Drejtësisë, njoftoi më 30 dhjetor se në këtë listë janë futur edhe tetë persona, me pretendimin se ata mbështeten financiarisht nga jashtë për aktivitete politike në Rusi.
“Këtë vendim e morëm në bazë të dokumenteve që morëm nga institucionet përkatëse. Sipas informatave të ofruara, këta persona sistematikisht u shpërndajnë materiale një grupi të pacaktuar të personave dhe marrin mjete financiare nga jashtë”, thuhet në njoftim.
Yelena Vladykina është gazetare e programit “North.Realities“ të shërbimit të Radios Evropa e Lirë në gjuhën ruse, ndërsa Belyaev është redaktor i rrjeteve sociale të këtij shërbimi.
Grupi muzikor i vajzave “Pussy Riot” u bë i njohur pas një performance në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Moskë. Vajzat e kënduan aty një “himn” kundër liderit rus, Vladimir Putin. Pas performancës, disa anëtare të këtij grupi u arrestuan dhe u dënuan për “huliganizëm të motivuar nga urrejtja fetare”.
Anëtaret e grupit “Pussy Riot”, përfshirë Veronika Nikulshinën, bënë një protestë tjetër kundër Putinit në ndeshjen finale të Kampionatit Botëror në futboll, që u zhvillua në Moskë, në vitin 2018. Gjatë ndeshjes mes Francës dhe Kroacisë, ato hynë në fushë të veshura me uniforma policore.
(r.m.)