E pashembullt për shtetet moderne: Djali i Vuçiqit ishte pjesë e delegacionit shtetëror të Serbisë

Beograd, 9 janar 2023 – Danilo Vuçiq, djali i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte pjesë e delegacionit shtetëror të Serbisë në ceremoninë e shënimit të Ditës së Republikës Serbe, në Banjallukë dhe në Sarajevën lindore.

Vuçiqi i riu ishte në tribunë në mesin e të ftuarve dhe mysafirëve të nderit, si edhe autoriteteve më të larta shtetërore të Republikës Serbe. Jo larg tij ishte edhe Darko Mlladiq, djali i kriminelit famëkeq të luftës, gjeneralit të ushtrisë serbe Ratko Mlladiq.

Shenimi i Dites se Republikes Serbe, te-shenjuar; Danillo Vuciq (ne anen e majte) Darko Mlladiq (në anën e djathte)

Shenimi i Dites se Republikes Serbe, te-shenjuar; Danillo Vuciq (ne anen e majte) Darko Mlladiq (në anën e djathte)

Pjesëmarrja e Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit të Serbisë, konsiderohet si akt i pashembullt në historinë e shteteve modern nga njerëz me mendje të shëndoshë, edhe në Serbi.

“Në historinë botërore është e pashembullt që presidenti i një shteti të dërgojë djalin e tij në një ceremoni shtetërore të një shteti tjetër, siç bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, i ka thënë  gazetës “Danas” Boshko Jakshiq, analist i politikës së jashtme.

“Vërtet nuk di ndonjë shembull të tillë”, ka thënë ai.

Jakshiq ka thënë se kjo është dëshmi e nepotizmit dhe ka theksuar se diçka të tillë nuk kishin bërë as liderët autokratë të vendeve socialiste, madje as Stalini dhe Tito.

Përtej kësaj, për Jakshiqin, pjesëmarrja e Vuçiqit të ri përbën edhe njëfarë nënçmimi i ceremonisë.

“Në qoftë se u përmbahemi të gjitha formaliteteve diplomatike, kjo është njëfarë përçmimi i ceremonisë. Të dërgosh djalin në një delegacion shtetëror, kjo është përtej çdo egoje”, ka thënë Jakshiq.

Sociologja Vesna Peshiq, e cila është aktiviste shumë e respektuar e shoqërisë civile në Serbi, ka thënë se, ç’është edhe më e keq, Danilo Vuçiq nuk është djalosh për t’u marrë shembull.

Ajo ka thënë se ky veprim i Vuçiqit shpreh edhe “hamendësimet më të errëta”.

“Mund të hamendësohet se ai (Vuçiqi) ndoshta po e përgatit trashëgimtarin e tij, me që shpesh flet për përfundimin e mandatit të tij (presidencial). Kjo nuk ëshgtë shumë e besueshme, por gjithçka është e mundur kur bëhet fjalë për Vuçiqin”, është shprehur zonja Peshiq.

“Ku i dihet? Gjithçka është e mundur në shoqëri të dështuara siç është Serbia”, ka theksuar ajo.

Presidenti serb ka reaguar me arrogancë ndaj shkrimeve kritike për pjesëmarrjen e djalit të tij në ceremoninë e shënimit të Ditës së Republikës Serbe. Ai ka thënë se dashuria për Republikën serbe dhe për popullin serb në Kosovë janë gjërat më të rëndësishme të djalit të tij.

“Si baba, jam krenar që dashuria për Republikën Serbe dhe për popullin tonë në Kosovë është më e rëndësishme se të gjitha çështjet tjera dhe shpresoj se unë kam kontribuuar sadopak që ai të edukohet në këtë mënyrë. Kurse tani, shkruani çfarë të doni”, ka shkruar Vuçiqi plaku në Facebook.

Dita e Republikës Serbe është shpallur festë kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e Hercegovinës.

(r.m.)