Nga Astrit Lulushi
E keqja
Njeriu është si një i burgosur që imagjinon lirinë: shpirtrat e njerëzve të tillë bëhen të zgjuar, por edhe dinakë – të mirë dhe të këqinj. Njeriu fisnik qëndron në rrugën e së mirës.Të vjetrën e do që të mbrohet. Kam njohur të tillë që humbën shpresën e tyre. Dhe të tjerë që shpifën për të gjitha; kaluan jetën me turp, të angazhuar në kënaqësi të shkurtra, duke vendosur synimet e tyre përtej ditës; të paarritshme. Fluturuan nëpër
natë, krahët e tyre u thyen, dhe tani zvarriten dhe ndotin atë që gërryen. Dikur mendonin të bëheshin heronj; tani janë të fjetur. Heroi është tmerr dhe një burim keqardhje për ta.
Toka është plot me të tepërta, jeta është prishur. Ka nga ata të tmerrshmit që mbajnë bishën e grabitqarit në vetvete dhe nuk kanë zgjidhje tjetër përveç konsumimit të vetes; vështirë se lindin dhe fillojnë të vdesin, me mall për mësimet e lodhjes dhe të dorëheqjes. Ata me kënaqësi do të kishin vdekur. Le të kemi kujdes nga zgjimi i të vdekurve dhe dëmtimi i arkivoleve të gjalla. Takojnë një të sëmurë, një plak ose një kufomë; Dhe menjëherë thonë: “Jeta është hedhur poshtë!” Vetëm se janë zhgënjyer; të mbështjellë me melankolinë e trashë dhe të etur për aksidente të vogla që sjellin vdekjen. Kështu presin dhe shtrëngojnë dhëmbët. Ose përndryshe, tallen dhe mbahen pas ekzistencës të vjetër.
E keqja – kjo është mirësia e tyre.
Përgjumje
Gjumi prek sytë: ata rëndohen. Gjumi prek gojën: ajo qëndron e hapur. Vërtet, butë vjen dhe vjedh mendimet; memec e bën të qëndrojë, si në karrige akademike. Por jo për shumë kohë, së shpejti shtrihet. Kur Zoti dëgjoi njeriun e mençur të fliste kështu, qeshi, sepse me këtë kishte gdhirë një dritë. Dhe i foli zemrës:
“Për mua ky njeri i mençur me mendimet e tij është i zoti të flejë”. Me të vërtetë i lumtur është ai që jeton pranë njeriut të mençur.
Një gjumë i tillë është ngjitës; edhe përmes një muri të trashë. Magjia qëndron në karrigen e tij shumë akademike. Dhe jo më kot rinia ulet para këtij njeriu; me mençuri thotë: “Jini zgjuar në mënyrë që të flini mirë”.
Dhe me të vërtetë, nëse jeta nuk do të kishte kuptim dhe njeriu do të zgjidhte marrëzinë; kjo do të ishte marrëzia më e zgjedhur. Tani e kupton qartë atë që dikur kërkohej mbi të gjitha: Një gjumë i mirë dhe bashkë me të virtytet. Për të gjithë këta të mençur të famshëm në karriget e tyre, mençuria ishte gjumi pa ëndrra: ata nuk dinin kuptim më të mirë të jetës. Edhe sot, me siguri, ka disa, dhe jo gjithmonë të nderuar. Koha e tyre ka mbaruar; nuk do të qëndrojnë më gjatë. Lum ata që përgjumen, sepse së shpejti do të varin kokën.
Ngricë
Ata kanë diçka për të cilën janë krenarë. E quajnë traditë; i dallon nga dhitë e buta. Kjo është arsyeja pse nuk janë të gatshëm të dëgjojnë fjalën “përçmim” të aplikuar për veten e tyre.
Kështu që do t’i bëj thirrje krenarisë; do t’u flas për atë që është më e përbuzshme. Është koha që njeriu t’i vërë vetes një qëllim; të mbjellë farën e shpresës. Shpirti është ende mjaft pjellor. Por një ditë ky shpirt do të jetë i varfër dhe i zbutur dhe asnjë pemë më e lartë nuk do të mund të rritet më mbi të. Mjerisht! Po vjen dita kur njeriu nuk do ta lëshojë më shigjetën e mallit përtej njeriut dhe vargu i tij do të ketë harruar të këndojë. Ende ka kaos brenda vetes.
Ka ardhur dita e njeriut më të neveritshëm, e atij që nuk mund ta përçmojë më veten.
Çfarë është dashuria? Çfarë është krijimi? Çfarë është malli? – kështu pyet njeriu dhe dridhet. Më pas toka bëhet e vogël dhe mbi të kërcen njeriu i ri, i cili e bën gjithçka të vogël. Ashtu si pleshti, lloji i tij nuk mund të shfaroset; njeriu i ri jeton më gjatë. “Ne kemi zbuluar lumturinë” – thonë – dhe mbyllin sytë para gjithçkaje. Ata janë larguar nga vendi ku jeta ishte e vështirë; sepse duhej ngrohtësi; ende e duan të afërmin. Duke u sëmurur dhe duke ushqyer mosbesim ata e konsiderojnë veten me faj.
Dikush vazhdon me kujdes, megjithëse ende pengohet mbi gurë ose njerëz. Herë pas here krijon ëndrra. Dhe shumë helm në fund për një vdekje të këndshme. Njeriu ende punon, sepse puna është një formë argëtimi. Por kujdeset që të mos përfshihet shumë në të; të mos bëhet i varur. Askush nuk është më i pasur apo i varfër. Kush dëshiron të sundojë? Kush dëshiron ende të bindet? Të dyja janë shumë telashe. Asnjë bari dhe një tufë. Të gjithë duan të njëjtën gjë, të gjithë janë të njëjtë: ai që ndihet ndryshe shkon lirshëm në çmendinë. “Dikur, e gjithë bota ishte e çmendur” – thonë më të vjetrit dhe mbyllin sytë. Ata janë të zgjuar dhe dinë gjithçka që duhet të dihet: kështu që ka tallje pa fund; ende grinden, por shpejt pajtohen – përndryshe mund t’ua prishin oreksin. Ata kanë kënaqësitë e tyre të vogla për ditën dhe kënaqësitë e tyre të vogla për natën, por e respektojnë shëndetin e tyre. “Ne kemi zbuluar lumturinë” – thonë.
I patundur është shpirti dhe i pastër, si malet në mëngjes. Por ata më mendojnë të ftohtë dhe tallës. Dhe tani, ndërsa qeshin, më urrejnë. Ka akull në të qeshurat e tyre.
Dhe këtu mbaron “Prologu”.