EBA: Ish-avokati i Khashoggit dënohet me tre vjet burgim

Abu Dabi, 17 korrik 2022 – Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë dënuar një qytetar amerikan, avokat për të drejtat e njeriut, i cili më herët kishte shërbyer si avokat i gazetarit të vrarë Jamal Khasshoggi.

Asim Ghafoor u dënua me tre vjet burgim nën akuzat për pastrim parash dhe evazion fiskal.

Ai do të dëbohet nga shteti, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve, WAM.

Gjykata në Abu Dabi për pastrimin e parave po ashtu urdhëroi Ghafoorin që të paguajë një gjobë prej 800.000 dollarësh, që rrjedh nga dënimi në mungesë.

Gazetari saudit Khashoggi, u vra nga agjentët saudit më 2018 në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, në një operacion që sipas inteligjencës amerikane, e ka miratuar Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman.

Njoftimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe vjen një ditë pasi organizata me seli në Uashington, Demokraci për Botën Arabe (DAWN), ngriti alarmin lidhur me arrestimin e Ghafoorit në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait.

DAWN tha se Ghafoor, që është pjesë e organizatës, ishte nisur për në Stamboll për të marrë pjesë në një dasmë.

Një zyrtar i administratës amerikane u tha gazetarëve më 16 korrik se SHBA-ja është në dijeni të arrestimit të avokatit Ghafoor, por nuk tregoi nëse presidenti Joe Biden e kishte ngritur këtë çështje gjatë bisedës me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe në margjinat e samitit arab, që u mbajt në Arabinë Saudite.

“Nuk ka asnjë tregues se ky rast ka të bëjë me çështjen Khashoggi”, tha ky zyrtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ka ngritur çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme, që përfundoi më 16 korrik.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar qindra aktivistë, akademikë dhe avokatë pas gjykimeve të padrejta për vepra të ndryshme penale.

(REL)