Dy të vdekur nga vërshimet në komunën e Pejës

Prishtinë, 25 qershor 2023 – Një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç kanë vdekur të shtunën në mbrëmje, në lagjen “Asllan çeshme”, në Pejë, si pasojë e vërshimeve të mëdha që e kanë goditur këtë qytet.

Policia e Kosovës njoftoi se nëna, e cila është zhdukur, është gjetur nga ekipet policore.

Ndërkaq në lagjen “Fidanishte” dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në spitalin e Pejës,

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e përshkroi situatën në qytet si të rëndë. Ai tha se ekipet janë në terren dhe po e vëzhgojnë gjendjen e krijuar nga vërshimet.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim kanë shkuar në Pejë, për t’iu ndihmuar qytetarët e goditur nga vërshimet.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se humbja e dy jetëve nga vërshimet në Pejë e ka prekur gjithë Kosovën. Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve e tëë afërmve të viktimave, kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri, dhe të gjithë qytetarëve të komunës së Pejës.

“Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, shkruan Prresidentja Osmani në rrjetet sociale.

Edhe udhëheqësit e institucioneve tjera shtetërore dhe të partive politike u shprehën të tronditur me ngjarjen.

Kosova është përballur me vërshime edhe në fillim të këtij viti. Disa qytete, si Istogu, Klina, Peja, Gjakova, Skenderaj, Mitrovica e Podujeva, pësuan dëme të mëdha materiale, por kaluan pa dëme në njerëz.

Asociacioni i Komunave të Kosovës pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mendojë të krijojë një fond emergjent për sanimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore apo emergjencat tjera.

Shirat e rrëmbyeshme shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë. Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve nga nxjerrja e paligjshme e zhavorit dhe mbyllja e kanaleve dhe tubacionit tw ujwrave atmosferike janë shkaktarët kryesorë të vërshimeve në Kosovë.

(r.m.)