E majta gjermane fiton në zgjedhjet rajonale

Landtagswahl Saarland - Die LinkeFitorja e ngushtë në Saksoninë e Poshtme u jep shpresa socialdemokratëve dhe ekologjistëve për fitore në rang federate, në zgjedhjet parlamentare në shtator.
Një rezultat kaq të ngushtë nuk ka në kujtesë asnjë analist zgjedhjesh në Gjermani. Deri natën vonë nuk dihej ende nëse CDU (Partia Kristiandemokrate) dhe FDP (Demokratët e Lirë) do të mbeteshin në pushtet, apo nëse do të zëvendësoheshin nga një koalicion i SPD (Partisë Socialdemokrate) dhe ekologjistëve. Gara kokë më kokë mes kampit konservatoro-liberal dhe atij të socialdemokratëve dhe ekologjistëve, në Saksoninë e Poshtme (Niedersachsen), ishte preludi plot tension në vitin elektoral për parlamentin federal, në të cilin kancelarja gjermane Angela Merkel synon një mandat të tretë.
Për rivalin socialdemokrat të Merkelit, socialdemokratin Peer Steinbrück, zgjedhjet për parlamentin e landit në Saksoninë e Poshtme, janë mbështetje për synimin e tij për të larguar Merkelin. Socialdemokratët fituan vota shtesë edhe pse në në masë modeste. “Kjo do të thotë për këtë vit se ndryshimi i qeverisë dhe pushtetit është i mundur edhe sa i përket zgjedhjeve në shtator”, deklaroi Steinbrück. Ai pranoi se nuk kishte qenë ndihmë e madhe për Partinë Socialdemokrate në Saksoninë e Poshtme, me një numër gabimesh dhe deklaratash kundërthënëse. Kohët e fundit ka pasur madje zëra për ndërrimin e kandidatit socialdemokrat për kancelar. Pas fitores në Saksoninë e Poshtme SPD duket se nuk do të ketë nevojë të zhvillojë një debat të tillë të mundimshëm.
Kampi i majtë opozitar me marrjen e pushtetit në Saksoninë e Poshtme ka tashmë edhe shumicën në dhomën e lartë të parlamentit, Këshillin e Landeve. SPD ka njoftuar disa iniciativa ligjore në Këshillin e Landeve për caktimin e pagës mininale në nivel federal, ndjekje më të ashpër penale të evazionit fiskal dhe vendosjen e një takse mbi pasurinë. Shpresat e kandidatit socialdemokrat për kancelar, Peer Steinbrück, për një fitore në zgjedhjet në vjeshtë, mbështeten megjithatë në radhë të parë tek partneri i mundshëm në koalicion, ekologjistët, të cilët vazhdojnë të përmirësojnë rezultatet dhe me 14 për qind në Saksoninë e Poshtme, arritën rezultatin e tyre rekord deri tani.

(DW)