EDHE UNË ÇAM JAM — PËR TË MOS E HARRUAR KURRË ÇAMËRINË!

Nga Frank Shkreli

Sali Bollati i mbijetuari i Çamërisë dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës “Çamëria” dekorohet nga Këshilli i Bashkisë Nju Jork, Nëntor, 2019 – në foto me Z. Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të qytetit.

Megjithëse kaluan disa javë nga dita që shënoi 30-vjetorin e themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, më 10 Janar të vitit 1991, për mua nuk është kurrë vonë që të flitet dhe të kujtohet Çamëria Shqiptare — në përvjetorë që duhet të shënohen dhe kurdoherë tjetër – dhe të kujtohet gjithmonë në të gjitha dimensionet e tragjedisë së saj.

Ia vlen që në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës Patriotike, “Çamëria”, t’i kujtojmë edhe njëherë lexuesit se megjith hallet dhe telashet e sotëme të shqiptarëve, Çamëria nuk duhet të harrohet, por të kujtohet si një tragjedi kombëtare e shekullit 20.  Kjo Shoqatë, është themeluar pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, 30-vjetë më parë në Tiranë, nga intelektualët e dalluar çamë si Abaz Dojaka, Hasan Minga, Sali Bollati, Petrit Demi, Ilmi Saqe, Lutfi Saqe, Petrit Kasemi, Bashkim Braho, Qani Biraçi, Nexhat Mergjushi, Ferhat Sejko, Arshi Rexho, Resul Taipi etj.  Shoqata “Çamëria”, ç’prej fillimit i ka venë vetes misionin e shenjtë për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të bërë të njohur – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — gjenocidin e kryer nga forcat shoviniste greke në vitet 1940-ave të shekullit të kaluar, si dhe për të rivendosur të drejtat themelore universale të njeriut në trojet e tyre, mohuar çamëve shqiptarë, për pothuaj një shekull tani.

Këtu në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara jeton dhe vepron, patrioti çam, shqiptaro-amerikani i respektuar i komunitetit, Z. Sali Bollati, lindur në Paramithi të Çamërisë — njëri prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria në Shqipëri– dhe një ambasador i vërtetë i çështjes çame këtu në Amerikë dhe më gjërë, një veprimtar i palodhëshëm i Çamërisë martire në të gjitha dimensionet e vuajtajeve dhe padrejtësive që i janë bërë e vazhdojnë të bëhen kundër saj.  Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë 30-vjeçare të Shoqatës, “Çamëria” vazhdon të jetë, sipas vet Shoqatës, “Institucionalizimi i Çështjes Çame përmes Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera deri në zgjidhjen përfundimtare të saj”.

Tragjedia e Çamërisë mbetet e tillë për shqiptarët dhe vazhdon të mbetet si një fitore e forcave më të errëta të Luftës së Dytë Botërore.  Është një tragjedi që duhet të rendojë në shpirtërat dhe zemërat e shqiptarëve ashtu siç duhej të rëndonte edhe masakra e Tivarit dhe shumë masakra të tjera ndaj  shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare.  30-vjetori i themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, thërret me zë të lartë për një shqyrtim të ndërgjegjës të atyre që kanë shkaktuar këtë tragjedi, por ky përvjetor përbën gjithashtu një rast të mirë për një apel të gjithë shqiptarëve – sidomos atyre në pushtet — për një shqyrtim të vet ndërgjegjes tonë si shqiptarë, jo vetëm për krimet e të huajve ndaj shqiptarëve, por edhe për krimet e kryera nga shqiptari kundër shqiptarit, gjatë shekullit të kaluar.  
Qytetërimi nisë pikërisht aty, me shqyrtimin e ndërgjegjës, ka thenë me një rast Ismail Kadare: “Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë.  Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë”. (NgaFjalimi i Kadaresë me rastin e dhënies së një Çmimi prestigjoz në Izrael, 2015).  Dihen përpjekjet due fushatat e fqinjëve për zhdukjen e popullit shqiptar gjatë dekadave dhe shekujve të kaluar nepërmjet spastrimeve etnike, shpërnguljeve të detyrueshme dhe masakrave, siç ishte ajo e Çamërisë, e Tivarit dhe lufta e fundit në Kosovë, ndër të tjera. Si askund tjetër në Evropë e ndoshta edhe në botë e gjithë harta e trojeve shqiptare është një skenë masakrash, krimesh, spastrimesh etnike, shpërnguljesh me dhunë dhe dëbimesh barbare të shqiptarëve.

Autori me Z. Sali Bollati, të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamërinë Shqiptare dhe njëri prej patriotëve që themeluan Shoqatën “Çamëria” në Tiranë, 30-vjetë më parë – në Sallën e Këshillit të Bashkisë -- New York, Nëntor, 2019

Uroj që gjatë “Javës Çame”, të shënuar muajin që kaloi, autoritetet shqiptare të kenë reflektuar edhe mbi përpjekjet aktuale dhe në vazhdimësi nga Greqia, Turqia dhe Serbia – për të ndryshuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta– brenda kufijve aktualë të Shqipërisë — duke “mbjellur” varreza dhe monumente të okupatorëve shekullorë, grekë, turq dhe sllavë.   Fatbardhësisht, zhdukja fizike e shqiptarëve gjatë shekujve, me masakra, spastrime etnike dhe shpërngulje të detyrueshme, sot në shekullin XXI, është pak më e vështirë se në të kaluarën, falë mbështetjes historike dhe të pa hile të miqëve të vërtetë perëndimorë të Kombit shqiptar. Por, siç tregojnë monumentet greke, turke e sllave në territorin shqiptar, përpjekjet e këtyre “vendeve strategjike” dhe “popujve miqë” nuk kanë pushuar të mësyjnë tokat shqiptare duke “mbjellur” varreza, e monumente të ushtarëve e të “heronjve” të tyre në trojet shqiptare, përfshir edhe zemrën e Tiranës, me miratimin e vet autoriteteve shqiptare.  Askush nuk reagon kundër, askënd nuk e vret ndërgjegjja kombëtare!

Autori i këtij libri, Z. Sali Bollati, pas vrasjeve barbare të 7 familjarëve të tij nga bandat shoviniste greke të Zervës me 27 Qershor, 1944, mbahet në burg në vendlindjen e tij në Paramithi, para se të dëbohej me dhunë nga trojet e tija stërgjyshore ashtu si mijëra shqiptarë çamë të tjerë – kryesisht gra, pleq e fëmij – dhe hynë në Shqipëri.

 “Java Çame” kishte si temë, “Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Çam Jam!”  Por, fatkeqësisht, shqiptarët kujdesën më shumë për të huajt, “Duke u dhënë pas doktrinave të huaja shterpa e miqësive të mbrapshta, u harruan për fat të keq shpeshherë njerëzit tanë të gjakut, ata që kanë qenë e janë pjesë e Trungut Shqiptar të Pavdekshëm. Ajo ka qenë pjesë e një harrese të madhe për të cilën Kombin Shqiptar do ta vrasë ndërgjegjja për një kohë të gjatë.” (Ismail Kadare në përshëndetjen drejtur gazetës Çamëria-Vatra Amtare, 1992, cituar në librin e Sali Bollatit, “Çamëria, Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare

Në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës “Çamëria”, unë i bashkohem përpjekjeve të kësaj Shoqate kundër asaj që ajo cilëson si, “nismave për ta ‘mbjellë’ Shqipërinë me varreza të ushtarëve grekë, duke kërkuar ngritjen e një memoriali për martirët e gjenocidit grek në Çamëri” të lenë pa varre. Por, jo vetëm kundër varrezave greke, por edhe kundër ndërtimit (natën) të monumenteve turke dhe sllave në Shqipëri, ngritur vitet e fundit, me miratimin e autoriteteve shqiptare.  Edhe për këtë, nevojitet një shqyrtim i thellë i ndërgjegjës kombëtare të autoriteteve më të larta shqiptare. Hiqni dorë nga “doktrinat e huaja shterpa dhe miqësitë e mbrapshta” dhe mos harroni “njerërzit tanë të gjakut”.

Shqiptarë jemi aty dhe atje ku na fali Zoti.  Edhe unë, një shqiptaro-amerikan, me origjinë nga Malësia e Madhe, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjysëm shekulli, me krenari dhe me ndjenja të thella vëllazërore, deklaroj: Çam jam!