Dy shtetas rusë dhe dy të tjerë shpallen fajtorë për krime kibernetike në SHBA

Miçigan, 8 maj 2021 – Dy shtetas rusë janë në mesin e katër personave që janë shpallur fajtorë për krime kibernetike që kishin për cak bankat dhe kompanitë në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Gjykata ka gjetur se rusët Aleksandr Grichishkin dhe Andrei Skvortsov, të dy 34 vjeç, si dhe Aleksandr Skorodumov 33 vjeç nga Lituania dhe Pavel Stassi, 30 vjeç nga Estonia kanë ofruar të dhëna për rrjete të kriminelëve kibernetikë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se në mesin e të dhënave që ofruan këta persona ishin IP adresat, serverët dhe domenët e klientëve të tyre që kryenin krime kibernetike, të cilët më pas i përdornin këto të dhëna për të pasur qasje në kompjuterët e kompanive dhe për të vjedhur kredenciale bankare.

“Në një periudhë disa vjeçare, të pandehurit kanë ndërmjetësuar aktivitete kriminale për një rrjet të kriminelëve kibernetikë në mbarë botën, duke iu ofruar atyre mundësi që të kryejnë veprimtarinë e tyre kriminale”, tha agjenci special i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Timothy Ëaters.

Departamenti i Drejtësisë tha se me ndihmën e këtyre persona ishin kryer sulme ndaj kompanive amerikane dhe institucioneve financiare në vitet 2009 deri më 2015.

Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se nga këto krime janë shkaktuar milionadollarë dëme.

Të katër personat u shpallën fajtorë nga një gjykatë në Miçigan. Secili prej tyre mund të dënohet meburg deri 20 vjet. Vendimi igjykatës për dënimin e tyre do të merret në një seancë që dotë mbahet më vonë gjatë këtij viti.

Partnerët e FBI-së në Gjermani, Estoni dhe Mbretërinë e Bashkuar kishin ndihmuar FBI-në për të hetuar këtë rast.

(r.m.)