Edi Rama, ky Mur Vajtues i halleve të serbëve!

Emin AZEMI

Ka kohë që Kosova është shndërruar në një mirazh shkretëtire që po ia prish ëndrrat Vuçiqit dhe për këtë Rama është shumë i brengosur, prandaj ai asgjë nuk ia lë rastësisë. Ai ka vendosur të shndërrohet në një brejtës kujdestar të gurëve shqetësues në shpirtin dhe zemrën e Vuçiqit.

 

Edi Rama asnjë ditë nuk ka jetuar në Beograd, por si duket po e mallkon veten se pse të paktën rininë e tij të hershme djaloshare nuk e ka kaluar në këtë metropol të katundarëve serbë. Ai Beogradin dhe serbët i njeh përciptazi, kurse mentalitetin e tyre më së paku. Kur flet për serbët Rama, përshtypja e parë që të krijohet është se ai vuan nga njëfarë kompleksi i njeriut të vogël përballë lodrave që të sjell përpara një i rritur, i cili e ka ndërmend qëllimisht ta zhvendos vëmendjen. Edhe Edi Rama si duket është i fascinuar nga lodrat e Vuçiqit dhe po mundohet të na fusë edhe neve në botën e tij virtuale ku realiteti nuk preket, por vetëm imagjinohet. Në fakt realiteti i munguar në kokën e Edi Ramës do të duhej të jetë perceptimi real mbi “botën serbe”, e cila është e mbushur aq shumë me kontradikta sa që edhe vet sociologët e Beogradit e kanë vështirë të ndajnë se ku mbaron mitomania mesjetare e ku fillon krekosja ballkanike për njëfarë supremacie ndaj popujve të tjerë.

Edi Rama tash së fundmi u bë një mur vajtues i halleve serbe. Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje gjatë dekadave, Rama kërkon mirëkuptim për pozicionin e Beogradit.

“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë të tjerë, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha ai.

Rama besonte se Serbia duhej të vendoste sanksione me kalimin e kohës, por tha se  Beogradit është shumë i varur nga Moska për furnizimet me energji, prandaj, sipas tij, është e pamundur që Serbia të zbatojë me urgjencë sanksionet kundër Rusisë.

“T’u kërkosh që ta bëjnë tani, dhe në të gjithë diapazonin, është praktikisht e pamundur… Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre”, theksoi ai. “Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, paralajmëroi Rama në një intervistë për “POLITICO”.

Kjo gjuhë mjalti e Ramës që po shkrihet mbi kokën e madhe të Vuçiqit, ka rrezik ta fus në diabet gjithë rajonin, prandaj Babloku i Tiranës ka vendosur që herë pas herë të gjuaj ndonjë kokërr kripë mbi fushën e Kosovës në mënyrë që lulëkuqet të digjen që në rrënjë, sepse vetëm kështu ato nuk mund të krijojnë ndonjë efekt të padëshirueshëm optik për syzat e mjegulluara të Vuçiqit.

Në fakt ka kohë që Kosova është shndërruar në një mirazh shkretëtire që po ia prish ëndrrat Vuçiqit dhe për këtë Rama është shumë i brengosur, prandaj ai asgjë nuk ia lë rastësisë. Ai ka vendosur të shndërrohet në një brejtës kujdestar të gurëve shqetësues në shpirtin dhe zemrën e Vuçiqit. Është njëfarë sadomazohizmi të shohësh se si dhëmbët e Ramës përpos që përtypin naivitet, të mbështjellë me kompelks inferioriteti ndaj serbëve, ata po thërmojnë edhe bazamentin mbi të cilin janë vendosur interesat kombëtare të shqiptarëve.

Kjo dashuri pa kushte e Ramës ndaj serbëve të këqinj, burimin mund ta ketë në ndonjë literaturë të pastudjuar ende, por publiku i gjerë nuk e ka vështirë ta dallojë naivitetin e Ramës dhe kompleskin e tij pse nuk ka jetuar në Beoghrad si dhe arrogancën e Vuçiqit, teksa ky i fundit në çdo konferencë shtypi flet për planet e tija se si Kosova duhet të bëhet pjesë e Serbisë.

Diferencën në mes të Ramës dhe Vuçiqit do të duhej ta krijojë Kosova, por në praktikë po ndodhë që kjo diferencë të shuhet fare, sepse në njërën anë po ndodhë që  Vuçiqi me të gjitha mjetet pa rreshtur po e godet Kosovën, sidomos pavarësinë dhe sovranitetin e saj  kurse Rama në anën tjetër, si një bilbilush i vetmuar maje plehu po e mbron Serbinë nga kritikat e atyre që kanë vuajtur pasojat e saj. Rama po e mbron Serbinë nga gratë e dhunuara të Kosovës, nga fëmijët e lënë pa prindër dhe pa nënat që ende i kërkojnë bijtë e tyre të masakruar e të zhdukur dikund në tokën serbe.

Se deri kund do të shkojë ngritja e këtij muri vajtues për serbët, këtë mund ta dijë vetëm Rama, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me mallkimin ndaj gjithë atyre që kanë guxuar të bëjnë pazare politike në kurriz të viktimave.

Shkup, 16 qershor, 2022