Nju Jork, 23 shtator 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbylli fjalën e tij në “Samitin e të ardhmes” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork me idenë për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”. Ai tha se shteti sovran i Bektashinjve do të ishte “një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese në paqe”.
Një ditë më parë, Rama kishte folur mbi këtë temë në një interviste për gazetën amerikane “New York Times”.
Rama nuk ka ofruar më shumë detaje për këtë ide, të cilën zgjodhi ta lansojë nga Nju Jorku, por nga reagimet që pasuan duket qartë se për këtë temë është konsultuar më parë me komunitetin e bektashive.
Selia Botërore e Bektashinjve në Tiranë reagoi menjëherë duke e cilësuar këtë si “nismë të jashtëzakonshme”. Sipas saj, kjo do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe për promovimin e paqes”.
Në një deklaratë të saj, të shoërndarë dielën, thuhet se, me këtë nismë, Urdhëri Bektashi “do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative”.
“Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave”, thuhet në deklaratë.
Kryegjyshi bektashian botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e ka përshëbdetur idenë e kryeministrit Rama.
“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen, as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, citohet Brahimaj.
Ai e ka shpjeguar edhe për karakterin e “shtetit Bektashi”.
“Si entitet shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”, ka thënë ai.
“Shteti Bektashi” pritet te shtrihet në territoret ekzistuese të Selisë Botërore të Bektashive, në një sipërfaqe prej disa hektarësh, në një zonë periferike të Tiranës.
Selia botërore e betashinjve ishte zhvendosur nga Turqia në Shqipëri në vitin 1929.
Mbetet e paqartë rruga ligjore që do të duhet të ndiqet për njohjen e sovrantitetit të “shtetit Bektashi” në Shqipëri. Në Nenin 1 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”, prandaj për krijimin e mundësisë për themelimin e “shtetit Bektashi” është e nevojshme të bëhen ndryshime kushtetuese.
Në Shqipëri, sipas censusit të fundit, të realizuar vitin e kaluar, bektashi janë deklaruar pak më shumë se 115 mijë persona apo më pak se 5 për qind e popullsisë rezidente.
(Sipas Zërit të Amerikës)