Dy shtetase ukrainase gjenden të vdekura në banesën e tyre në Tiranë

Tiranë, 10 maj 2024 – Dy shtetase ukrainase janë gjetur të vdekura në banesën e tyre në zonën e Selvisë në Tiranë, të premten në mesditë.

Policia e Tiranës njoftoi se Antonina Kozachenko (25 vjeçare) dhe Anastasia Lopukhova (40 vjeçare) janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre nga bashkëbanujesja e tyre, e cila ka njoftuar në polici. Dyshohet se ato kanë vdekur nga mbidoza e ilaçeve qetësuese dhe antidepresantëve.

“Më datë 10.05.2024, rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, në banesë, janë gjetur nga shoqja e tyre e dhomës, pa shenja jete shtetaset ukrainase A. K., 25 vjeçe dhe A. L., 40 vjeçe. Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka gjetur në banesën e tyre mbetje medikamentesh me përmbajtje narkotikësh që dyshohet se i kanë konsumuar dy vajzat. Për konstatimin e shkakut dhe rrethanave të vdekjes së dy ukrainaseve të ndjera është krijuar një grup ekspertësh të Institutit të Policisë Shkencore.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për BalkanWeb se Kozachenko dhe Lopukhova ishin konfliktuar dy ditë më parë me një farmaciste në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku kishin shkuar për të blerë medikamentet “Tramadol” dhe “Xanax”. Farmacistja kishte refuzuar t’ua jepte ilaçet pa recetë të mjekut, gjë që i ka revoltuar ukainaset, të cilat e kanë sulmuar edhe fizikisht farmacisten, e cila ka raportuar në polici.

Dëshmia e bashkëbanueses së dy ukrainasve tashmë të ndjera, Yeva Vorona, e cila ka arritur në Shqipëri para dy muajsh, konsiderohet shumë e rëndësishme për ndriçimin e plotë të rastit. Ajo ka treguar se Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova kanë jetuar me qira ditore në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa në apartamentin ku u gjetën të vdekura të premten ishin vendosur të shtunën.

Policia ka dyshime se vajzat mund të kenë ardhur në Shqipëri si punonjëse seksi, por heziton të nxjerrë një përfundim të qëndrueshëm derisa të përfundojnë hetimet dhe ekspertizat e profesionistëve.

(r.m.)