Nga Ruben Avxhiu
Një moment që mund të duket i paimagjinueshëm në Shqipëri, të dy presidentët e fundit amerikanë, përfshi edhe atë në fuqi, janë nën hetim nga prokurorë specialë.
Joe Biden dhe Donald Trump besohet se do të jenë gjithashtu dy kandidatët për presidencialet e vitit 2024, nëse proceset hetimore që rëndojnë mbi ta (apo mosha) nuk ua ndryshon planet.
Kjo është gjithashtu e paparë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Si Biden ashtu edhe Trump dyshohen për të njëjtin shpërdorim detyre: mbajtje privatisht e dokumenteve të sekretit të lartë shtetëror.
Për Demokratët është pak më e sikletshme sepse lajmi për vënien nën hetim të Presidentit Biden vjen pas disa muajsh tallje e kritike ndaj ish-Presidentit Trump të cilit iu gjendën një numër kutish me dokumente të sekretit më të lartë në kompleksin Mar-a-Lago ku banon në Florida.
Tani ka dalë se dokumente të klasifikuara janë gjetur në zyrën private që Biden ka mbajtur pasi mbaroi mandatin e tij si Zv-President i Shteteve të Bashkuara si dhe në shtëpinë e tij në Delaware. Ndihmësit e Bidenit janë përpjekur të tregojnë se situatat nuk janë njësoj duke thënë se avokatët e Presidentit Biden e njoftuan vetë shtetin kur gjetën këto dokumente, ndryshe nga Trump i cili e mohoi deri në fund, kur FBI sulmoi dhe bastisi banesat e tij duke gjetur dokumentet.
Mirëpo, republikanët janë duke i qesëndisur me kënaqësi duke u thënë se një tjetër tullumbace e superioritetit moral demokrat është shpuar në sytë e amerikanëve.
Vitin e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, caktoi një prokuror special, Jack Smith, për të hetuar trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump duke e lidhur këtë me akuzën për përpjekje të mundshme për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
I vendosur përpara një situate të re, Garland tani ka caktuar edhe një prokuror special për të hetuar Presidentin Biden.
Është dëshmi e mënyrës sesi funksionon sistemi amerikan që për të hetuar Bidenin i cili është presidenti në fuqi, Departamenti i Drejtësisë zgjodhi prokurorin Robert Hur, i cili është emëruar në detyrë nga Presidenti Trump gjatë mandatit të tij presidencial.
Kjo bëhet që të mos ketë ndërhyrje në procesin hetimor. Nëse Biden do të hetohej nga një prokuror që është emëruar në Departamentin e Drejtësisë nga ai vetë ose nga Presidenti Obama, atëhere është normale të dyshohet për ndikim të politikës në këto procese.
Është në kundërshtim me ligjin në SHBA që të nxjerrësh dokumente të klasifikuara jashtë mjedisve ku duhet të ruhen.
I pyetur nga gazetarët, Biden tha: “Populli amerikan e di se sa rëndësi u vë unë dokumenteve të klasifikuara”. Në një moment tjetër tha, se ishin në garazhin e shtëpisë së tij dhe “jo të hedhura në rrugë”.
Presidenti Trump u justifikua duke thënë se ai si president kishte të drejtë të deklasifikonte dokumentet duke ua hequr statsusin sekret.
Që të dy duket se nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë ligjin.
Populli amerikan nuk e di, si kujton Biden se sa i çmon ai dokumentet sekrete. Se po t’i çmonte nuk do t’i linte në garazh, madje as do t’i merrte në shtëpinë e tij. E jo më t’i linte aty për vite. Dhe përsa i përket ligjit, dokumentet ISHIN “në mes të rrugës”.
Po ashtu edhe Trump nëse i kishte deklasifikuar këto dokumente do të gjendej diku vendimi i deklasifikimit. Do të kishte një datë e një arsye.
Të dy flasin kaluar.
Mjafton të kujtosh se çfarë u ndodh të tjetërve për shumë më pak se kaq.
Vitin e kaluar një ish-punonjëse e Pentagonit u dënua me tre muaj burg për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në dhomën e saj të hotelit. Niveli i sekretit të tyre ishte shumë më i ulët se këto që kishin marrë dy presidentët.
Gjenerali i njohur David Petraus u detyrua të jepte dorëheqjen si drejtor i CIA-s dhe të pranonte fajin përpara një gjykate për të mënjanuar dënimin me burg, vetëm sepse i kishte treguar autores së biografisë së tij, me të cilën kishte patur një histori dashurie, disa dokumente të klasifikuara. (U dënua vetëm një vit me kusht dhe nuk bëri asnjë ditë burg.)
Rregullat e përdorimit të materialeve sekrete janë shumë të shtrënguara, mbase me tepri, por ka arsye të forta se pse janë ashtu.
Nuk e di se çfarë do të ndodhë me dy presidentët. Mirëpo, që të dy do të ishte mirë të tregonin pak më shumë pendesë e mirëkuptim thjesht për respekt të dhjetëra punonjësve amerikanë të shtetit që janë dënuar, kanë vuajtur e u është shkatërruar karriera dhe jeta për shumë më pak.