Shoqëria gjithmonë ka nevojë për guximin qytetar që do të shprehte mospjatimin me të keqen, por edhe solidaritetin me viktimat e situatave denigruese. Por, në anën tjetër, guximi qytetar ka edhe koston e vet, për arsye se jo të gjithë janë të lumtur kur ne shprehim haptazi një qëndrim që dënon esktremizmin e dhunshëm në çfarëdo trajte qoftë ai
Sot kur po e shënojmë 27 Janarin, Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, ne si Institut po marrim për obligim që ta luftojmë rrezikun e harresës, sepse çdo e keqe që ndodhë në të kaluarën, mund të përsëritet sërish, nëse ajo nuk parandalohet me freskimin e kujtesës. Pikërisht edhe ky homazh i sotëm për gjashtë milion viktimat hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, është pikërisht një përpjekje humane për ta bërë kujtesën tonë më rrezistuese ndaj çdo destruktiviteti njerëzor që mund të paraqitet në mesin tonë.
Një prej mekanizmave parandalues ndaj rrezikut të harresës është edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila përpos që e shpalli 27 janarin – Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, vuri në dukje se “Holokausti, në të cilin u vranë një e treta e popullit hebre dhe anëtarë të panumërt të pakicave të tjera, do t`u shërbejë gjithmonë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziku i urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit”. Për rrjedhojë, kjo rezolutë bazohej edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut e cila dënon të gjitha format e “mostolerancës fetare, nxitjes së urrejtjes, shtypjes ose dhunës kundër individëve apo komuniteteve për shkak të origjinës së tyre etnike apo besimit fetar”.
Të frymzëuar nga këto dokumente ndërkombëtare, të cilat mund të konsiderohen si modele të trajtimit të Holokausit, edhe ne si Institut kemi instaluar një infrastrukturë solide shkencore, kadrovike e ligjore që merret kryekëput me këtë problematikë. Fillimisht kemi hapur Departamentin për Edukimin dhe Hulumtimin mbi Holokaustin, i cili kap një fushëveprim të gjerë, ku përfshihen botimet e monografive dhe rekomandimet e IHRA-s për edukimin rreth Holokaustit, ekspozitat dhe vizitat me karakter pune në Izrael prej nga kemi sjellë kujtimet e të mbijetuarve të Holokastit që tash më janë bërë edhe libra. E veçanta e këtij Departamenti është se ai udhëhiqet nga kolegia jonë nga komuniteti hebre, Maja Susha. Me qëllim të avancimit dhe konsolidimit të njohurive dhe përvojave mbi trajtimin e temës së Holokausit, zonja Susha aktualisht po ndjek programin ndërkombëtar të masterit për studimin e Holokaustit në “Vajs Livnat Institut” pranë Universitetit të Haifas në Izrael.
Për Institutin tonë, këto përgatitje profesionale e shkencore të Maja Sushës, janë të një rëndësie të posaçme, sidomos duke marrë parasysh rëndësisë së madhe që ka edukimi për Holokaustin në parandalimin e pasojave të diskriminimit dhe në aftësimin për të identifikuar kontekste të ngjashme me të kaluarën ku mund të cenohet dinjiteti i një grupi të caktuar. Krejt kjo në funksion të ngritjes së vetëdijes për një mendim të ri kritik në shoqëri dhe zbardhjen e historisë së viktimave, në veçanti të hebrenjve të Maqedonisë së Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshi edhe shembujt e solidaritetit të popullatës vendore me dhjetëra familje hebreje të cilat iu shpëtuan kthetrave të vdekjes. Me këtë kemi dashur të afirmojmë dimensionet etike e njerëzore të guximit qytetar në kohë të vështira, punë kjo që nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga Stejt Departamenti Amerikan, i cili në dy raportet e veta i ka lavdëruar angazhimet e Institutit tonë në avancimin e tolernacës fetare dhe kulturën e dialogut qytetar.
Kjo zatën ka qenë shkas që të inicojmë edhe projektin “Ballafaqimi me të kaluarën – guximi qytetar në kohë të vështira”, si vazhdimësi e Projektit Alumni të Stejt Departamentit Amerikan, pjesë e të cilit isha edhe unë, por edhe si pjesë integrale e strategjisë sonë si Institut në parandalimin e ksenofobisë, intolerancës dhe tendencave ekstremiste në Maqedoninë e Veriut.
Shoqëria gjithmonë ka nevojë për guximin qytetar që do të shprehte mospjatimin me të keqen, por edhe solidaritetin me viktimat e situatave denigruese. Por, në anën tjetër, guximi qytetar ka edhe koston e vet, për arsye se jo të gjithë janë të lumtur kur ne shprehim haptazi një qëndrim që dënon esktremizmin e dhunshëm në çfarëdo trajte qoftë ai. Pasojat e kostos së guximit qytetar i kemi përjetuar viteve të fundit , qoftë si kërcënim i hapur me jetë, qoftë si presion dhe shantazh politik për të ndryshuar kursin dhe frymën mbizotëruese të punës sonë si Institut. Prandaj, ne me ndihmën edhe të miqëve ndëkombëtar, jemi detyruar të zhvillojmë beteja edhe ndaj kërcënuesve të jetës sonë, por edhe ndaj segmenteve të caktuara politike që në axhendat e tyre e kanë ngulfatjen e pavarësisë dhe autonomisë së punës së Institutit tonë.
Megjithatë, puna jonë ka dinamikën e vet të pandalur, sepse na presin edhe shumë ide e projekte që kërkojnë plane konkret veprimi. Ku fundja është edhe misioni ynë i shenjtë që krahas guximit qytetar, duhet ta kultivojmë edhe urtësinë në natyrën njerëzore , ngjashëm siç porosiste Nëna Tetreze: “Nëse i gjykon njerëzit, nuk do të kesh kohë t’i duash”. Prandaj, para se t’i gjykojmë të tjerët, të mbledhim fuqi dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë, sepse vetëm në këtë formë guximi qytetar mund t’i tejkaloj muret e trasha të egoizmave tanë.
Shkup, 27 janar 2023
(Fjalë e mbajtur në ITSHKSH, në shënimin e 27 Janarit, Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit)