Moskë, 10 gusht 2023 – Ministria për Situata Emergjente e Rusisë (MSER) ka thënë të enjten se 12 persona ende mungojnë, pas një shpërthimi në një fabrikë optike në qytetin Sergiyev Posad, si pasojë e të cilit u vra një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Pesë nga 50 apo më shumë prej të lënduarve ndodhën në kujdes intensiv në një spital lokal, i cili ndodhet rreth 70 kilometra larg kryeqytetit rus, Moskë.
Puna për largimin e rrënojave është duke vazhduar, ka thënë MSER.
Disa burime, përfshirë kanalin e pavarur në Telegram, Baza, raportojnë se kufoma apo pjesë të trupave të njerëzve janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe se numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të jetë dyshifror.
Por, zyrtarët e kanë konfirmuar vdekjen e vetëm një personi, një grua e cila thuhet se vdiq pasi u dërgua në spital.
Autoritetet ruse thanë se shpërthimi ndodhi në një depo të mjeteve piroteknike, e cila i ishte dhënë me qira një kompanie të quajtur Piro-Ross. Sipas tyre, depoja ndodhet në premisën e Fabrikës Optike dhe Mekanike e Zagorskut, e cila prodhon mjete për shikim gjatë natës dhe mjete tjera optike për ushtrinë.
Dëshmitarët e rastit kanë thënë se shpërthimi ndodhi në fabrikën optike.
Komisioni Hetues Federal i Rusisë ka njoftuar se zyrat e Piro-Ross janë bastisur dhe se drejtori teknik i kompanisë është ndaluar, pasi është hapur rast kriminal për këtë incident.
(REL)