Edhe 7 vjet burg për ish-kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski

Shkup, 22 prill 2022 – Gjykata Penale në Shkup e dënoi me shtatë vjet burg ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili u shpall fajtor për korrupsion në rastin në rastin e njohur si “Parcelat në Vodno”.

Gruevski u dënua në mungesë, pasi ai ndodhet në arrati, në Hungari.

Për të njëjtën vepër u dënua edhe kushëriri i tij i parë, Sasho Mijalkov, ish-shef i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (shërbimi sekret shtetëror). Zoti Mijalkov u dënua me 1 vit e 3 muaj burg. Ndërkaq, biznesmeni kontravers Orce Kamçev u dënua me një vit heqje lirie.

Këtyre të fundit u llogaritet në denim edhe koha e kaluar paraburgim apo në arrest shtëpie, afër një viti.

Veç dënimit me burg, Gruevskit dhe Mijalkovit do t’u konfiskohen të gjitha pronat, përveç dy banesave që janë në emër të nënës së Gruevskit.

Gjykatësi i çështjes Ilija Tërpkov tha se Gruevski i kishte përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme 1.36 milionë euro nga partia e tij, VMRO-DPMNE, të cilat ishin donacione dhe fonde anëtarësimi. Ai tha se Gruevski kishte bërë pastrimin e parave dhe me to kishte blerë parcela në Vodno, një lagje e njohur elitare – për 11 mijë euro.

Gjykatësi tha se për përvetësimin e shumave të mëdha të parave kanë dëshmuar dhe Gordana Jankullovska dhe Martin Protogjer (ish-bashkëpunërtorët e Gruevskit), ndërsa dëshmitarë të tjerë kanë pranuar se kanë lënë shuma të mëdha parash në selinë e partisë, të nxitur nga Koce Trajanovski, ish kryetari i Komunës së Shkupit.

Sipas gjykatësit, paratë ishin dërguar në të ashtuquajturat parajsa fiskale në Belize, prej nga ishin kthyer në Maqedoninë e Veriut, përmes bankës “Stopanska banka – Manastir”. Më pas, si para të biznesmenit Kamçev, ishin dërguar përsëri në Belize dhe ishin kthyer në kompaninë e tij “Orka Holding” në Shkup.

Në bisedat telefonike twb regjistruara kuptohet se motra e Kamçevit i kishte blerë aksionet e një kompanie të Gruevskit në shkëmbim të tri banesave në kompleksin “Panorama residence” në Vodno të Shkupit. Gjykatësi tha se të gjithë e dinin se bëhej fjalë për para të fituara në mënyrë të paligjshme.

Prokurorja e rastit Lile Stefanova u tha gazetarëve se ishte e kënaqur me vendimin e gjykatës për konfiskimin e pronave, por jo me masën e dënimit me burg, të cilën ajo e quajti të ulët.

“Shtetit do t’i kthehen mjete dhe prona të fituara me anë të veprave penale”, u shprej prokurorja, e cila la të kuptophej se vlera e tregut të pronave llogaritet në rreth tre milionë euro.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, në një postim në Facebook, shkroi se asi ndhejet i tradhëtuar nga bashkëpunëtorët e tij. Sipas tij, ata “kanë pranuar ta ngarkojnë atë me faj, për të mbrojtur veten e tyre”. Ai i akuzon autoritetet në Shkup për “përndjekje politike kundër tij”.

Nikolla Gruevski ishte dënuar me burg edhe më parë, për raste të tjera gjyqësore. Ai është i akuzuari kryesor edhe për ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, në prill të vitit 2017.

Autoritetet maqedonase kanë kërkuar ekstradimin e Gruevskit në Maqedoninëe Veriut, por autoritetet hungareze e kanë refuzuar këtë kërkesë.

(r.m.)