Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Dy shpërthime me shok bomba kanë ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Kodrën e Minatorëve, në Mitrovicën Veriore, të mërkurën në mbrëmje.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë se shpërthimet kanë kaluar pa pasoja.
“Kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba. Një është hedhur në një udhëkryq në Lagjen e Boshnjakëve dhe një në Kodrën e Minatorëve. Ka shtëpi të banuara në afërsi, mirëpo nuk ka të lënduar. Këto janë shok bomba që nuk kanë aftësi shkatërruese, por kanë një efekt jashtëzakonisht të madh të zërit”, ka thënë Hoti.
Lagjja e Bosnjakëve është një vendbanim shumetnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Këto shpërthime ndodhën një ditë pasi grupe dhe persona të maskuar sulmuan me “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav” zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok.
Në kohën e këtyre incidenteve, policia ishte duke i përcjellë zyrtarët zgjedhorë, të cilët ishin nisur për t’i vizituar zyrat zgjedhore në këto komuna, në kuadër të përgatotjeve për kryetarë të komunave, të cilat janëcaktuar për 18 dhjetor.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale” që “mbështeten nga Serbia” për këto incidente, që sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, janë “sulme terroriste”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.
Këto katër komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbë, që nga fillimi i nëntorit janë pa kryetarë. Kjo pasi ata dhanë dorëheqje për të kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
KQZ-ja ka kërkuar që të ofrohet siguri për zyrtarët zgjedhorë. Ndërkaq, Presidenca e Kosovës tha se pasi të kenë marrë vlerësimet e Policisë së Kosovës, do të vendosin nëse do të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve.
(r.m.)