Nga Ruben Avxhiu
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2004, gazetarja amerikane Stacy Sullivan po shkruante një artikull për preferencat shqiptaro-amerikanët.
Ishte një vit interesant sepse shumë shqiptaro-amerikanë kishin vendosur të votonin për George W Bush, por pothuajse të gjithë udhëheqësit e komunitetit dhe sidomos ata që kishte intervistuar Stacy ishin me Partinë Demokrate dhe kandidatin John Kerry.
Stacy ishte liberale dhe donte të tregonte se shqiptarët ashtu si shumica e amerikanëve nuk e donin më presidentin Bush.
Unë besoja se Bush mund të fitonte dhe me çështjen e Kosovës të mbetur varur, nuk doja që ky deklarim vote në media të keqpërdorej kundër interesave tona, nëse dikush do të vendoste ta përdorte.
Kështu që kur më pyeti mua, i thashë një përgjigje që e rrotullonte pak këndvështrimin. I thashë që nuk është çudi nëse shqiptarët votojnë për demokratin John Kerry, sepse Demokratët po punojnë për këtë punë. “Me shqiptaro-amerikanët janë takuar vëllai dhe familjarë të kandidatit John Kerry, Richard Holbrooke, Madeleine Albright, Gen Wesley Clark e shumë të tjerë. Ka shumë shqiptarë që mund të votonin për Presidentin Bush, nëse Partia Republikane do të bezdisej të dërgonte dikë që është popullor mes shqiptarëve si fjala vjen John McCain.”
Kjo ishte rrotullim i mirë i situatës. Nga një anë tregonte se vërtet shumë shqiptarë po preferojnë kandidatin John Kerry. Nga ana tjetër, për këtë e kishte fajin në radhë të parë Partia Republikane ë injoron komunitetet etnike që mund të jenë simpatike ndaj saj.
Në shkrimin e Stacy Sullivan unë num citohesha si shqiptarët e tjerë që kishte pyetur. Fjalët e mia ajo i kishte përdorur si të sajat. Në fakt, një shkrim që tregon se për kë votojnë shqiptaro-amerikanët nuk ka rëndësi për lexuesin amerikan, por fakti që njëra parti nuk po lodhet për votën e komuniteteve është një temë shumë më e botueshme. Stacy nuk ishte treguar profesionale me fjalët e mia, po duke i përvetësuar ajo e kishte realizuar më mirë qëllimin tim. Në fund të fundit, për mua kishte më shumë rëndësi që të bëhej një lloj justifikimi i votës shqiptare, sesa të përmendej emri im. Sot askush nuk e mban mend se kush u citua në atë shkrim, që tregon se lavdia e përmendjes në shkrimet e fushatave mbaron shpejt.
Nëse do të fitonte John Kerry, do të vinin në pushtet diplomatë që e njihnin mirë Ballkanin dhe shqiptarët. Vetë Kerry kishte premtuar pavarësi për Kosovën në 2004. Problemi ishte po të fitonte George W Bush. Dhe kjo e fundit ndodhi. Administrata që për katër vjet e kishte injoruar punën e Kosovës duke ia humbur një periudhë vendimtare sapo kishte marrë edhe një mandat tjetër katërvjeçar.
Për fat të mirë, jo vetëm që vota e deklaruar e udhëheqësve të komunitetit nuk bëri shumë lajm, por mandati i dytë solli në krye të diplomacisë Condoleezza Rice, të cilës shqiptarët i kanë dhënë më pak mirënjohje sesa meriton.
Kjo histori e vjetër ia vlen të kujtohet për arsyen e thjeshtë se ajo përsëritet në një farë mënyrë çdo katër vjet.
Unë e respektoj zgjdhjen e republikanëve për të trajtuar amerikanët të gjithë njësoj dhe jo të ndarë në grupe etnike. Por në planin pragmatik të fushatave kjo do të ndihmojë gjithnjë demokratët.
Shumë shqiptarë të Amerikës kanë shprehur simpatinë e tyre për Donald Trump. Shumë kanë votuar rregullisht për dekada për Partinë Republikane. Po nuk është sekret që pothuajse asnjë shqiptar nuk është dalluar në Kuvendin Kombëtar Republikan, në Cleveland, Ohio, një qytet që ka një komunitet të vjetër dhe një të ri shqiptaro-amerikanësh. Nga ana tjetër, Kuvendi Demokrat ofron një tjetër pamje.
Qysh në hapjen e tij, në mëngjezin e ditës së parë, Kuvendi vuri në qendër të vëmendjes, kaukusin etnik dhe një shqiptaro-amerikane, Tanya Domi, veterane e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, ishte nga folëset kryesore që u ngjit në tribunë. Aty përmendi veç të tjerash gjyshen e saj shqiptare.
Nuk dua të jem i njëanshëm në këto komente, po një kuvend partie ku përmenden gjyshet shqiptare është superior ndaj çdo lloj kuvendi tjetër.
Ndër fotografitë nga salla në llogarinë në Facebook të Tanya Domit është një me aktivisten dhe bashkëpunëtoren e gazetës “Illyria” nga Ohio, shqiptaren Anila Nicklos.
Aktivisti dhe biznesmeni Harry Bajraktari ishte aty në sallë me kongresistin Eliot Engel, një mbështetës historik i kauzave shqiptare, bashkëthemelues i kaukusit të interesave shqiptare në Kongresin Amerikan.
Udhëheqës shqiptarë nga Ballkani, si Isa Mustafa, kryeministri i Kosovës dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, Ilir Meta, kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, opozitës kryesore në vend, Olta Xhacka dhe Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë nga Partia Socialiste ishin gjithashtu në sallën e madhe të Demokratëve.
Gjatë viteve shumë shqiptarë si Ilir Zherka, Dritan Zela, Tanya Domi, Ken Biberaj etj kanë qenë pjesë të strukturave kryesore të Partisë Demokrate që është kujdesur që shqiptarët të shohin veten në fushatat e kësaj partie.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e specializuar e vëmendjes që është traditë e Partisë Republikane, kandidati i saj Donald Trump duket se po ua dorëzon demokratëve edhe avantazhin që i ka bërë në vite shqiptarët të respektojnë më shumë këtë parti sesa Demokratët: Qendrimin e vendosur ndaj Moskës, si në kohën e Luftës së Ftohtë edhe tani në kohën e politikave luftënxitëse e proserbe në Ballkan. Gjëja e fundit, që shqiptarët mund të imagjinojnë është një president me mungesë të theksuar interesi për t’iu kundërpërgjigjur Vladimir Putinit në lojërat e tij të reja në Europë. Nga njohja e Kosovës, te integrimi i rajonit në NATO e BE, te zbutja e Serbisë me fqinjët te demokratizimi në Maqedonie te lufta ndaj prirjeve fashiste në Greqi, Moska mbetet një shqetësim real sigurie e jo një fantazi neokonservatore apo një çështje marrëdhëniesh personale me Putinin.