Astrit Lulushi
Njeriu bëhet i vjetër, por veprat e tij qëndrojnë edhe kur ikën. Ka të tjerë që sulmojnë idetë e vjetra për t’i zëvendësuar me gjithçka të re të pa testuar.
Në vitin 1776 u botua në Londër libri “Historia e tkurrjes dhe e rënies së Perandorisë Romake” i Eduard Gibbon. Libri është një kurs i mirë për njohuritë, besimet dhe qëndrimet e njerëzve rreth historisë romake dhe popujve të përfshirë në ‘të.
Gibbon krijoi shprehjen historike “një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, por është më pak i njohur se brendësia e Amerikës”. Ai dha edhe një përshkrim dhe vlerësim të heroit tonë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Gibbon zhgënjehet me Barletin që nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, atit të heroit, por gabon kur thotë se Skënderbeu vdiq më 1466. Viti 1468 i përcaktuar nga Fan Noli, tashmë është pranuar si viti i saktë i vdekjes së heroit.
Gibbon kritikoi edhe kultin e individit, kur fati i një populli lidhet ngushtë me atë të një personi dhe e argumenton me ngjarjet që ndodhën pas vdekjes së Skënderbeut.
Pavarësisht se “Historia e tkurrjes dhe e rënies së Perandorisë Romake” është një vepër monumentale me shumë referenca, historianë të kohës sonë nuk e rekomandojnë si burim të mirë për historinë romake/bizantine.
Veçanërisht me shpikjen e internetit, thonë ata, është e lehtë të gjënden përkthime të burimeve parësore dhe shumë burime dytësore më të mira se sa ofron Gibboni; se ka dokumente shumë të detajuara për të cilat ai ka gabuar; dhe se nuk kishte përfitimin e arkeologjisë moderne.
Gibbon ishte mjaft i mirë për kohën e tij (në fakt, më i miri). Ai flet për rënien e perandorisë romake duke nënkuptuar se ajo përfundoi në vitin 476 me rënien e pjesës perëndimore, por më pas vazhdon të flasë për pjesën lindore. Ai e quan pjesën bizantine të historisë “një përrallë të lodhshme dhe uniforme dobësie dhe mjerimi”.
Gibbon krijon përshtypjen për ndjenjën e një rënie të vazhdueshme të perandorisë, që në fakt nuk është e vërtetë. Ndoshta perandoria romake nuk arriti kurrë madhësinë që kishte nën Trajanin, por kjo nuk do të thotë se ajo gjithmonë ishte në tkurrje. Kishte shekuj kur ajo u rrit në përmasa, fuqi, pasuri, kulturë.
Por, po, vepra e Gibbonit është një lexim i rëndësishëm për të gjithë të interesuarit për historinë dhe letërsinë e shekullit të 18-të, pasi ishte një best seller në kohën e vet.