Tiranë, 24 janar 2022 – Një material i sektorit të krimit ekonomik të policisë, ndaj disa zhvillimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit, duke konstatuar në kallzim, elementë të veprave penale, ka vendosur të nisë hetimet ndaj presidentit të Federatës Armando Duka.
Gjthshka duket se ka të bëjë me një fond prej 1.3 milion eurosh që Uefa i ka kaluar Federatës si fonde që i takonin klubit të Tiranës për pjesmarrjen e skuadrës së tij në garat europiane të futbollit.
Problemi ka lindur pasi për shkak të disa borxheve të pashlyera ndaj të tretëve, llogaritë e klubit të Tiranës ishin të bllokuara nga përmbarimi. Dyshimet janë se Federata për të favorizuar klubin, ka bërë kalimin e fondeve të Uefa-s, në favor të “KF Tirana”, përmes llogarive të tjera. Për këtë arsye, Prokuroria ka ngritur akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës” ndaj presidentit të Federatës shqiptare të Futbollit, zotit Duka.
Zoti Duka ka qenë shpesh në qendër të kritikave dhe akuzave për mënyrën se si ai ka drejtuar Federatën e Futbollit, për shkak dhe të shumë fenomeneve problematike që e kanë shoqëruar këtë sport. Ai është në krye të qeverisë së futbollit që prej vitit 2002, prej 5 mandatesh radhazi, dhe kërkon të marrë një mandat të ri në zgjedhjet e reja që parashikohen pas disa javësh. Zgjedhje të cilat po paraprihen nga polemika të forta, dhe akuza për manipulim të procesit zgjedhor, nga ana e kandidatëve në garë.
Ditët e fundit ka nisur dhe një përplasje e fortë mes Federatës dhe Bashkisë së Tiranës, e cila është aksionere në klubin e futbollit Tirana. Federata bëri sot publik një rregjistrim audio të një takimi të zhvilluar një ditë më parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me anëtarët e Shoqatës rajonale të futbollit, ku përveç një fjalori aspak të përshtatshëm, zoti Veliaj ngrinte akuza të rënda ndaj zotit Duka.
Federata e cilësoi këtë takim si një “ndërhyrje skandaloze politike në çështjet e komunitetit të futbollit”, duke qenë se Asambleja e shoqatës zgjedh delegatët që votojnë për kreun e Federatës.
Zoti Veliaj reagoi duke thënë se i qëndron “atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj”, ndërsa sa i përket fjaloirt të përdorur, ai u shpreh se “është nxjerrë jashtë kontekstit një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes”.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)