Edhe PDK e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

Prishtinë, 26 dhjetor 2023 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë e ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

Disa ditë më parë të njëjtën gjë i kishte bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, Ferat Shala, nga PDK-ja tha se ky ligj, i miratuar më 15 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës, është diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.

Ai tha se me këtë, Qeveria e Kosovës po tenton “të kapë” resurset dhe ndërmarrjet, që sipas tij, veçse i menaxhon.

“Por, sikur nuk mjafton ky menaxhim dhe dështimet ekonomike që ka arritur në këto tre vjet në këto ndërmarrje, tash po orvatet të vendosë një superstrukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja të tjera të kontrollit mbi këto asete”, tha Shala.

Fondi Sovran synon të menaxhojë pasurinë më të rëndësishme publike të Kosovës.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu, tha se besojnë se Kushtetuesja do të shpallë jokushtetues ligjin.

Ai tregoi disa nga çështjet që PDK-ja i ka kontestuar.

“Së pari, në pikëpamje të titullit ligjor, ndërmarrja apo superstruktura mega-ekonomike që po krijohet me Fondin Sovran, e ka titullin ‘Shoqëri aksionare’, por kjo është ‘shoqëri e shoqërive aksionare’ sepse dhjetëra ndërmarrje të tjera publike do t’i nënshtrohen asaj dhe përballë saj nuk do të ekzistojnë në pikëpamjen juridike. Kjo nënkupton se krijohen pabarazi, krijohen pasiguri juridike, element që përbën thelbin e sundimit të ligjit si dhe vlerë në kuptimin e nenit 7 të Kushtetutës”, tha ai.

Sipas tij, 11 nene të ligjit janë në mospërputhje me shtatë nene të Kushtetutës.

“I tillë është edhe neni që flet për rolin investues të Fondit Sovran si dhe krijimin e ndërmarrjeve, që njihen si ndërmarrje private që do t’i mbështesë fondi. Në këtë mënyrë krijohen monopole në treg si sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private, sipas dëshirës së tij, pa kushte e pa kritere, do të investojë dhe në raport me to do të ketë diskriminim, sepse ndërmarrjet tjera, qoftë private apo publike, do të jenë të diskriminuara”, tha Fetahu, duke shtuar se përzgjedhja e ndërmarrjeve private, në të cilat Fondi do të investojë, përbën cenim të konkurrencës së cilës dhe të parimeve të ekonomisë së tregut.

PDK-ja po ashtu ka kontestuar përbërjen e bordit, ku parashihet të marrin pjesë edhe udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Përfshirja e përfaqësuesve të dy institucioneve të pavarura, sipas PDK-së përbën konflikt të hapur të interesit.

Fetahu tha po ashtu se Ligji për Fondin Sovran ka një nen që parasheh anashkalimin e Ligjit për prokurimin publik.

“Bëhet fjalë për miliona dhe miliarda asete nuk do t’i nënshtrohen këtij ligji”, tha ai.

Në Fondin Sovran pritet të përfshihen ndërmarrjet publike sikurse: Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, Trainkos-i dhe Infrakos-i.

(REL)