Nga Ruben Avxhiu
Një situatë interesante është krijuar, e mbarsur me një thes me ironi, nëse e ndjek nga këndvështrimi shqiptarit, me potencialin e Edi Ramës për të dalë si kryendërmjetësuesi për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi.
Nëse nuk e keni ndjekur ngjarjen e ditës në rang botëror, një nga diktatorët më jetëgjatë në botë, Presidenti Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë (apo Rusisë së Bardhë) po përballet me sfidën më të madhe të jetës së tij në politikë.
Opozita sipas të gjitha gjasave fitoi zgjedhjet e fundit në vend. Pavarësisht se i gjithë shteti është i angazhuar që të sigurojë fitoren e radhës të votës së vjedhur nga Lukashenko, njerëzit duket se janë lodhur aq shumë sa demokracia ka fituar edhe aty ku dukej e pamundur.
Ashtu si e do natyra e diktatorit që mendon se demokracia në vend është thjesht një fasadë, Lukashenko ndjehet i tradhëtuar edhe i vjedhur. Populli punon për të dhe jo anasjelltas. Marshimet e protestave në rrugë pas zgjedhjeve kanë qenë masive. Antimitingjet e Lukashenkos me njerëz që i sjell me autobusë kanë qenë të ngordhura. Në një rast e përqeshën në masë, si Çausheskun dikur në antimitingun e fundit.
Lukashenko që është munduar të krijojë një distancë nga Putini tani po i lutet që ta shpëtojë nga “armiku i jashtëm”. Po diktatori rus, ndonëse i sheh me dyshim rrëzimet e udhëheqësve autoritarë si ai, nuk para përzihet nëse protesta nuk ka nota anti-ruse apo pro-BE e pro-NATO. Revolta në Bjellorusi duket tërësisht autoktone. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës e duan ndryshim.
Bashkimi Europian ka vendosur sanksione kundër Minskut. SHBA ka kërkuar që demokracia të lejohet të marrë frymë.
Tani, mund të mos ketë lidhje, por pashë një postim në Tuitër nga Veton Surroi që kritikonte tërthorazi Ramën dhe drejtpërdrejt OSBE-në që nuk po përfshihej në këtë krizë si të gjitha organizatat e tjera.
Pak orë më vonë, OSBE komentoi për zhvillimet në Bjellorusi dhe ofroi të ndërmjetësonte.
Për ata që e kanë harruar – çfarë nuk ka ndodhur këtë vit ndaj u falet – Shqipërisë i ka rënë radha të kryesojë OSBE-në këtë vit. Vendi i vetëm në Europë që refuzoi të bashkohej në themelimin e saj kur u nënshkrua Akti i Helsinkit, mori drejtimin e saj në 1 janar.
Meqë Shqipëria nuk ka ministër të Jashtëm me fuqi të plota, rolin e kryetarit të OSBE-së e kryen Edi Rama.
Pra, Edi Rama është ofruar të zgjidhë krizën kryesore të ditës në lajme. Kjo mundësi – që mesiguri i bën që të mbushen me krenari socialistët shqiptarë dhe të kukurisen së qeshuri, në mos të ndjehen të ofenduar demokratët dhe kundërshtarët e tjerë të kryeministrit – në fakt, mund të bëhet realitet.
Së pari ishte SHBA që i bëri thirrje Lukashenkos që të pranonte që OSBE të ndërmjetësonte mes tij dhe opozitës.
Pas kësaj, Presidenti Putin i Rusisë e përkrahu idenë. Po kështu edhe Presidenti francez Macron që i komunikoi Kancelare Angela Merkel, se Lukashenko është përgjigjur se nuk e pranon ndërmjetësimin.
Po vështirë se diktatori i Bjellorusisë do t’i thotë “jo” Putinit.
Papritur Rama, që ka krijuar disa situata të debatueshme kur është shprehur publikisht në CNN për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, apo për Brexitin, në Mbretërinë e Bashkuar, apo për ballkanasit që do të gjejnë miq të tjerë nëse nuk i pranon BE-ja (supozohet Turqia, Kina, Rusia etj), ka rastin tani të përfshihet përsëri në një debat ndërkombëtar të ditës.
Situata, nuk mund jetë më ironike për opozitën shqiptare që sheh te Rama versionin shqiptar të Lukashenkos. Kryeministri i Shqipërisë ka grumbulluar më shumë pushtet personal se çdo udhëheqës shqiptar që prej rënies së komunizmit në Shqipëri. Ndonëse opozita ia ka bërë shumë më të lehtë punën me braktisjen e Kuvendit dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, Rama ka grumbulluar më shumë fuqi sesa duhet të ketë një drejtues qeverie në një republikë parlamentare. Ai nuk ka asnjë rival në partinë e tij. Kuvendi nuk ka pavarësi nga qeveria dhe aprovon çdo nismë të Ramës. Ministrat kryesorë që kanë pasur më shumë personalitet janë ndërruar dhe të rinjtë sillen më shumë si zëvendësministra me Ramën që është praktikisht ministër i çdo ministrie në kabinetin e tij, me përjashtim të asaj të Diasporës ku duket se Majko gëzon një lloj autonomie që nuk ia di arsyen.
Duhet të jetë në fakt një mundësi historike për Shqipërinë që nga një vend tërësisht i izoluar ka radhën jo vetëm që të drejtojë një organizatë të madhe po edhe të dëshmojë veten duke ndihmuar në zgjidhjen e krizës në një vend tjetër. Shqipëria është zakonisht vendi në krizë që ka nevojë për ndihmë. Është frymëzuese që kemi një situatë ku ndodh e kundërta. Arsyeja se pse kur u nisën disa mjekë nga Shqipëria për në Itali media ndërkombëtare e vlerësoi simbolikën.
Mirëpo, ne nuk kemi si të shkojmë krenarë drejt këtij rasti historik. Ashtu si pandemia që kishte mbërthyer Italinë tani po gllabëron Shqipërinë, edhe kriza e Bjellorusisë është një situatë që mund ta hasim shpejt në Shqipëri. Nëse niset drejt verilindjes së nxehur, Rama do të lërë pas një vend ku opozita kryesore është jashtë sistemit të demokracisë. Ku zgjedhjet e parakohshme janë shpërfillur, ndonëse kanë qenë e vetmja rrugë normalizimi. Ku përpjekja për të bërë një ligj zgjedhor të besueshëm nga të gjitha palët kryesore u injorua në “kilometrin e fundit”. Rama shkon të ndërmjetësojë, në një kohë kur dikush tjetër duhet të ndërmjetësojë midis atij vetë dhe opozitës së tij. Politikanët shqiptarë janë po aq të vështirë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve sa edhe ata bjellorusë.
Rama sigurisht nuk është Lukashenko, pavarësisht se ashtu e sheh opozita. Lukashenko fitoi zgjedhjet e para presidenciale në Bjellorusi dhe nuk zbriti më nga pushteti. Ai ka 26 vjet si president. Rama ka vetëm 7 vjet si kryeministër. Presidentin e ka kundërshtar politik. Në 2021, opozita mund ta rrëzojë në zgjedhje. Për inat të Ramës nuk mund të mohojmë epërsinë që ka demokracia e brishtë dhe plot defekte shqiptare me Bjellorusinë.
As nuk mund të presim që Rama të ngrejë duart e të thotë “nuk e meritoj të ndërmjetësoj”. Ai duhet të plotësojë detyrën si kreu i OSBE-së. Madje, nuk e mohoj edhe që do të kisha dëshirë që Rama të mund të bëhej pjesë e zgjidhjes në Bjellorusi. Një vatër konflikti më pak në Europë, një mundësi më shumë për demokracinë, një plus më shumë për diplomacinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Nuk druhem nëse Rama do ta përdorë për konsum të brendshëm në Shqipëri. Nuk besoj se votat shqiptare do të varen nga çfarë ndodh në Minsk, nëse vërtet i bie radha Ramës që të shkojë. Çdokush që flet e vepron në emër të Shqipërisë jashtë vendit, pavarësisht nga ndjenjat e mia personale për të, gëzon urimin tim për sukes.
Mirëpo, për hir të të vërtetës, pak janë në Europë ata udhëheqësh shtetesh e qeverish, më të papërshtatshëm për të ndërmjetësuar në emër të demokracisë sesa një udhëheqës i Shqipërisë.
Minimumi do të kisha preferuar që për këto arsye e të tjera, nëse vërtet pranohet ndërmjetësimi i tij, në emër të OSBE-së, Rama ta pranojë me modestinë e dikujt, i cili, vetë, në situata të ngjashme, nuk ka gjetur dot zgjidhje dhe ka pasur edhe vetë nevojë për ndërmjetësim. Modestia dhe ndërgjegjësimi për kufizimet e tij (dhe tonat) janë të vetmet mënyra të ndershme për t’iu përveshur këtij misioni me një fije dinjiteti dhe besueshmërie. Më së paku, prej këtij angazhimi, le të të dalin mësime për sfidat që presin përpara demokracinë shqiptare.