Prishtinë, 6 janar 2023 – Policia e Kosovës ka njoftuar dy persona janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Dy të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë, janë dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor në Graçanicë.
Dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, hetuesit rajonal kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve, me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari.
Pas plagosjes së dy të rinjve, serbët lokalë e kanë bllokuar rrugën Prevallë-Shtërpcë.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili po merret me rastin, ka thënë se kryetari i Shtërpcës dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës po përpiqen t’i bindin serbët ta zhbllokojnë rrugën.
(r.m.)