Edi Rama: 21 Janari tjetër nuk do ta gjejë Shqipërinë të kapur për fyti

Kryeministri Sali Berisha ngushëllon familjet e viktimave, por shton se “vrasjet janë përgjegjësi” e kryetarit socialist

 

Partia Socialiste dhe opozita manifestuan në heshtje për të nderuar katër persona që humbën jetën të vrarë me armë zjarri në protestën e 21 janarit 2011. Nën tingujt e marsheve funebre mijëra persona të ardhur nga gjithë vendi, familjarë, udhëheqës të opozitës dhe qytetarë mbanin në duar fotografitë katër viktimave Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Manifestuesit ecën përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Kombit” paraditen e së hënës deri pranë selisë së qeverisë ku vendosën lule dhe u përulën përpara fotografive të viktimave të vendosura ku humbën jetën. Manifestimi u zhvillua qetësisht dhe nën vëzhgimin e forcacve të rendit që garantuan mbarëvajtjen. Mandej, në sallën e kinemasë “Millenium” u shfaq një dokumentar për ngjarjet e 21 Janarit. Kryetari socialist Edi Rama u zotua për vrasjen “e Ziverit, Aleksit, Hekuranit dhe Faikut duke u pëshpëritur “drejtësia u bë, fajtorët u ndëshkuan”!
“Unë që sot mund të them pa asnjë fije dyshimi se 21 Janari tjetër nuk do ta gjejë Shqipërinë më të kapur për fyti”-shtoi zoti Rama duke iu referuar asaj që e vlerëson si kapje të shtetit nga qeveria dhe veçanërisht nga kryeministri Sali Berisha. “Vetëm largimi i pushtetit që vrau mund ta afrojë ditën e ndëshkimit për vrasjet”-tha zoti Rama.
“Shqipëria sot është edhe më e padrejtë se 2 vjet më parë”, – vijoi kryetari socialist Rama duke kujtuar ecurinë e gjykimit të 21 janarit. “Vrasjet në bulevard janë pasuar nga rivrasjet në çdo seancë të procesit gjyqësor, por ne nuk kemi asnjë iluzion. Asnjë iluzion nuk duhet të ketë kushdo që do drejtësi për ngjarjet e 21 Janarit. Më 21 janar të vitit 2014 ne do t’i shpallim “Dëshmorë të Atdheut”-premtoi kryetari i PS-së në fjalën që mbajti sallën e kinemasë.
Më parë, të dielën, kryetari socialist theksoi angazhimin për të mos harruar dhe për të zbardhur ngjarjen e dy vjetëve më parë: “21 Janari është nga ato ngjarje që një vend nuk ka mundësi t’i harrojë, sepse është një plagë që do të mbetet e hapur deri kur drejtësia të veprojë, plagë që kombet nuk i mbyllin dot me sytë e harresës. Do të bëjmë çmos për ta shëruar përmes drejtësisë”.
Por, këndvështrimi i kryeministri mbetet krejtësisht i ndryshëm për 21 Janaritn 2012. Në mbledhjen me deputetët e Partisë Demokrtaike, Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi familjet e viktimave, por theksoi se “vrasjet janë përgjegjësi” e kryetarit socialist. “Duke shprehur edhe njëherë ngushëllimet e mia familjeve të viktimave të Edi Ramës, i kërkoj të ndërpresë çdo formë presioni ndaj drejtësisë”. Kryeministri garantoi siç tha qytetarët, se “qeveria do të bëjë gjithçka që e vërteta të dalë në shesh”, për shkak të synimit të zotit Rama për të “mbajtur fjalim” nga zyra e tij. “Njerëz të hurit dhe të litarit, të cilët erdhën për të përmbysur pushtetin me dhunë dhe krijuan viktima vetëm e vetëm se zoti Rama donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës time. Dhe, tani përpiqet të mbledhë vota me kortezhe mortore, për të cilat ai ka përgjegjësi maksimale”.
Opozita akuzon Gardën e Republikës për vrasjen e katër protestuesve. Protesta e 21 janarit u organizua nga opozita pas videopërgjimit të ish-ministrit Dritan Prifti me dyshime korrupsioni të ish-ministrit tjetër Ilir Meta, i cili fitoi pafajësinë më pas në Gjykatën e Lartë. Në protestën e 21 Janarit u lënduan dhjetëra civilë, gardistë e policë gjatë sulmit për pesë orë të selisë së qeverisë me shishe “Molotov”, gurë, shkopinj dhe mjete të forta. Qeveria thotë se opozita organizoi grusht shteti, ndërsa Kuvendi ngriti Komision Hetimor për veprim kriminal për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues. Qeveria akuzoi gjithashtu për bashkëpunim ish-Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ish-Presidentin Bamir Topi dhe hodhi dyshime për ish-Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Gjykata vazhdon procesin pasi Prokuroria e Përgjithshme akuzoi për vrasje një ish-ushtar si dhe ish-Komandantin e Përgjithshëm të Gardës së Republikës.