Tiranë, 21 qershor 2021 – Edi Rama ka vendosur të lëshojë bastionin e tij, Vlorën, dhe të marrë mandatin e deputetit të fituar në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet e 25 prillit.
Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryetarët e partive kishin mundësi të kandidonin në katër qarqe.
Rama kishte zgjedhur t’i shfrytëzonte dy mundësi, Vlorën dhe Durrësin, dhe në të dyja qarqet e fitoi mandatin e deputetit.
Deri vonë besohej se ai do të vijonte ta përfaqësonte Vlorën në Kuvend, por duket se ka vendosur ta pëefaqësojë Durrësin, për shkak të përplasjeve me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Rama në Durrës i ka fituar 15.871 vota, rreth 4 mijë më shumë se në Vlorë.
Pas këtij vendimi të Ramës, mandatin e deputetit nga Qarku i Vlorës e merr Teuta Ramaj, e cila ishte renditur e nënta në listën e kandidatëve në këtë qark.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta miratojë listën e deputetëve që do të ulen në parlament, në muajin shtator.
(r.m.)