Bruksel, 8 prill 2024 – Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian (BE) e ka kritikuar Listën Serbe që mori vendim ta bojkotojë referendumin për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë se blloku shpreh keqardhje për vendimin e Listës Serbe, duke theksuar se pjesëmarrja në këtë referendum është kusht për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në këto katër komunat në veri të Kosovës.
“Ne i kemi përcjellur shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës në lidhje me procesin që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe i bëjmë thirrje elektoratit serb të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehë opinionin politik në kutinë e votimit”, ka thënë ai në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
Aty thuhet se “zgjedhjet e reja për kryetar komune do të siguronin një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonin në shtensionimin e situatës” dhe theksohet se “vota për largimin e kryetarëve aktual është një hap në këtë drejtim”.
“Që kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit në nëntor të vitit 2022, BE-ja me partnerët është angazhuar me Kosovën dhe Serbinë për të mundësuar kthimin e tyre në institucione. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, akuzoi të dielën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Ai tha se një ndër arsyet e marrjes së vendimit për mospjesëmarrje në referendum është, siç u shpreh, “fryrja e listave të votuesve” në dëm të serbëve.
Aktualisht Mitrovica Veriore, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Vendimi që me 21 prill të votohet për largimin e tyre nga detyra u mor pas nënshkrimit të një peticioni të mbi 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote të secilës prej këtyre komunave.
Për largimin e kryetarit të një komune duhet të votojnë mbi 50 për qind e votuesve.
(r.m.)