Llogaritjet e deritanishme parashikojnë marrjen nga Partia Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, por demokratët druhen se mund të humbin edhe Senatin
Nga Ruben Avxhiu
Tradita e zgjedhjeve amerikane e do që partia e cila fiton zgjedhjet presidenciale të humbë zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin dy vjet më vonë.
Është një ligj i pashkruar që cilindo që të zgjedhin për president amerikanët pendohen dy vjet më vonë.
Megjithatë çdo ligj në politikë ka përjashtimet e tij dhe demokratët kanë shpresuar shumë se këtë vit mund të ishte ndryshe.
Tre arsye më vijnë ndër mend se pse kanë menduar kështu. E para, në politikë, shpresa se votuesit e pavarur do të zhgënjeheshin nga vazhdimi i mbizotërimit të ish-Presidentit Donald Trump në Partinë Republikane. E dyta, në ekonomi, ulja e papunësisë si dhe ulja deridiku i çmimit të naftës pas kërcimit të paparë në këto dy vjet. E treta, në planin social, zemërata e krijuar nga rrëzimi i ligjit që ia jep automatikisht në rang federal të drejtën grave për të vazhduar ose jo shtatëzaninë do të mobilizonte masivisht vajzat dhe gratë në SHBA. Kjo e fundit ka rëndësi sepse shumica masive e grave amerikane është në favor të të drejtës për të zgjedhur dhe Partia Demokratike gjithnjë ka shumicën e votës së gruas me vete.
Mirëpo, anketimet gjithnjë e më shumë tregojnë ardhjen e një dallgë republikane që do të përmbysë Dhomën e Përfaqësuesve, disa poste guvernatorësh dhe mbase edhe Senatin, duke e ndarë përsëri pushtetin në Washington DC.
Kush janë arsyet e rrebeshit të djathtë.
Përveç traditës së kundërvotës, dy vjet në vonë në mes të mandatit të ri presidencial, ka arsye të tjera që po ndodh kjo. Pakënaqësia ndaj Presidentit Biden është e madhe edhe mes të Pavarurve. Përkrahja për të në eletorat ka rënë shumë. Është e pritshme që amerikanët duan t’ia kufizojnë pushtetin në Washington.
Përveç problemeve në ekonomi, inflacioni, mospërputhja e vendeve të punës me nevojën për punësim, të rrogave të mjaftueshme për të jetuar dhe rritjes së çmimit të naftës, mosha e shkuar e Presidentit Biden, shpeshtësia me të cilën e korrigjojnë vartësit e tij nuk të jep garancinë e mjaftueshme të një udhëheqësi në kontroll. Sigurisht kundërshtarët e tij politikë kanë bërë një propagandë të suksesshme televizive duke përdorur videoklipe të ndryshme që i theksojnë momentet e hutimit dhe konfuzionit.
Në planin ideologjik, Biden u paraqit si një udhëheqës i moderuar, i urryer sa nga e djathta ekstreme aq edhe nga e majta radikale. Një njeri i një kohe të shkuar që mund të bashkonte të gjithë amerikanët, pas një presidenti përçarës, “me mua ose kundër meje” si Donald Trump.
Në fakt, Biden ka dalë tërësisht e kundërta e premtimit që ka bërë në këtë drejtim. E majta progresive është në pushtet, në administratë dhe pasqyrohet në fjalimet e presidentit. Në fakt, politikat progresive nuk po zbatohen prej kundërshtimit të nja-dy senatorëve “rebelë” demokratë që pengojnë shumicën në Senat dhe jo nga kabineti i presidentit.
Ironia është që edhe e majta radikale është e pakënaqur me Presidentin Biden. Nuk ka qenë zgjedhja e tyre dhe nuk po dëgjon kërkesat e tyre kryesore.
Sa e madhe mund të jetë përmbysja?
Tani republikanëve u duhet vetëm t’u marrin demokratëve 5 vende në Dhomën e Përfaqësuesve për të fituar shumicën. Mirëpo disa anketime parashikojnë që të paktën 20 distrikte zgjedhore do të kalojnë nga demokratët në duart e republikanëve. Disa shkojnë edhe më larg. Në fakt, partia që fiton zgjedhjet presidenciale ka humbur mesatarisht 26 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, në zgjedhjet vijuese sipas statistikave që Lufta e Dytë Botërore.
Senati është pak më i vështirë për t’u parashikuar, por aty republikanëve u duhet t’u marrin vetëm një vend demokratëve dhe kanë në duar shumicën. Aktualisht Senati është i ndarë 50-50, por demokratët përfitojnë nga vota finale e zv-presidentes sipas Kushtetutës.
Republikanbët shpresojnë të fitojnë në Pennsylvania si dhe t’ua marrin demokratëve një vend senatori në Nevada ose në Georgia.
Një shembull i qartë i dobësimit të demokratëve është gara për guvernator në New York. Ndonëse një shtet demokratësh për gati dy dekada, kongresisti republikan Lee Zeldin ka shpresa që të fitojë kundër guvernatores në detyrë, Kathy Hotchul. Nevada duhej të ishte gjithashtu një shtet i sigurtë për demokratët por nuk është më.
Ndonëse demokratët flasin gjithë ditën për rëndësinë e larmisë së shoqërisë amerikane, janë republikanët ata që po ofrojnë të zgjedhin guvernatorin e parë hebre të New York-ut (Lee Zeldin) në histori, senatorin e parë musliman të Amerikës (Mehmet Oz në Pennsylvania) etj. Pas 70 vjetësh, kandidati i vetëm i zi për kongresist në Detroit është republikani Martell Bivings. Anketimet vënë në dukje rritje të mbështetjes për republikanët mes komuniteteve etnike sidomos mes hispanikëve, por edhe mes aziatiko-amerikanëve. Demokratët janë ndërkohë kaq të dashuruar me akuzën se republikanët janë thjesht racistë të bardhë sa që shpesh janë të varfër në argumente kundër brezit të ri të kandidatëve republikanë.
“Demokracia në rrezik”
Jo të gjithë në kampin demokrat po presin me druajtje rezultatet e natës së sotme.
Në mbyllje të një bisede me drejtues të fushatave zgjedhore demokrate, Presidenti Joe Biden tha: “Do t’i habisim të gjithë të martën në darkë kur të dalin rezultatet e punës suaj”.
Demokratët besojnë se vota e gruas në mbarë Amerikën do të rrëzojë parashikimet pro-republikane. Disa nga strategjistët demokratë kanë dhënë alarmin se konservatorët nuk do të mjaftohen me vendimin e Gjykatës Supreme amerikane e cila ia lë çështjen e abortit që ta vendosin vetë shtetet, por do të përpiqen që të realizojnë në Kongres, një ligj që e ndalon atë në mbarë vendin. Shumica e republikanëve e mohon se një nismë e tillë është e mundshme, por demokratët thonë se më së paku po bëhen përpjekje për ta ndaluar në sa më shumë shtete. Për ta ky është hapi i parë i regresit të plotë të të drejtave të gruas në shoqëri.
Strategjistët demokratë shkojnë edhe më tej. Për ta, republikanët po përpiqen të bëjnë një grusht shteti me anë të votës demokratike. Sipas tyre, ata po përpiqen të zgjedhin zyrtarë në shtete kyçe që do të mohojnë rezultatet e zgjedhjeve kur nuk u intereson. Sipas demokratëve, prova është te qendrimi ndaj ish-Presidentit Donald Trump, revoltës së 6 Janarit, dhe zgjedhjeve të nëntorit 2020.
“Demokracia në rrezik,” është bërë në javët e fundit thirrja kryesore për të mobilizuar demokratët.
Politika si spektakël
Problemi me optimizmin e demokratëve është se alarmizmi i fushatës dhe i pjesës më të madhe të medias nuk pasqyrohet në terren.
Sa më shumë futesh në biseda me njerëzit aq më shumë ndesh tema të të përditshme që janë vështirësia për t’u përballur me çmimet në treg, me shpenzimet për shëndetin, për shkollimin, etj. Në shumë nga këto tema, mbase demokratët kanë më shumë përgjigje se republikanët, por ata nuk po flasin për to. Përkundrazi, demokratët humbën shumë kohë duke mohuar dhe pastaj relativizuar dukurinë e inflacionit. Përpjekjet për t’ia vënë fajin luftës në Ukrainë për rritjen e tmerrshme të çmimit të karburantit, në vend që të shfajësonin Administratën Biden dëmtuan përkrahjen për ndihmën ndaj Ukrainës.
Një tjetër problem praktik është dalja e shumë demokratëve në pension ose largimi nga politika. Të dobësuar nga zhvendosja e partisë nga e majta, shumë demokratë nuk po kandidojnë më. Në SHBA është vështirë të rrëzosh një kongresist në fuqi, por në momentin që hapet gara për një kongresist të ri, partia në opozitë ka menjëherë një shans për ta rrëmbyer vendin e liruar.
Pas një vale largimesh të republikanëve për shkak të pro-Trumpizmit në parti, tani janë demokratët ata që po ndryshojnë brezin e politikanëve duke rrezikuar më shumë vende, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve.
Nga një pikëvështrimi pikërisht kjo thirrje për të shpëtuar demokracinë është dobësia më e madhe e demokratëve.
Një opinion i jashtëm i botuar nga gazeta “The New York Times” jep shpjegim interesant për epërsinë e republikanëve. Autori Daniel McCarthy, argumenton se republikanët kanë vendosur të rrezikojnë këtë vit duke paraqitur kandidatë jo politikanë por VIP-a. Në vitin 2016 shkruan ai zgjedhja si kandidat e një njeriu si Donald Trump u duk si një akt dëshpërimi nga republikanët. Mirëpo, Trump jo vetëm që fitoi por ai u dha zemër të djathtës për t’u ringjallur me emërimin e konservatorëve në Gjykatën Supreme, me përqendrimin te problemi i emigracionit, te lufta e hapur dhe pa komplekse ndaj revolucionit social-kulturor të të majtës në shoqërinë amerikane.
Demokratët e shohin ish-Presidentin Donald Trump si një dështim të madh, por republikanët vendosën këtë vit që ta imitojnë vitin 2016 duke kandiduar njerëzi si Mehmet Oz dhe Kari Lake (që vijnë nga televizioni) apo Herschel Walker, që vjen nga sporti. Blake Masters dhe J.D. Vance janë autorë librash. Kjo gatishmëri për të rrezikuar, sipas shkrimit nga McCarthy, është shenjë vetëbesimi. Dhe vetëbesimi ndikon psikologjikisht te votuesi.
Njeriu mund të nxjerrë përfundimin se demokratët me frikën për demokracinë, për të drejtat e grave, për keqkuptimin e politikave ekonomike, po përcjellin ndjenjë pasigurie, i bëjnë fushatat e zymta, dhe nuk po mobilizojnë dot si duhet njerëzit.
Pesë emrat e mësipërm që ka zgjedhur autori të gjithë po kandidojnë për Senat. Ai nuk shpjegon se pse votuesit që kanë halle të shumta të përditshme preferojnë pesë kandidatë që nuk kanë përvojë politike që të zgjidhin problemet e tyre. A është kjo një shenjë papërgjegjshmërie, apo sinjal se besimi te politika ka humbur kaq shumë saqë po votohet për të protestuar.
Kë duan shqiptarët që të fitojë në këto zgjedhje
Shqiptarët si komunitet kanë qenë historikisht dypartiakë, shumë përpara se kjo të fillonte në komunitete të tjera etnike në SHBA.
Kështu që sigurisht mbështetësit e republikanëve në komunitet presin me gëzim ndryshimin politik në Washington.
Ata e përjetojnë politikën ashtu si shumica e amerikanëve dhe zgjedhjet janë shpesh personale e të lidhura me komunitetet ku jetojnë.
Ka nga ana tjetër disa ndryshime që mund të ndikojnë në politikën e jashtme amerikane që lidhet me zhvillimet në Ballkan.
Për shembull, ndryshimi i shumicës në Senatin Amerikan do të zvogëlonte pushtetin e Senatorin demokrat Bob Menendez, që do të humbiste postin e Kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme. Për shkak të një lidhjeje të farkëtuar mirë nga ish-kongresisti Joe DioGuardi senatori i shquar nga New Jersey ka treguar interes kyç për pikëpamjet shqiptare jo vetëm në Kosovë por edhe më tej në rajon.
Një fitore republikane do të rriste pushtetin e një Senatori si Ron Johnson nga Wisconsin, i cili në debatin e fundit në Senat për Kosovën, të organizuar nga Menendez, pasi tha se ishte mik personal me Ambasadorin Richard Grenell bëri komentin kurioz se “miqtë tanë shqiptarë në Kosovë vetëm duan të marrin dhe asnjëherë të japin”. Çfarë do të thotë kjo? Ka më shumë shqiptarë se serbë në Wisconsin dhe Johnson nuk e ka të lehtë rizgjedhjen këtë vit, por shqiptarët nuk janë shumë të dukshëm në këtë fushatë në mbarë Amerikën.
Mes kongresistëve që njohin shqiptarët e të cilët mund të humbin vendet janë demokratët Tom Malinoëski në New Jersey dhe Elissa Slotkin, në Michigan.
Një nga miqtë më të mirë në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Lee Zeldin po largohet gjithësesi sepse po kandidon për guvernator në New York. Shqiptarët kanë arsye për të votuar për një mik në krye të shtetit ku jetojnë me shumicë, por humbja për ta në Kongres është për momentin e pazëvendësueshme.
Ka një mekje të komunitetit në një kohë kur në Kosovë bie përsëri era luftë. Në fakt, aktiviteti i fundit i Zeldinit ka qenë kryesisht për çështjen e shpalles “non-grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Lidhja Qytetare e ish-kongresistit Dioguardi mbetet për habi e vetmja forcë që ende po bën përpjekje të organizuara në këtë fushatë, por takimi i saj i fundit ishte për Çamërinë, në Staten Island dhe për Luginën e Preshevës në Washington. Të gjitha këto janë tema të jashtëzakonshme kombëtare që duhen përshëndetur, por edhe nënvizojnë mospërputhjen kohore në punën e shqiptarëve të Amerikës, duke pasur parasysh dramën e ditës në veri të Kosovës.
Disa takime më të hershme, të këtij viti, një nga Vehbi Bajrami i gazetës “Illyria”, kryetari Elmi Berisha i Federatës Vatra dhe veprimtari i njohur Jim Xhema me kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme, Gregory Meeks, si dhe një përsëri nga DioGuardi dhe LQSHA me Senatorin Menendez për Kosovën ishin shumë premtuese, por po mungon mundësia për t’i ndjekur këto marrëdhënie në vazhdimësi. Do të mbetet për t’u parë sa do të ndiqen edhe këto për temat e tjera shqiptare.
Për më tepër me kaq shumë republikanë mes shqiptarëve të Amerikës është shqetësuese që mbështetja e qendrimeve shqiptare për Kosovën në krahun republikan është në venitje të vazhdueshme. Republikanët sigurisht nuk kanë ndonjë problem të drejtpërdrejtë me shqiptarët, apo Kosovën e tema të tjera me interes për ne, por janë ftohur në përgjithësi me angazhimin amerikan në botë. Më të tremburit sot janë ukrainasit pas sinjaleve se një shumicë republikane në Kongres do ta rishikojë ndihmën për Ukrainën, duke cituar abuzimet me fondet dhe nevojën për një marrëveshje me Putinin. Sipas një anketimi të fundit 48% e republikanë nuk duan që SHBA të dërgojë më ndihmë në Ukrainë, kur ka kaq shumë probleme ekzistuese në vendin tonë. Sa do të jetë kjo shumicë e gatshme të mbështesë një luftë në Kosovë, nëse Serbia provokon ushtarakisht?
Nga ana tjetër, republikanët ndryshe nga demokratët mund të kërkojnë më pak rol të BE-së dhe më shumë rol amerikan në dialogun Kosovë-Serbi. Por njeriu i tyre do të ishte përsëri Ambasadori Grenell, që më duket se ka krijuar disa komplekse personale lidhur me temën.
Shumë nga këto më larg janë spekullime, por një gjë e kam vënë re me siguri, një grup serbo-amerikanësh që nuk përfaqësojnë asnjë grusht njerëzish janë duke u përpjekur që të duken sikur kanë forcë të ndryshojnë rezultatet në shtete si Arizona, Pennsylvania, Wisconsin etj, duke bërë mbështetje të bujshme zyrtare ndonëse pa vlerë për t’u rënë në sy kandidatëve, gati të gjithë republikanë. Se sa kanë vlerë këto pseudo-veprime, me gjasë të financuara tërthorazi nga Beogradi dhe në bashkëpunim me ambasadorin e ri serb në Washington, vështirë të thuhet. Mund të jetë thjesht një imitim i kotë dhe i vonuar i lobimit të dikurshëm të shqiptarëve. Mirëpo, përballë apatisë dhe kaosit në veprimet e komunitetit shqiptar dhe nxehjes së (pa)pritur të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, këto cicmice të koordinuara serbe të japin më së paku ankth në këtë ditë zgjedhjesh amerikane.