Edhe një shpërthim tjetër pranë aeroportit të Kabulit

Kabul, 26 gusht 2021 – Të paktën dy shpërthime kanë ndodhur të enjten pranë aeroportit të Kabulit.

Shpërthimi i parë ka ndodhur pranë njërës nga hyrjet kryesore të aeroportit, ndërsa shpërthimi i dytë ka ndodhur pranë hotelit “Baron” që ndodhet afër aeroportit.

Ende nuk dihet numri i viktimave dhe të plagosurve. Sipas raportimeve të para, në shpërthimin e parë janë vrarë së paku 13 persona, ndërsa në shpërthimin e dytë janë vrarë së paku 2 persona.

Pentagoni njoftoi se në shpërthimin e dytë mesin e të plagosurve ka edhe pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe civilë amerikanë.

Sekretari i shtypit të Pentagonit John Kirby konfirmoi se në shpërthimin e dytë, pranë hotelit “Baron”, janë plagosur edhe disa shtetas amerikanë, ushtarë dhe civilë.

Agjencia Associated Press citon zyrtarë rusë të kenë thënë se në sulmin vetëvrasës pranë aeroportit të Kabulit janë vrarë të paktën 2 persona dhe janë plagosur 15 të tjerë.

Një afgan, dëshmitar i shpërthimit të pare, ka thënë se ai i ka parë disa të vrarë dhe të plagosur që gjendeshin në turmën e njerëzve që prisnin jashtë hyrjes në aeroport.

Adam Khan ka thënë se disa njerëzve u mungonin gjumtyrë e pjesë të trupit. Ai ka thënë se gjendej 30 metra larg vendit të shpërthimit.

Shpërthimet e së enjtes ndodhën në kohën që vendet perëndimore po përpiqen të evakuojnë njerëzit e tyre dhe afganët që u kanë shërbyer para se Afganistani të kontrollohej nga talibanët.

Para se të ndodhnin shpërthimet, qeveritë e vendeve perëndimore paralajmëruan për rrezikun e sulmeve terroriste në aeroportin e Kabulit, ku është grumbulluar një numër i madh njerëzish që duan të largohen nga Afganistani. Qeveritë perëndimore u kërkuan shtetasve të tyre që gjenden në këtë zonë të zhvendosen në një vend më të sigurtë.

(r.m.)