Slogani i vërtetë i Partisë Demokratike nuk është “Përpara” por “Për para” – Nuk mund të pranojmë një situatë ku për shkak të korrupsionit, ikin 1.3 miliard dollarë
-Zoti Rama, a është dhënë leja e ndërtimit të pallatit 5-katësh të bashkëshortes tuaj në kundërshtim me nenin 62, të ligjit të Urbanistikës siç u akuzon PD, duke pasur parasysh që ky ligj, në nenin 62 të tij specifikon se as KRRT e Tiranës dhe KRRTRSH nuk mund të japin leje për hapësira të destinuara ndërmjet blloqe pallatesh. Pse bashkëshortja juaj nuk e ka deklaruar burimin e huasë prej 100 milionë lekësh. A do t’i ktheni përgjigje peticionit të 100 intelektualëve, që ju kërkon të miratoni tre ligjet. Ju mendoni se nuk janë mjaft për statusin, por a nuk duhet ta vendosi BE këtë gjë?
“Dua të jap këtë përgjigje, autorët e kësaj ofensive shpifjeve nuk meritojnë përgjigje, meritojnë përbuzje dhe kanë gjithë përbuzjen time. Ndërsa opinioni publik e meriton një shpjegim të plotë dhe do ta ketë një shpjegim të plotë. Kjo është përgjigjja ime.
Përsa i përket intelektualëve. Specia e intelektualit që pozicionohet pro pushteti dhe kundër opozitës është një specie e krijuar në rezervatin e Enver Hoxhës. Sot ajo është e degraduar dhe për këtë arsye është edhe qesharake.
Unë ndjej vetëm keqardhje dhe realisht një lloj dhembshurie të sinqertë njerëzore, njerëz të cilët sot në vitin 2013 në mes të Europës në një Shqipëri përgjithësisht të lirë edhe pse jo demokratike firmosin peticione kundër opozitës. Është e pashembullt, nuk gjendet në asnjë vend europian, në asnjë vend demokratik, nuk ndodh. Ja kemi edhe këtë një kusur kohës së Enver Hoxhës. Dhe ndërkohë jemi në djeni që në gjithë sektorin e shëndetësisë po bëhet një presion i pashembullt për të detyruar punonjësit të ndjekin këta 100-qindëshen me firmat e tyre. Nuk kemi informacion për sektorin e arsimit, por pres një falangë firmash më pas, është shumë e vjetër, është shumë bajate, nuk ka asgjë të re. Është për PARA, për PARA. Jo nga intelektualët, por nga ata që i vendosin në këtë trysni”.
-Zoti Rama ju folët për një situatë të rëndë ekonomike dhe e keni përsëritur shpesh që arka e shtetit është bosh. Nëse ju do të vini në 23 qershor në pushtet sa kohë do t’ju duhet që ta mbushni këtë arkë, sa kohë do t’ju duhen 1 milion të papunëve që juve t’ju presin, sa kohë flas të mandatit tuaj duhet që t’ju presin për një përmirësim të situatës, të asaj që ju thoni. Edhe një pyetje tjetër në lidhje me programin, akoma ka kritika që ju ende nuk keni një program politik. Kur do ta kemi një broshurë, që shqiptarët ta lexojnë, ndoshta duhet në formë më të detajuar, me premtime më konkrete?
“Ju lutem sillni një broshurë. Merreni, me shumë respekt në faqen e kuqe”.
-Jo unë e kam marrë, për gjithë kritikët flas.
“Kritikëve nuk besoj se ju mungon broshura përderisa artikulojnë kritikat. Dhe kemi kritika se kemi program. Po mos kishim kritika, s’do kishim program. Ndërkohë që kritikat janë të mirëpritura. Ne jmie në rrugën e detajimit të programit dhe unë i falënderoj të gjithë ata që bëjnë këto kritika, sepse ka pjesë mjaft të dobishme që ne do ti konsiderojmë. Ka pjesë të cilat me pa dobishmërinë e tyre konfirmojnë ndërkohë vetë aspekte të programit. Kështu që jemi absolutisht të lumtur që ka kritika dhe do të donim të kishte edhe më shumë.
Përsa i përket pjesës tjetër unë besoj që ajo çka duhet të ndryshojë thelbësisht dhe do të ndryshojë thelbësisht është raporti i qeverisë me opinionin publik. Do përmbyset. Shqiptarët nuk do kenë më një qeveri që është aty për të ecur për ‘para dhe nuk do kenë më një kryeministër që është aty për të treguar dokrra çdo ditë. Ne do të flasim me shqiptarët si me një popull mjaftueshmërisht të pjekur për t’u përballuar me të vërtetat. Më të vërtetën që nga kjo gjendje mund të dalim vetëm bashkërisht. Dhe më të vërtetën që për të dalë nga kjo gjendje secili duhet të bëjë detyrën e vet. Duhet të japi kontributin e vet, duhet të luajë rolin e vet. Që nga kryeministri, deri tek qytetari. Ne nuk mund të pranojmë një situatë në një vend ku siç nënvizohet nga një agjensi prestigjioze ikin për shkak të korrupsionit, për shkak të kriminalitetit dhe për shkak të evazionit 1.3 miliard dollarë. Atëherë 1.3 miliard dollarë për Shqipërinë janë jo diçka, por gjithçka. Ikin, e lënë Shqipërinë. Siç e kanë lënë në periudhën e kësaj qeverie. Ne nga ana tjetër nuk mund të pranojmë që dritat ujin, taksat ti paguajnë një pjesë edhe për një pjesë tjetër. Nuk mund ta pranojmë.
Si mund të normalizohet ky vend nëqoftëse ju paguani drita edhe për disa që nuk paguajnë. Sigurisht që ata që janë në pamundësi ekstreme për të paguar duhen mbështetur. Por ideja që masa të tëra debitorësh nuk ndjehen fare borxhli, duke filluar nga biznese të mëdha, apo ideja që bizneset pranë kryeministrit dhe qeverisë nuk paguajnë drita është e papranueshme. Pra ky është një vend i cili grabitet dhe i cili shtrydhet nga të katërt anët dhe është katandisur jo kockë e lëkurë, por lëkurë pa kockë. Ne do të rivendosim një raport të ri mes qeverisë dhe publikut dhe në këtë raport do të ndërtohet pastaj një qasje tërësisht e re ndaj pasurisë së përbashkët, ndaj pronës private, ndaj të drejtave, ndaj lirive, ndaj meritës. Është një raport i përmbysur. Është një raport ku publiku është lënë jashtë dhe po ashtu do vendosim një raport të ri me opozitën. Është e paperceptueshme që jetojmë në një vend ku duket sikur ka vetëm dy palë dhe mungon pala kryesore që është publiku. Sepse edhe ju, më lejoni t’jua them, ndërmjetësit ndërmjet publikut dhe palëve në kuptimin e zbërthimit të të vërtetave, përgjithësisht përcillni informacion, por nuk bëni arbitrin. Nuk e bëni arbitrin, s’keni nevojë të bëni pyetje të caktuara, nëqoftëse doni përgjigje të caktuara. Mund t’i gjeni vetë përgjigjet”.
-Në programin për një Rilindje Shqiptare flisni për heqjen e taksës për biznesin e vogël, por që nga ana maxhorancës në vazhdimësi, është folur që kur keni qenë në krye të bashkisë së Tiranës nuk e keni bërë një gjë të tillë. Dhe pyetja e dytë lidhet me koalicionet para zgjedhore. Keni bërë një ftesë për dy parti politike LSI dhe FRD por që ka një lloj refuzimi paraprak nga këto dy forca politike, ndërsa PD është shprehur për koalicione edhe me parti të tjera të majta. Një koment për këto.
“Taksën e biznesit të vogël nuk e vendos bashkia. Është një e vërtetë elementare. Dhe me falni ju nuk jeni gazetare e ekonomisë, por duke dëgjuar, dëgjuar, dëgjuar duhet thjesht të informoheni dhe atyre që jua thonë këtë dokërr, t’i thoni më falni por jo nuk është kështu. Prandaj na jepni përgjigjen e duhur pse nuk e hiqni. Mos na tregoni se se paska hequr Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, sepse atë nuk e vendos bashkia dhe nuk mund ta heqi bashkia. Atë e vendos qeveria dhe mund ta heqi qeveria. Është një taksë që vendoset nga shumica në parlament. Ne e propozuam që të hiqej dhe nuk u hoq, ashtu siç propozuam që jo vetëm TVSH-ja mbi makineritë dhe pajisjet të hiqej, por të hiqej për të gjithë, jo vetëm për një kategori të caktuar.
E dyta nuk kam bërë ftesë as për LSI, as për FRD. I jam përgjigjur një pyetje, duke nënvizuar një koncept. Është koncepti për çfarë duhet të ndodhi në këto 6 muaj dhe si duhet të pozicionohen ata që i thonë vetes opozitë apo në çfarë kushtesh mund të ketë një koalicion me LSI-në. Vetëm nëse LSI zgjedh patericë e Saliut apo kthim në identitet. Nuk kam bërë ftesë”.
-Në lidhje me koalicionet, ju në 2009 keni thënë që PS do bëjë koalicion mbi bazë programesh dhe jo kryetarësh. Në 2013 po kërkoni një koalicion edhe me LSI dhe me parti të tjera. Duket sikur është një koalicion numerik, duket se nuk bazoheni në programe. A mjafton vetëm dalja nga qeveria që ajo të përmbushi kushtin për të qenë në koalicion bashkë me ju, pra ka ndryshuar koncepti juaj për koalicionet. Pyetja e dytë, ju thatë që ne jemi një ndërmjetës mes jush, politikës dhe publikut, por publiku dhe ne bashkë, ju keni detyrimin të na sqaroni në lidhje me pyetjen e parë që ju bë. Ka disa ditë që ju akuzoni palën tjetër, pala tjetër ju akuzon ju dhe par publikut të gjithë thonë që ‘hajde se njëlloj janë’. Ju keni detyrimin që të thoni ne jemi ndryshe, nuk jemi si pala tjetër. Ju folët edhe për marrëdhënien e re që duhet të ketë qeveria me publikun. Pas 23 qershorit, ditët e fundit ne të gjithë kemi parë rastin e transportit të ministrit anglez i cili merr metronë dhe shkon në punë. Do kemi në qeverisjen tuaj ministra që do marrin autobusin, ministri transportit që do marri autobusin, për të cilin ai e monitoron, jep licencë. Ministri shëndetësisë që shkon tek spitali shtetëror dhe jo tek ai privat, apo deputetët dhe ministrat që i çojnë fëmijët e tyre në universitetet ato që janë sot publike dhe jo private.
“Për koalicionet. Padyshim koalicioni ynë do të jetë një koalicion për programin për një Rilindje Shqiptare. Mos harroni që në një koalicion të gjitha palët nuk mund të pretendojnë 100% të programit të tyre, kur bashkohen me palën fituese apo kur janë pjesë e një koalicioni fitues që ka një parti të madhe fituese. Partia që merr më shumë vota ka të drejtën e formimit të qeverisë dhe të gjitha palët janë aty sigurisht për programin. Mos harroni që ne jemi partia që sot kemi në atë program të shkruar çështjen çame. E vetmja parti politike si alternativë qeverisëse, nuk flasim për partinë e ngritur për atë punë. Po flasim, dy alternativa qeverisëse ka Shqipëria, të tjerat janë pjesë. Jemi e vetmja që e kemi në program. Ne kemi aty të shkruar çështjen e pronës dhe raportin me pronarët, duke konsideruar që nuk kemi më ish pronarë, por kemi pronarë që duhen trajtuar si të tillë, sepse si ish domethënë që je ish dhe prona jote është ish. Në fakt nuk është kështu. Në atë program ne kemi një qasje shumë të qartë dhe disa pika që do të shtohen në programin e detajuar për të përndjekurit politikë.
Çështja e pronës dhe çështja e të përndjekurve janë pjesë e rëndësishme e programit të një partie që mund ti thotë, ose mund të jetë, ose është e djathtë, por që përmes këtij koalicioni mund t’i shohë të trajtuara dhe të realizuara. Për këtë arsye ne kemi sot parti të djathta në koalicionin tonë. Nga ana tjetër e përsëris çështja e LSI është shumë e thjeshtë, LSI sot është në pushtet, për shkak se ka shumë interesim dhe vazhdimisht pyetje për këtë çështje, përgjigja është po ajo që ka qenë. Është LSI-ja që duhet ta vendosë çfarë do bëjë me veten e vet dhe ne nuk kemi asnjë barrierë të ngritur për asnjë parti që pozicionohet për rotacionin dhe pozicionohet për të çuar përpara një program rilindjeje ekonomike, sociale, demokratike dhe evropiane.
Përsa i përket pyetjes që juve ribëtë përgjigja ime është po ajo. Autorët e këtyre shpifjeve nuk meritojnë përgjigje, meritojnë vetëm përbuzje. Ndërsa opinioni publik meriton një shpjegim të plotë dhe do ta ketë. Ndërsa përsa i përket pastaj ndërmjetësisë suaj me publikun unë e përsëris, nuk mundet të vazhdohet më me teorinë që të gjithë janë njësoj. Dhe jeni ju të parët që duhet të hiqni dorë nga kjo teori dhe duhet të ndihmoni publik që të heqi dorë nga kjo teori, sepse të gjitha nuk janë njësoj. Ju keni instrumentet për ta bërë këtë duke shfrytëzuar statusin tuaj, duke shfrytëzuar kushtetutën e vendit, duke shfrytëzuar ligjet në fuqi. Keni të gjithë instrumentet për ti bërë publikut transparente të vërtetën. Ne nuk akuzojmë. Ne kemi folur dhe do flasim vetëm mbi bazë provash dhe faktesh që lënë arsye për ti thënë publikut ka ndodhur kjo, kjo, kjo apo për të kërkuar llogari në emër të publikut. Kjo është detyra jonë si opozitë. Opozita është aty e paguar nga publiku për të kërkuar llogari në emër të tij. Qeveria nuk është aty për ti kërkuar llogari opozitës që të mos japi llogari vetë, por është aty për të bërë punën dhe për të dhënë llogari për punën. Kjo është demokracia. Dhe sigurisht ju jeni aty si pushtet i katërt për të garantuar që të dyja palët po bëjnë detyrën. Kam unë një pyetje për ju: si ka mundësi që pas gjithë këtyre ditësh ju nuk keni marrë një barrë që publikut tuaj ti thoni, thotë të vërtetën apo gënjen Taulant Balla. Duke i marrë me ato që thotë dhe me ato që kërkon. Ka të drejtë apo s’ka të drejtë. Prandaj edhe njerëzit nuk kanë faj, i ka ardhur në majë të hundës me politikën, janë neveritur nga politika dhe thonë ‘hë se të gjithë janë njësoj’. Si qenkan të gjithë njësoj. Njerëzit nuk janë njësoj se Zoti apo natyra nuk i ka bërë njësoj dhe padyshim edhe në politikën shqiptare nuk janë të gjithë njësoj.
Por sigurisht që për të bërë dallimet nuk mjafton se çfarë thotë njëra palë dhe çfarë thotë pala tjetër. Duhet që edhe një palë e tretë që jeni ju të ndihmoj publik që të kuptoj se çfarë thonë palët. Se përndryshe është një ping-pong. Mikrofonin këtu ai të shan ty. Mikrofonin ty, ti shan atë, çfarë kuptuam ne këtu. Mbasi ndodhën këto të dyja ai që vë mikrofonin thotë po prit njëherë pse po e thotë ky këtë, ku e bazon. Dhe i thotë njerëzve sipas të dhënave të mia ku thotë këtë.
Deklaratat janë të depozituara. Shko dhe do të gjesh të vërtetën”.
-Juve ju referuat një raporti të FMN për çështjen e ekonomisë. Por raporti shkon edhe përtej parashikimit për një ulje ekonomike dhe i sugjeron Shqipërisë që për të përballuar krizën të rrisë taksat. A do të ndodhë kjo nëse ju merrni qeverisjen pas 23 qershorit?
“Ne do ndryshojmë sistemin e taksave e kemi thënë këtë gjë. Kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Kush fiton më pak do paguajë më pak. Padyshim. Fjalia do rrisim taksat është një fjali që nuk do ta dëgjoni nga goja jonë sepse ne nuk do bëjmë këtë gjë. Por kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Kush fiton më pak do paguajë më pak”.
-FMN sugjeron gjithashtu që të mos rriten më pagat dhe pensionet. Do ta bëni ju një gjë të tillë?
“Jo ne nuk do ta bëjmë këtë gjë. Ne nuk do të ulim absolutisht asnjë rrogë, por ne do të fokusohemi me mish dhe me shpirt për dy gjëra: E para që kush fiton më shumë do paguajë më shumë taksa, kush fiton më pak do paguajë më pak taksa, jo si deri sot që ata që ju mbajnë fjalime policëve paguajnë më pak taksa se policët e thjeshtë. E dyta, kush nuk paguan taksa do gjejë belanë në këtë vend. Do të ngremë një agjenci të posaçme dhe do ta ndjekim këmba këmbës deri në fund këto që përpiqet t’i iki detyrimit për të paguar taksa. Ne nuk mund të jetojmë më në një vend ku ca paguajnë faturat e ca si paguajnë faturat e detyrimeve ndaj këtij vendi. Ne nuk mund të jetojmë në një vend ku një pensionist paguan rregullisht faturën e dritave dhe një milioner nuk paguan taksa. Kjo nuk mund të vazhdojë. Ky është koncepti ynë”.
-Z.Rama ju thatë në deklaratën tuaj se ju keni bërë mirë llogaritjet e programit tuaj. A mund të me jepni një përgjigje, sa kushton fatura e rilindjes për të nxjerrë vendin nga kriza?
“Fatura e rilindjes nuk ka çmim. Për rilindjen ne do të bëjmë gjithçka. Kështu që për detajimin e plotë të programit dhe për shpjegimin fushë më fushë duhet të prisni kur programi të jetë detajuar përfundimisht. Jemi në rrugën e detajimit dhe patjetër di t’u dalim përpara shqiptarëve dhe do t’u vëmë përpara jo një listë dëshirash, këtu do bëjmë stadiumin e ri, këtu do bëjmë parlamentin e ri, këtu do bëjmë pishinën e re, por një kontratë. Dhe do tu themi ja çfarë do të bëjmë ne për ju. Na jepni votën dhe mbi bazën e kësaj kontrate na ndiqni këmba këmbës”.
-Ju thatë që nuk ka asnjë pengesë për asnjë parti për t’ju afruar Partisë Socialiste në një koalicion. Këtu përfshitë edhe LSI-në. A mundet të thoni këtë për LSI-në kur ju keni qenë vetë dhe ju kemi dëgjuar me zë dhe me figurë, duke deklaruar se Ilir Meta është i korruptuar, mund të bashkëqeverisini me një njeri të tillë?
“Unë hyj tek njerëzit që kanë bindjen që çështja e korrupsionit dhe e korruptimit është një çështje sistemi. Është sistemi që i korrupton njerëzit, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin. Dhe prandaj lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është një bllof, sepse është sistemi i ndërtuar mbi korrupsionin dhe për korrupsionin. Ne do të rimodelojmë sistemin. E dyta, unë besoj që detyra jonë që kemi marrë përsipër të përfaqësojmë njerëzit, të përfaqësojmë interesat, të propozojmë programe, të realizojmë programe është shumë më tepër e lidhur me interesin kombëtar dhe publik sesa me interesin personal. Prandaj kjo nuk është një çështje personash apo marrëdhëniesh personale, kjo është një çështje e një interesi kombëtar dhe publik që Shqipëria të dalë nga ky kurth dhe të hyjë në rrugën e një rilindjeje shqiptare. Duke përsëritur që sigurisht ne nuk mund ta bëjmë me Sali Berishën apo duke bërë koalicion me Sali Berishën. Por me këdo që vendoset përballë Sali Berishës dhe Partisë Demokratike për rotacionin dhe për realizimin e këtij programi”.