Hagë, 9 dhjetor 2024 – Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është deklaruar plotësisht i pafajshëm në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, ku po përballet me aktakuzën e ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.
Pala mbrojtëse ka thënë se nuk do të tentojë të bindë gjykatësen pse ka gabuar që ka kërkuar arrestimin e Kilajt, por ka shtuar se Kilaj ka treguar se është kandidat i mirë për lirim me kusht.
Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.
Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, ndërsa Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë, dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
((r.m.)