Prishtinë, 14 prill 2023 – Togeri Mendim Muçiqi nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka diplomuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai e ka përfunduar me sukses programin 1-vjecar për udhëheqje të oficerëve të rinj.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka njftuar se në ceremoninë e gradimit, para Mbretit Charles, ka marrë pjesë edhe Gjeneral Brigade Jeton Dreshaj, Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës të FSK-së.
“Urime togerit Mendim Muçiqi nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i cili ka diplomuar me sukses në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst pas përfundimit të programit njëvjeçar të udhëheqjes së oficerëve të rinj – një përvojë intensive, sa kërkuese fizikisht aq edhe sfiduese nga ana akademike. Ne ishim të nderuar të shihnim togerin Muçiqi të gradohej para Mbretit Charles III, në Paradën e 200-të të Sovranit, së bashku me Gjeneral Brigade, Jeton Dreshaj, Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës”, ka shkruar Ambasada Britaninë Facebook.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës në edukimin e oficerëve të rinj.
“Si aleat të Kosovës, ne do të vazhdojmë të mbështesim Forcat e Armatosura të saj dhe të ndihmojmë në edukimin e oficerëve dhe nënoficerëve të rinj në institucionet tona ushtarake më prestigjioze. Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka trajnuar më shumë se 25 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sandhurst dhe angazhimi ynë për të edukuar një gjeneratë të re të FSK-së është i palëkundur”, thuhet në njoftim.
Në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst kanë diplomuar edhe pjesëtarë të tjerë të FSK-së. Njëri prej tyre ka shërbyer atje edhe si instruktor.
(r.m.)