Juneau (Alaska), 6 tetor 2022 – Dy rusë që thanë se janë arratisur për t’i shpëtuar shërbimit të detyruar ushtarak kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara, pasi mbërritën me avion në një ishull të largët të Alaskës, në Detin Bering, njoftoi të enjten zyra e Senatores së Alaskës, Lisa Murkowksi.
Karina Borger, zëdhënëse e Senatores Murkowski, njoftoi se zyra e saj ka qenë në kontakt me Shërbimin e Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara si dhe atë të Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave dhe se “dy shtetasit rusë thanë se u larguan nga një komunitet bregdetar në bregun lindor të Rusisë për të shmangur shërbimin e detyrueshëm ushtarak”.
Zëdhënësat e Rojes Bregdetare dhe të Mbrojtjes Kufitare i referuan pyetjet e gazetarëve tek Departamenti i Sigurisë Hombëtare, i cili nuk u përgjigj menjëherë të enjten.
Senatorët e Alaskas, republikanët Murkowski dhe Dan Sullivan, thanë të enjten se individët mbërritën në brigjet e Gambellit, një komunitet i izoluar me rreth 600 banorë, në ishullin St. Lawrence. Deklarata e senatorëve nuk detajon se kur ndodhi incidenti, megjithëse Senatori Sullivan u njoftua për çështjen “nga një zyrtar i këtij komuniteti nga rajoni i Ngushticës së Beringut”, të martën në mëngjes.
Një zëdhënës i Senatorit Sullivan, Ben Dietderich, tha se zyra e tij ka informacion se individët kishin mbërritur në rrugë detare.
Gambell gjendet rreth 320 kilometra në jugperëndim të komunitetit Nome, të Alaskës, dhe rreth 58 kilometra pranë Gadishullit Chukotka, të Siberisë.
(Zëri i Amerikës)