Beograd, 4 maj 2023 – Dy nga nxënësit e plagosur në sulmin e armatosur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa gjashtë të tjerët janë në gjende të qëndrueshme.
Njëri nga dy nxënësit që janë në gjendje të rëndë po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë, kurse tjetri në Klinikën Universitare të Fëmijëve në “Tirshova”.
Drejtoresha e Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Milika Ashanin, ka thënë se njëri nga nxënësit, i cili kishte marrë plagë të rënda në kraharor, në qafë dhe në shtyllën kurrizore, është në gjendje kritike për jetën.
“Dje [e mërkurë] e kaloi gjithë ditën në sallën e operacionit, ishin dy operacione. Është më mirë, është zgjuar, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe duhet ta kualifikojmë sikur situata të jetë kritike”, ka thënë ajo, transmetoi agjencia e lajmeve Beta.
Ajo ka thënë se për sot janë planifikuar një sërë kontrollesh, për të përcaktuar efektet e operacioneve të kryera një ditë më parë.
Ashanin ka treguar se gjendja shëndetësore e dy nxënësve të tjerë dhe e mësueses është shumë më e mirë.
Ndërkaq, Drejtori i Klinikës Universitare të Fëmijëve në Tirshova, Sinisha Duçiq, ka thënë se një nxënëse që ishte plagosur me armë zjarri në kokë është në gjendje shëndetësore kritike.
“Vajza, e cila iu nënshtrua një operacioni urgjent dje [të mërkurën], për shkak të lëndimeve në kokë, është në rrezik për jetën, mbetet në gjendje kritike. Mjekët po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në jetë, por gjendja e saj e përgjithshme është shumë e rëndë dhe ajo është në rrezik për jetën”, ka thënë Duçiq.
Ai ka thënë se tash për tash nuk është planifikuar ndonjë operacion tjetër.
Duçiq ka thënë se dy nxënës të shtruar në këtë klinikë, të cilët kanë marrë plagë nga armë zjarri në këmbë, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe mund të lirohen në shtëpi gjatë ditëve në vijim.
Tetë nxënës dhe një roje u vranë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit, të mërkurën në mëngjes, në një sulm të armatosur të një nxënësi të kësaj shkolle, 13 vjeçar.
Pesë nxënës të tjerë dhe një mësuese e shkollës u plagosën.
Autori i sulmit, i cili e ka njoftuar vetë policinë, ka pranuar se e ka kryer krimin, por motivet nuk janë ndriçuar ende.
(r.m.)